Connect with us

Ekonomi

Shqipëria, një nga vendet evropiane më të lira për të jetuar

Shqipëria është një nga vendet evropiane më të lira për të jetuar.

Përpos se është një nga vendet më të bukura të Ballkanit prej natyrës mahnitëse, kushtet e përballueshme të jetesës e kanë bërë të parapëlqyer për shumë të huaj.

Kostot e parashikuara të jetesës për një person të vetëm në Shqipëri janë afërsisht 420 dollarë në muaj pa përfshirë qiranë.

Sakaq, Tirana është një nga qytetet më të përballueshme në Ballkan. Kryeqyteti është i njohur për baret, klubet dhe kafenetë, si dhe për muzetë dhe monumentet historike.

Pas tij vjen Durrësi, qyteti i dytë më i madh pas kryeqytetit.

Është destinacioni më i madh detar në Shqipëri dhe një parajsë e udhëtarëve me buxhet. Mund të merret me qira një ambient për 200 dollarë në muaj.

Kurse Saranda, e njohur si perla e jugut, është një nga qytetet më të populluara në vend.

Ka plazhe të mrekullueshme dhe një pamje mahnitëse. Dhe sipas standardeve evropiane, është jashtëzakonisht i lirë dhe një nga vendet më të bukura ku mund të jetohet.

E vendosur në Shqipërinë e Jugut, Vlora është një nga vendet më mahnitëse për të jetuar.

Është gjithashtu shumë e përballueshme. Me 300 dollarë në muaj, mund të gjendet një vend i mirë me qira pranë plazheve qiellore dhe mrekullive natyrore.

Rumania

Një tjetër vend evropian i lirë për të jetuar është Rumania.

Me disa nga kostot më të lira të jetesës në Evropën Lindore, Rumania është një destinacion kryesor për shumë të huaj.

Është një destinacion i shkëlqyer për shumë arsye. Njerëzit janë miqësorë, ushqimi është i lirë, kushtet e jetesës janë të përballueshme dhe vendi është një bukuri.

Kostot e vlerësuara të jetesës për një person beqar në Rumani janë 499 dollarë në muaj, pa përfshirë qiranë.

Ndërkohë, Timisoara është qyteti më i madh në Rumaninë perëndimore.

Njihet si ‘qyteti universitar’ dhe një nga qendrat më të mëdha industriale. Për më tepër, është shumë afër Beogradit dhe Budapestit.

I quajtur Kryeqyteti Evropian i Rinisë në vitin 2015, Cluj-Napoca i ka të gjitha – jetën e gjallë të natës dhe monumentet e bukura. Është qyteti më i madh në Rumani, por ende shumë i përballueshëm, veçanërisht për emigrantët.

Ndërsa porti më i madh detar i vendit, Konstanca, është një nga qytetet më të vjetra, si dhe një nga më të lirët. Qyteti ofron shumë për të parë dhe eksploruar, nga rrënojat e lashta dhe muzetë e shumtë deri te klubet e natës dhe restorantet e bukura.

Sibiu, i vendosur në Rumaninë Qendrore, është mjaft i vogël dhe i përsosur për ata që nuk preferojnë qytete të mbushura me njerëz.

Malet i japin qytetit një pamje që të lë pa frymë dhe bëhet shumë më i bukur në dimër. Mund të gjeni një apartament me një dhomë gjumi për jo më shumë se 200 dollarë në muaj.

Bullgaria

Këtu mund të gjendet diçka që i përshtatet nevojave dhe buxhetit të gjithsecilit.

Kostot e parashikuara të jetesës në Bullgari janë rreth 506 dollarë në muaj, duke përjashtuar qiranë.

Historia e Veliko Tarnovo-s daton më shumë se pesë mijë vjet më parë. Është një qytet i vendosur në veri të Bullgarisë qendrore dhe ka një popullsi prej 70 mijë banorësh.

Aty mund të merret me qira një apartament për vetëm 120 dollarë në muaj.

Është një nga qytetet më të vjetra në Bullgari, si dhe një nga më të lirat. Ka transport të rregullt nga qytetet dhe qytezat më të mëdha për në Veliko Tarnovo.

Plovdiv ndodhet në Bullgarinë jug-qendrore dhe është qyteti i dytë më i madh.

Të marrësh me qira një apartament të bukur modern për vete kushton rreth 300 dollarë.

Ushqimi është gjithashtu shumë i përballueshëm, mund të hash një vakt në një restorant të mirë dhe nuk do të jetë më shumë se shtatë dollarë.

Varna, e njohur ndryshe si Perla e Detit të Zi, është qyteti i tretë më i madh në Bullgari.

Ai ndodhet në Detin e Zi dhe është shtëpia e 500 mijë banorëve. Mund të marrësh me qira një vend për 365 dollarë.

Sakaq, Burgas është vendi i përsosur për të qenë gjatë verës.

Emigrantët dhe vendasit rekomandojnë Burgas-in mbi Sofje, veçanërisht kur moti është i mirë dhe me diell. Mund të marrësh me qira një vend shumë të bukur për rreth 230 dollarë.

Nuk ke nevojë për makinë, pasi taksitë janë shumë të përballueshme dhe në shumicën e vendeve mund të shkosh në këmbë.

Republika Çeke

Republika Çeke ka një histori të pasur dhe të gjatë, edhe pse është një vend relativisht i vogël.

Është e njohur kryesisht për kështjellat e saj dhe në fakt ka më shumë kështjella se çdo vend tjetër në Evropë.

Në përgjithësi, vendi është i sigurt dhe i përballueshëm. Kostoja e vlerësuar e jetesës për një person beqar në Republikën Çeke është 627 dollarë.

Brno është qyteti i dytë më i madh në Republikën Çeke. Është shtëpia e shumë institucioneve arsimore, arkitekturës interesante dhe të tjera.

Pastaj, Plzen është i njohur për të qenë një qytet kulturor. Nuk është befasi që qyteti po tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota.

Mund të mos keni dëgjuar më parë për Ostrava-n, pasi zakonisht anashkalohet nga turistët, por ky qytet ka shumë për të ofruar.

Një nga festivalet më të mëdha dhe më të mira të muzikës zhvillohet në Ostrava dhe gjithashtu mund të kaloni ditën duke eksploruar minierat nëntokësore të qymyrit.

Nëse jeni adhurues i djathit, atëherë Olomouc është vendi ideal.

Me një traditë të gjatë djathi, së bashku me ndërtesat e bukura, parqet dhe natyrën mbresëlënëse, Olomouc është vendi ku duhet të jeni.

Polonia

Polonia është një nga vendet më të bukura dhe unike në Evropë.

Vendi ofron kaq shumë për të parë, nga vende të ndryshme historike deri te qytetet e vjetra, të cilat do t’ju mahnitin. Kostot e vlerësuara mujore të jetesës për një person të vetëm në Poloni janë 525 dollarë, pa përfshirë qiranë.

Katowice është një nga qytetet më të industrializuara në Poloni. Konsiderohet gjithashtu mjaft e përballueshme për të jetuar, me një kosto jetese të vlerësuar prej 500 deri në 800 dollarë.

NdërsaBialystok është një nga qytetet më të mëdha në Poloni për sa i përket popullsisë.

Qyteti nuk është domosdoshmërisht në krye të listës së atyre që vizitojnë Poloninë. Megjithatë, është mjaft e përballueshme. Kostot e vlerësuara të jetesës janë midis 500 deri në 750 dollarë.

Rzeszow ndodhet në të dy anët e lumit dhe është i njohur për një nga sheshet më të bukura të qytetit të vjetër. Qyteti ka një atmosferë të gjallë dhe është gjithashtu i lirë.

Kostot mesatare të jetesës në Rzeszow janë 500 deri në 750 dollarë.

Sllovenia

Një tjetër vend, Sllovenia, ka peizazhe të bukura dhe në përgjithësi është shumë e sigurt dhe e pastër.

Po ashtu ka një pozicion të shkëlqyeshëm në Evropë, me qasje të lehtë në Austri, Kroaci dhe Itali.

Është gjithashtu një nga vendet evropiane më të lira për të jetuar. Kostot mesatare mujore të jetesës janë 679 dollarë në muaj për një person beqar.

Murska Sobota është një nga vendet më të lira në Slloveni.

Qyteti e ka marrë emrin nga lumi Mura dhe është një qytet shumë i industrializuar. Duke jetuar në Murska Sobota, prisni të paguani diku midis 400 deri në 450 dollarë.

Nga ana tjetër, Krško është destinacioni i përsosur për ata që e duan natyrën. Gjelbërimi është i pafund dhe kushtet e jetesës janë shumë të përballueshme.

Kostoja mesatare e jetesës këtu do të jetë rreth 400 dollarë.

Për sa i përket çmimit, Velenje është shumë më e lirë se Ljubljana ose Maribori. Është qyteti i gjashtë më i madh dhe një nga qytetet më me diell në Slloveni.

Kurse Maribor është qyteti i dytë më i madh në Slloveni. Jeta në Maribor është dukshëm më e lirë se në qytetet e tjera evropiane.

Ai ndodhet buzë lumit Drava dhe natyra është spektakolare. Duke jetuar në Maribor, prisni të paguani 600 dollarë në muaj.

Marrë nga “Schengen Visa Info”

Ekonomi

Guvernatori i BSH Gent Sejko: Inflacioni i çmimeve të produkteve të konsumit ka pësuar rënie

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një deklaratë për mediat, pasqyroi situatën ekonomike në vend. Sejko theksoi se inflacioni i çmimeve të produkteve të konsumit ka pësuar rënie.

Sejko thekson se punësimi është në rritje në vend, ashtu sikundër pagat po njohin rritje.

“Inflacioni i çmimit të produkteve të konsumit ka pësuar rënie. Ky inflacion në rënie është bazuar në atë që ndodh në rajon dhe në Europë. Presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme. Rritja ekonomike ka ardhur nga përshpejtimi i rritjes së investimeve publike, nga ambienti stimulues financiar dhe pritjet pozitive për të ardhmen.

Punësimi në ekonomi u rrit me 0.6 përqind, pagat në sektorin privat u rritën. Zgjerimi i punësimit dhe i pagave ka rritur ekonominë. Tregjet financiare paraqiten të sigurta. Kredia për sektorin privat është zgjeruar akoma më shumë. Rritja ekonomike do të gjejë mbështetjë në shëndetin financiar të kompanive private”, deklaroi guvernatori Sejko.

Continue Reading

Ekonomi

Shqiptarët më të “varfrit” në BE, EUROSTAT: Konsumi dhe të ardhurat më të ulëta

Shqipëria vijon ta ketë të humbur garën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Ndonëse ekonomia po rritet më shpejt sesa rajoni, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me tre pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).

Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën.

Ky tregues është për Shqipërinë sa 41% e mesatares europiane. Përkeqësim ka bërë Bosnjë-Hercegovinë, ku raporti është njëlloj me Shqipërinë në 41%, nga 42% që ishte në përditësimin e parë.

Rekordin e mban Mali i Zi me 63%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 50%.

Sipas Eurostat, Konsumi aktual individual, i referohet të gjitha mallrave dhe shërbimeve të konsumuara aktualisht nga familjet. Megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme, sqaron INSTAT.

Europa

Në vitin 2022, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në Bashkimin Europian patën dallime të konsiderueshme. E përdorur si masë e mirëqenies materiale të familjeve, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) varionte nga 69% në 138% të mesatares së BE-së në vendet e BE-së.

Ashtu si në vitet e mëparshme, Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të AIC për frymë në BE me 38% mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Austria dhe Gjermania (të dyja 18% më lart), Holanda (16% më lart) dhe Belgjika (15% më lart). ). Në vitin 2022, nëntë vende të BE-së regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së.

Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Bullgari (31% nën mesataren e BE-së), Hungari (29% më poshtë), Kroaci dhe Letoni (të dyja 24%) dhe Sllovaki (23% më poshtë).

Gjatë tre viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE-së ka ndryshuar në shumicën e vendeve të BE-së. Midis viteve 2020 dhe 2022, nivelet e AIC u rritën në 18 vende të BE-së, më së shumti në Bullgari (69% e mesatares së BE-së në 2022 krahasuar me 60% në 2020), Kroaci (76% nga 69%), Rumani (86% nga 81% ), dhe Irlandë (94% nga 89%).

Nga ana tjetër në shtatë vende të BE-së pati rënie të niveleve të konsumit aktual individual.

Uljet më të mëdha u regjistruan në Danimarkë (110% në 2022 kundrejt 121% në 2020), Gjermani (118% kundrejt 124%) dhe Finlandë (109% kundrejt 114%).

Luksemburgu dhe Irlanda ende shënojnë PBB-në më të lartë për frymë në 2022

Në vitin 2022, si në vitin 2020 dhe 2021, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në PPS në BE, në 156% dhe 135% mbi mesataren e BE-së.

Të dhënat tregojnë dallime thelbësore midis vendeve të BE-së për sa i përket PBB-së për frymë, e përdorur për të matur aktivitetin ekonomik. Pas Luksemburgut dhe Irlandës, Danimarka (36% mbi mesataren e BE-së), Holanda (30% më lart), Austria (24% më lart) dhe Belgjika (20% më lart) vijnë në krye të listës me një PBB për frymë më shumë se 20% mbi mesataren.

Në të kundërt, Bullgaria (38% nën mesataren e BE-së), Greqia (33% më poshtë) dhe Sllovakia (29% më poshtë) shënuan PBB-në më të ulët për frymë./monitor

Continue Reading

Ekonomi

Papunësia bie në nivele minimale historike, punësimi nxitet nga shërbimet, por bie në industri

Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10,5%, në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rekord historik minimal.

Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1% dhe për gratë 11,1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.

Ndonëse papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje

Punësimi bie në industri, rritet në shërbime

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%.

Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1% në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Punësimi ulet me 2,5% në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 %, ndërsa për gratë është 62,2%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje. Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8%.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 ështe rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2%.

Shkalla e punësimit

Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5%, duke pësuar rënie me 0,03 pikë përqind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5%.

Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%./Monitor

Continue Reading

Ekonomi

Euro prek nivelin më që ulët që nga korriku, i afrohet pragut të 101 lekëve

Euro e ka mbyllur javën me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 101.17 lekë, duke humbur 0.75 pikë krahasuar me një ditë më parë. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 25 korrik të këtij viti. Tashmë, kursi ndodhet shumë pranë nivelit minimal historik prej 100.49 lekësh, që u regjistrua në 20 korrik të këtij viti.

Leku vazhdoi të forcohej edhe kundrejt valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan ra më tej në vlerën e 92.89 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 2 gusht. Paundi Britanik u këmbye me 117.42 lekë, vlera më e ulët që prej datës 25 korrik.

Kursi i këmbimit tashmë është kthyer në mënyrë të papritur në vlerat e verës, kur prurjet valutore të lidhura kryesisht me turizmin sjellin një efekt të zakonshëm sezonal, që këtë vit ishte gjithsesi shumë më i fortë se kurrë më parë. Por, rikthimi në vlera të përafërta edhe në këtë periudhë të vitit dëshmon për një mbiçmim të monedhës vendase të mbështetur tashmë mbi faktorë më të qëndrueshëm se ata sezonalë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e lartë e valutës, të ndërthurrur me një ofertë të pakët të monedhës vendase.
Prurjet e mëdha valutore këtë vit lidhen me shifrat rekord të turizmit hyrës, me nivelet e larta të investimeve të huaja, por edhe me një vit ta favorshëm për sektorin energjetik, i karakterizuar nga eksporte në rritje, sidomos në muajt e vjeshtës. Këto eksporte vlerësohet se kanë pasur një rol në rritje në ofertën për valutë gjatë muajve të fundit.

 

 

Nga ana tjetër, likuiditeti në monedhën vendase është mjaft i shtrënguar. Rritja vjetore e depozitave në lekë pothuajse është stopuar, ndërsa rritja e ofertës monetare të lekut në tërësi (përfshirë depozitat dhe paratë jashtë bankave) është më e ulëta që prej fillimit të vitit 2019. Një rol të rëndësishëm në pakësimin e ofertës së lekut ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë dhe suficiti buxhetor pranë niveleve më të larta historike.

Ky vit po mbyllet me Lekun që ndodhet në pozita më të forta se kurrë më parë në historinë prej afërsisht dy dekadash të këmbimit me Euron. Muaji dhjetor në përgjithësi shoqërohet me një shtim të ofertës valutore, sidomos në pjesën e dytë të tij, të lidhur me kthimin e emigrantëve dhe me një rigjallërim sezonal të turizmit. Historikisht, kjo ka sjellë një farë rënieje të kursit të këmbimit të Euros në javët e fundit të vitit.

Por, nga ana tjetër, tendenca gjithnjë e më e theksuar e qeverisë për ta përqendruar shpenzimin e deficitit buxhetor në muajin dhjetor, mund të japë efektin e kundërt dhe të rimëkëmbë përkohësisht kursin e monedhës europiane. Një fenomen i tillë u vërejt në ditët e fundit të vitit 2022./monitor.al

Continue Reading

Ekonomi

“E premte e zezë” për Euron, kursi me Lekun prek nivelin më të ulët prej fillimit të gushtit

Leku e mbylli javën duke u forcuar më shumë në kursin e këmbimit me të gjitha valutat e huaja kryesore. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 102.43 lekë, duke humbur rreth 1.5 lekë në harkun e një jave në kursin e këmbimit me monedhën vendase. Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit Euro-Lek që prej datës 2 gusht.

Rënia e Euros ka tërhequr në rënie të gjitha valutat e tjera kryesore që kuotohen në tregun shqiptar. Dollari Amerikan zbriti në nivelin e 93.9 lekëve dhe në harkun e një jave ka humbur afërsisht 1.7 lekë në kursin e këmbimit. Edhe kursi i Dollarit Amerikan me Lekun ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 2 gusht.

Paundi Britanik u këmbye në vlerën e 117.97 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 25 korrik.

Prej një muaji, Leku ka nisur një cikël të ri dhe deri diku të papritur mbiçmimi në kursin e këmbimit.

 

 

Sipas burimeve nga tregu, rënia është shpejtuar në dy javët e fundit për shkak të një rritjeje të fortë të ofertës së Euros në tregun valutor. Disa prej kompanive që administrojnë hidrocentrale private kanë shitur sasi të mëdha të Euros gjatë kësaj periudhe. Kushtet e favorshme hidrike kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike gjatë vjeshtës, duke bërë që bilanci energjetik në këtë periudhë të jetë pozitiv.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kryer eksporte të energjisë gjatë muajit nëntor, por, bazuar në informacionet nga tregu, me sa duket, edhe prodhuesit më të vegjël të energjisë kanë eksportuar në sasi të konsiderueshme. Kjo ka sjellë prurje valutore edhe më të mëdha, duke e zhvendosur në ulje kursin e këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Oferta e Euros dhe kërkesa për Lekë në muajt e fundit vlerësohet se është ndikuar edhe nga një tendencë e konvertimit në monedhën vendase të kredive të mbajtura në valutë të huaj. Për shkak të kursit të ulët të këmbimit të Euros dhe normave më të ulëta të interesit për kreditë në Lekë, shumë huamarrës kanë shfrytëzuar rastin për të konvertuar valutën e kredisë së tyre.

Nga ana tjetër, rënia e fortë e kursit po ndikohet edhe nga një ofertë mjaft e shtrënguar e Lekut në tregun valutor. Depozitat bankare në lekë paraqiten në stanjacion, ndërsa agregati monetar M2 po shfaq normat më të ulëta të rritjes në pesë vitet e fundit.

Një rol shumë të rëndësishëm në uljen e ofertës së Lekut besohet se ka luajtur suficiti buxhetor rekord i qeverisë shqiptare. Në fund të 10-mujori, vlera e suficitit kishte vlerën e 48 miliardë lekëve, pranë niveleve më të larta historike që ishin regjistruar në fund të muajit shtator.

Pritshmëritë ishin që në muajt e fundit të vitit qeveria të rriste ritmin e shpenzimeve, duke injektuar më shumë Lekë në ekonomi. Mendohej se ky mund të ishte një faktor që mund të sillte një zhvlerësim të përkohshëm të Lekut, por deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, kursi i Euros po i drejtohet sërish niveleve më të ulëta historike, që u regjistruan në korrik të këtij viti./Monitor

Continue Reading
Advertisement

TRENDING