Connect with us

Politike

Sot në Kuvend – BUXHETI 2021

Rritje pagash për bluzat e bardha dhe mësuesit
Paga minimale 30.000 lek
Financim masiv për Rindërtimin, Shëndetësinë, Arsimin
Zero Taksë Fitimi për Biznesin e Vogël (Zero TVSH për BV deri në 100.000USD xhiro vjetore)
Zero taksa për karburantin në bujqësi
dhe të tjera akoma për të dalë më të fortë pas goditjeve nga tërmeti dhe pandemia.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend për prezantimin e projektbuxhetit të shtetit 2021

Ftesa për të mos u marrë me të shkuarën dhe për të mos iu referuar momenteve kritike apo edhe momenteve tragjike si ’97-ta, janë ftesa të arsyeshme, po të mos mbahet parasysh se sot, në vitin 2020, problemi janë po ata njerëz. Kush, sot kërkon që të rikthehet në krye të punëve të vendit, është absolutisht i pandashëm,  për fat të keq, nga e kaluara pak më e largët dhe nga e kaluara më e afërt. Nga e kaluara kur shqiptarët u gjenden  në zhgjëndrrën e humnerës, pasi u nxiten të investojnë paratë e tyre me motivin “jep një merr dy” dhe shumë më pas, kur Shqipëria u gjend në vitin 2013, pasi bëri zgjedhjen e duhur për t’i larguar nga detyra të njëjtët njerëz, me një tjetër gropë borxhesh dhe likuiditeti.

Sot janë të njëjtët njerëz, po me të njëjtën formulë “jep një të marrësh tre”. Madje, ftojnë shqiptarët që të votojnë për Lulin dhe të marrin peshqesh Ilir Metën, bashkë me Monikën, se Saliu nuk diskutohet që është në barkun e Lulit, jo si lepur, por si luan që udhëheq lepurin në luftë.

Kështu që s’kemi pse fshihemi prapa gishtit, as pse shohim gishtin, kur gishti tregon hënën.

E vërteta është kjo; Sot, Shqipëria, pavarësisht se ka kaluar një goditje që do të kishte gjunjëzuar padiskutim shumëkënd dhe do të kishte fundosur vendin, në rast se në momentin e asaj goditjeje në krye të punëve të vendit do të ishin ata që sot janë të papunë dhe që vetëm shajnë, shpifin, akuzojnë, sajojnë, çorodisin, është jo në kushtet kur mezi mbahet, por në kushtet kur po rindërton me ritme jashtëzakonisht të larta. Edhe për këtë mjafton të bëjmë një krahasim, jo shumë të komplikuar, me një vend fqinj, që është fuqi ekonomike botërore e që ka kaluar disa tërmete dhe ku eksperiencat janë shumë të ndryshme. Ka eksperienca pozitive, ka dhe eksperienca mbresëlënëse për nga zgjatja në kohë e procesit të rindërtimit. Apo të krahasojmë procesin e rindërtimit të kryer me financimin e qeverisë shqiptare, me procesin e rindërtimit që do të kryhet me financimin e partnerëve, duke filluar nga Komisioni Europian që do të vendosi një fond të konsiderueshëm për pjesën tjetër të shkollave. Ende nuk jemi në kantier, sepse procedurat janë shumë më të zgjatura. Ndërkohë që në 26 nëntor, ne do të hapim një numër jo të vogël shkollash, të cilat do të jenë më të mëdha, më të forta dhe shumë më të bukura seç ishin dhe nuk do të kenë asnjë ndryshim, në asnjë aspekt të infrastrukturës dhe të logjistikes mësimore, nga shkollat në çdo vend të BE-së. Cilindo të doni, zgjidhni e merrni.

Shqiptarët e goditur nga fatkeqësia në strehën e tyre dhe të mbetur në rrugë pas pak sekondash në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar kanë filluar të hyjnë nëpër shtëpitë e reja  hap pas hapi. Sot që flasim, në çdo pjesë të territorit të prekur nga kjo fatkeqësie  madhe, shtëpitë individuale po ndërtohen ditë për ditë. Për herë të parë në këtë vend do të ndërtohen lagje të tëra të reja me infrastrukturë moderne rrugore, nëntokësore dhe me të gjitha hapësirat dhe me shërbimet e nevojshme, përveçse me apartamente që do të jenë të një cilësie që nuk do të kenë dallim me cilësinë më të mirë të ndërtimeve komerciale.

Të gjitha këto ndërtime, të gjitha këto shtëpi, të gjitha këto apartamente e të gjitha këto njësi tregtare të rindërtuara për ata që i humbën, do të jepen falas për qytetarët.

Kërkoni nëpër eksperiencat e tjera dhe ejani këtu dhe na thoni ku është bërë falas kjo gjë.  Jepen me kredi të buta, jepen me kredi afatgjata, por falas jo. Ne do t’i japim falas, sepse jemi të vetëdijshëm që ky është momenti që këtë krizë të madhe ta kthejmë në një energji të madhe shprese dhe perspektive për të nesërmen për mijëra e mijëra familje.

Janë afro 30 mijë familje të prekura nga ajo fatkeqësi, që nga ato që humbën shtëpitë dhe ishin pa çati të nesërmen, tek ata që nuk banojnë dot ende tani që flasim nëpër apartamente, sepse janë të dëmtuara. E për të gjitha ato familje, ky vend ka patur zot, sepse asnjë nga ato familje nuk është lënë siç u lanë familjet që u përmbytën në Shkodër. 5 apo 6 milionë dollarë ishin, humbje të mëdha për ato familje, jo humbje shtëpie, fatmirësisht dhe u desh që të vinim ne në pushtet që ato të merrnin lekët.

Është e nevojshme kujtesa, janë të nevojshme krahasimet, për të kuptuar se çfarë do të kishte ndodhur po të kishte renë tërmeti, kur ishin ata në detyrë. Apo çfarë do të kishte ndodhur sikur të ishte shfaqur virusi, kur spitalet nuk kishin ilaçe, kur kompanitë nuk furnizonin më spitalet, sepse borxhet ndaj kompanive ishin të atyre përmasave që kompanitë nuk mund të vazhdonin më symbyllur të sillnin materiale mjekësore dhe ilaçe në pritje me “prit se t’i kam”.

Për të mos folur, përveçse për të përmbyturit, për invalidët, për personat me aftësi të kufizuar, që u lanë papaguar. 40 milionë borxhe ndaj atyre që janë më të dobëtit e për të cilët derdhen përditë lot krokodili nga ata që kur kishin mundësi ta bënin Shqipërinë më të fortë, e leqendisën Shqipërinë fare.

Ata janë ata, por edhe shumë nga ju këtu jeni nga ata. Unë e kuptoj që ka gjithmonë një kohë për t’u penduar, ka gjithmonë një kohë për të reflektuar, ka gjithmonë një kohë për të ndryshuar. Unë e kuptoj që vetëm budallai nuk ndryshon mendim, kur sheh që mendimin e ka të gabuar dhe patjetër që unë e mirëpres çdo dalje këtu për t’u distancuar nga ne dhe nga ata, patjetër. Po vetëm rolin e virgjëreshës jo, ju lutem!

Vetëm dalja këtu me monologun e virgjëreshës, ju lutem, jo!

Sepse u bë shumë në këtë vend, që pas kaq shumë kohësh të kemi akoma kaq shumë njerëz që shfaqen sikur kanë ardhur nga hëna, sikur nuk kanë qenë këtu fare.

Buxheti që kalon sot është kuptimplotë, është buxheti i një force politike që nuk i ka bërë bisht përballjes me dy kriza të njëpasnjëshme, me dy goditje të njëpasnjëshme. Një goditje nga tërmeti dhe një goditje që faktikisht ka tronditur gjithë planetin, jo vetëm Shqipërinë dhe ekonominë shqiptare. Përkundrazi, kemi reaguar me një bindje të fortë që janë dy kriza që duhen kthyer në dy mundësi të mëdha.

Janë dy kriza, nga të cilat, ne duhet të dalim më të fortë. Duhet të dalin më të forta familjet që humbën shtëpinë; Duhet të dalin më të fortë fëmijët që humbën shkollën, kopshtin, çerdhen; Duhet të dalin më të fortë mësuesit dhe kujdestarët e atyre strukturave mësimore që u rrafshuan; Duhet të dalin më të forta komunitetet ku goditja ishte më e madhe; Duhet të dalë më e fortë nga kjo goditje Durrësi, Laçi, Kavaja, Vora, Lezha; Padiskutim duhet të dalë më e fortë Tirana, të dalë më e fortë Kruja, Fushë – Kruja, Rrogozhina dhe nuk ka asnjë dyshim që do të dalin shumë më të forta. Siç nuk ka asnjë dyshim që lagjet e reja do të jenë shëmbëlltyra e Shqipërisë që ne duam.

Lërini dokrrat “morët borxhe këtu, e borxhe atje”. Këto janë dokrra!

Çështja e çdo qeverie, gjithmonë, nuk është sa borxh merr, është sa aftësi ka për të marrë borxh dhe për ta paguar borxhin. Nuk të jep njeri borxh, nëse nuk ke aftësi për ta paguar borxhin. Tregjet e kapitaleve nuk kanë zemër. Tregjet e kapitaleve nuk mendojnë për mijëra familje që duhen strehuar me shpejtësi. Tregjet e kapitaleve nuk mendojnë për mijëra familje që, qysh në krye të herës, si asnjëherë më parë nuk u lanë rrugëve, por nga hotelet më të mira të Durrësit kaluan nëpër shtëpi, qeratë e të cilave paguhen sot e do paguhen edhe vitin e ardhshëm – shikojeni, e keni në buxhet -nga kjo qeveri. Janë në shtëpi me qera, në pritje të shtëpive të reja.

Ndërkohë, ata, të cilët janë në çadra, për të cilët kanë dhimbje këta që ju shkojnë nëpër çadra, për të treguar “shikoni ku janë”, janë në pjesën rurale dhe kanë qëndruar aty me dëshirën e tyre për shkak se nuk mund të ndahen dot nga toka me të cilën jetojnë, me punën me të cilën jetojnë e nuk mund të bëjnë ecejake nga fshati në shtëpinë në qytet, çdo ditë. Dhe për ata kemi nxituar më shumë dhe janë ata që po futen të parët në shtëpi. Ashtu skundër është e natyrshme që shtëpitë e tyre janë më të lehta për t’u ndërtuar, sesa pallatet që kërkojnë kohë më të gjatë për projektimet e nevojshme.

Unë e kuptoj shumë mirë stresin e atyre që janë me pallatet DS4 në Durrës, të cilët nuk janë në rrugë, janë në shtëpi me qera dhe qeranë e paguan qeveria. E kuptoj shumë mirë stresin, por ama edhe ata duhet të kuptojnë që ndërhyrjet në pallatet DS4 kërkojnë projekte inxhinierike të detajuara, specifike e nuk bëhet fjalë për 1, 2… apo 7, bëhet fjalë për qindra  projekte të tilla, që tilla nuk bëhen sa hap e mbyll sytë.

Kur i kanë marrë ato pallate, le të kujtohen pak, sa kohë u është dashur nga momenti kur kanë bërë kontratën me ndërtuesin, në momentin kur kanë hyrë në shtëpi. Një vit.

Sa kohë i është dashur edhe ndërtuesit për të arritur deri tek marrja e lejes? Pra, për të bërë projektin, për të bërë procedurat.

Natyrisht, ju jeni ndryshe, por tabelën e shumëzimit e keni të unifikuar me ata që nuk janë këtu. Ju keni të njëjtën tabelë shumëzimi e meqë ra fjala, që ta çoni deri në fund këtë punë, ju opozita këtu e opozita atje bashkohuni që të hiqet tabela e shumëzimit, të hiqet tabela e mbledhjes, zbritjeve nga ky vend, që të shpëtojnë të gjithë. Vendosni ta liberalizoni aritmetikën, pse jo, ta liberalizoni matematikën. Liberalizojini këto se kështu si vajti kjo punë, që të angazhohesh në opozitë është ta bësh të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë dhe ta bësh aritmetikën subjektive. Pse mos ta bëni program këtë? Çfarë mund t’u ofroni ju shqiptarëve më shumë, sesa t’i çlironi nga stresi i aritmetikës? Çfarë dini ju të bëni më shumë se kaq?

Më mirë se kaq ju nuk dini të bëni asgjë tjetër dhe më besoni, që jeni të besueshëm. Kur ju të thoni që ne duam që  të mos ketë tabelë të unifikuar shumëzimi, pjesëtimi, mbledhje dhe zbritje, shqiptarët do ju besojnë sepse e keni dhënë me prova që jeni tapë-topi. Tapa është jashtë, topi është këtu. Nuk ka rëndësi çfarë jeni ju e çfarë nuk jeni ju, rëndësi ka që mezi ju kemi dhe rëndësi ka që shqiptarët janë më të mençur sesa ju, sesa ne, sesa secili prej nesh që është këtu. Arsyeja pse ju nuk keni për të fituar, të gjithë ju, akoma e akoma, është e njëjta, sepse, për sa kohë nuk do reflektoni mbi mençurinë e shqiptarëve e për sa kohë do t’i merrni shqiptarët për budallenj, për aq kohë ju jeni të destinuar të humbni. Tani, ju jeni fitimtarë të përkohshëm. Unë flas për ata, të cilët janë humbës të përjetshëm, se ju, sidoqoftë, keni disa cilësi më të mira se ata dhe ju është dhënë mundësia që të bëni një reflektim dhe po e bëni.

Gjithsesi buxheti është më i rëndësishëm se këto.

Buxheti 2021 konfirmon edhe një herë, së bashku me gjithë sistemin e reformuar dhe të lehtësuar fiskal, që taksa zero për biznesin e vogël është dhe do të mbetet aty. Deri në 2029-ën, bizneset e vogla nuk do kenë taksë mbi fitimin e nuk do kenë TVSH deri në 100 mijë dollarë xhiro.

Nga ana tjetër, ne na duhet të financojmë rindërtimin, na është dashur të financojmë nga buxheti në të gjithë periudhën e mbylljes një numër të barabartë me çerek milionë individë dhe me buxhetin 2021, ne bëjmë një rritje pagash. Kush vend e bën në rajon? Nuk po ju them të tjerë, por në rajon keni dëgjuar për ndonjë rritje pagash. Dhe rritja e pagave nuk është ta bëjmë sot e ta heqim nesër, po është një angazhim që kur merret, është aty për gjithë vitet.

40% rritja e pagave për mjekët, infermierët, për të gjithë bluzat e bardha të Republikës së Shqipërisë, është një angazhimi këtij buxheti, miratohet sot nga ky Parlament dhe nga 1 janari e në vazhdim të shumë 1 janarëve është aty, nuk ikën me COVID-in e nuk vjen për shkak të COVID-it, por, përkundrazi, bëhet pavarësisht nga COVID-i.

Edhe rritja e pagave për mësuesit me këtë buxhet që miratohet sot, është aty. Angazhim për sot, për nesër e për të ardhmen, i patundur e i patundshëm.

Janë angazhime financiare të mëdha, nuk janë angazhime të vogla në kushtet kur ne jemi si gjithë të tjerët, me kaq shumë shtrëngesa të diktuara nga pandemia dhe me një shtrëngesë ekstra të diktuar nga fatkeqësia e 26 nëntorit të shkuar.

A ka ndonjë shqiptar që mendon me kokën e tij, që sheh me sytë e tij, që dëgjon me veshët e tij, që mund ta vëri në diskutim që dallimi mes nesh, atyre që janë jashtë dhe juve që jeni këtu, është jo vetëm tek vizioni, jo vetëm tek idetë, por është tek fakti që ne bëjmë atë që themi dhe themi atë që bëjmë.

Nuk flasim në ajër, për të kapur çfarë të kapim, një votë këtu e dy vota atje!

Flasim për një vizion, të cilin e zbatojmë me fakte dhe ky buxhet është një fakt, nuk është një program dëshirash. Nuk i kemi bërë të tëra ato që kemi thënë, por kjo nuk do të thotë që nuk do t’i bëjmë dhe jo se e them unë, por sepse e thotë progresi i vazhdueshëm drejt objektivave.

Më thonë, “ke thënë shëndetësia falas, ku është shëndetësia falas?”

Shëndetësia falas nuk është një premtim si heqja e taksës, e themi sot dhe e hoqëm nesër. Shëndetësia falas është një vizion, është një projekt i madh dhe drejt shëndetësisë falas janë hedhur hapa gjatë gjithë kësaj kohe. Po ju them disa prej tyre, se janë pjesë e atij vizioni.

E dini sa shqiptarë që deri dje nuk figuronin asgjëkund, rimbursohen sot për ilaçet e tyre?

600 mijë shqiptarë, të cilët nuk kanë mundur në vite të sigurohen nga pikëpamja shëndetësore, rimbursohen njësoj si të tjerët.

E dini sa është rritur kapaciteti rimbursues, që do të thotë se rrugë drejt shëndetësisë falas nuk do të thotë masa të përkohshme. Kapaciteti rimbursues ka shkuar sot që flasim, 110 milionë dollarë. Pra, 110 milionë dollarë në vit paguan sot  qeveria për ilaçet e shqiptarëve. Ashtu sikundër aspirinat, ata që janë jashtë, bashkë me ju që jeni këtu brenda, i kishit me taksë. 10% taksonit ju një kokërr aspirinë.  Nuk ekziston më.

E dini sa paketa falas ka në shërbimin shëndetësor shqiptar sot? Që nga paketat për sytë e deri tek paktet për operacione e kura të posaçme. Shkoni shikojini sa janë.

Natyrisht nuk është e gjitha. E pse nuk është e gjitha, e duam mandatin e tretë, se vetëm ne mund ta bëjmë të gjithën. Do të na e japin neve mandatin e tretë, nuk do t’jua japin juve dhe as atyre që janë jashtë. Nuk kanë çfarë u japin se dhe ajo u duhet, t’ju japin votën dhe t’ju sillni Monikën, bashkë me Ilirin në dasmë, se ju nuk vini vetëm. Ju doni të vini bashkë me të tjerë.

Ky buxhet ka brenda edhe një fakt tjetër. Karburanti për bujqësinë nuk do të ketë më asnjë ngarkesë fiskale. Të gjithë ngarkesën fiskale që sot ka karburanti dhe që del nga xhepi i fermerëve do ta kthejmë në karburant, jo në rimbursim. Do t’i japim karburant për të plotësuar të gjithë atë nevojë, çka do të bëjë që çmimi për ta do të bjerë. Kjo sigurisht nuk është thjesht një çështje “hajde se po ta falim”. Kjo është një çështje strukturimi dhe skeme financiare që të fitojnë njerëzit dhe që të mos fitojë korrupsioni, siç fitoi në kohën tuaj.

Fakt është po ashtu dhe shumë i rëndësishëm, që përtej rritjes së pagave për bluzat e bardha, ky buxhet përbën edhe angazhimin më të madh financiar të një qeverie në 30 vjet për sistemin shëndetësor.

Flitet e flitet për shëndetësinë dhe më vjen mirë që kush shan shëndetësinë hyn tek kategoria e atyre që nuk kanë pasur nevojë të shkojnë në spital e mos paçin kurrë nevojë të shkojnë në spital, për të shkuar e për ta parë vetë se në fakt shëndetësia nuk është ajo që ishte apo ajo që mund t’i ketë mbetur në mendje, kur nuk kishte çarçafë, batanije, aspirina, apo nuk kishte banjë, por kishte vetëm dhoma me ujë dhe kur banjoja identifikohej vetëm nga uji që dilte poshtë derës dhe thuhej këtu duhet të jetë. Duke filluar nga spitali qendror këtu, shkoni shikojeni. Mos prisni të shkoni ta shikoni kur keni nevojë për të shkuar, se kurrë mos ju ardhtë ajo nevojë. Hapni sytë atje e shikoni si i keni spitalet kur flisni për to.

Patjetër ka spitale nëpër Shqipëri që kanë nevojë për ndërhyrje. Sikur ne t’i kishim zgjidhur të gjitha, të kishim mbyllur të gjitha gropat e hapura nga ju, të ishim kaq të zotë, sa çfarë shkatërruat ju, ta kishim rindërtuar komplet dhe të ishim kaq të aftë për sa çfarë nuk u bë këtu për 50 e 60 vjet, – sistemi i shpërndarjes së energjisë, për herë të parë në këto 7 vite filloi të investohej se e latë me shtyllat e elektrifikimit, – atëherë, ne nuk do të ishim këtu, do ishim marrë të zgjidhnim hallet e planetit si magjistarë.

Ju dhe ata që janë jashtë jeni të mirëkuptuar sepse nuk keni një punë ta tregoni dot. Më tregoni një punë konkrete. E vetmja gjë që shkon në gojë është autostrada deri në Kukës. Po cila autostradë? Autostrada pa ura? Autostrada pa hyrje dhe dalje rrugës për dhjetëra komunitete? Apo autostrada që shkon gjerë e përfundon si gryke shisheje? Autostradë që rrëshqet dheu nga të katërta anët, siç e latë ju. Shkoni shikoni tani ndryshimin se çfarë do të thotë autostradë.

Ajo patjetër është e vetmja vepër që ka pjesërisht ambicien e materializuar për të bërë një rruge me standarde, por edhe ajo një rrugë e lënë rrugëve ishte. Një kiamet i madh edhe ajo. Ashtu sikundër kiamete ishin të gjitha ato  që keni lënë ju. Nuk tregoni dot, këtu, një shkollë. Një shkollë, jo autostradë se nuk bëtë autostrada, bëtë tendera. Ata, bashkë me ju. Saliu, bashkë me Lulin bënë tendera. Numrin më të madh për autostrada, për superstrada e për fuoristrada e keni bërë ju.

Por punë të bërë në terren, para të paguara për punë, më tregoni një shkollë, një kopsht, një spital apo një pavijon spitali. Na e tregoni sesi e bëmë këtë pavijon dhe ndryshuam standardet. Po cilin pavijon, atë ku e fillon korridorin me pllaka 25 me 25, me ngjyrë gri dhe në mes të korridorit e ke me pllaka 30 me 30, në ngjyrë të verdhë e në fund i ke pllakat 50 me 50, në ngjyrë jeshile, sepse janë bërë 3 tendera pllakash për një korridor. Këto janë standardet tuaja!

Apo si rruga Qukës – Qafë Plloçë, ku keni arritur rekordin botëror të paaftësisë me një urë 17 metra diferencë nga njëra këmbë tek tjetra. 17 metra njëra këmbë më e shkurtër se tjetra dhe ura ishte si për të bërë Akuadrom.

Jeni deputetë, kuptohet pa dashjen tuaj. Jeni deputetë të rënë nga vagonët e mallrave të atij treni të madh të opozitës së bashkuar, por, sidoqoftë, jeni deputete. Përveçse jeni deputetë padashje, jeni edhe antikomunistë padashje, sepse e keni marrë antikomunizmin si merret muzika me vesh. Flisni sot, ju që medemek jeni ballistë, domethënë, antikomunistë, që i bini me ballë komunizmit dhe thoni pse si fut në burg.

Ju flisni këtu si deputetët e Kuvendit në vitin 1945, që i thonin partisë të fusim në burg gjyshërit tuaj.

Kush fut në burg në këtë sistem për të cilën luftuan gjyshërit tuaj?

Ju nuk dini të respektoni gjyshërit tuaj. Sikur i ndjeri Mithat Frashëri të ketë informacion nga Kuvendi, ju siguroj që do t’i përpëliten eshtrat, sikur kërcen rock and roll.

Në demokraci nuk fut në burg as qeveria, as partia, as kryeministri. Në ’45-ën po. Prandaj mos bërtisni sikur jeni deputetë të Partisë Komuniste të ’45-ës. Mos ushqeni njerëzit me këtë marrëzi, – burg, burg, burg, – që duhet ta realizojë qeveria, se është skandal.

Prandaj nuk dini të ndërtoni shkolla. Për ju, shkollat janë pasatempo për kalamajtë.

Prandaj nuk dini të bëni tekste shkollore. I latë njerëzit në marrëzinë e teksteve alternative të shkruara nga ata, të cilët as deputetë të PD-së nuk bëheshin dot, sepse ishin edhe më të paaftë se ata që bëheshin deputetë dhe bënin tekste shkollore.

Si ka mundësi që ju, ligjvënës, thoni “t’i kishit futur në burg”.

Në burg të fut drejtësia dhe doni s’doni, dua unë s’dua unë, cilido që është subjekt i drejtësisë, trajtohet nga drejtësia, nuk trajtohet nga mikrofonat e politikës. Çfarë je deputet i ’45-ës!

Çfarë bëtë ju për drejtësinë?

Pikërisht se nuk jemi njësoj, ne kemi udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe po bëjmë të mundur ne, mos më thoni mua njësoj, se Ilir Meta, mbasi tha që edhe Flota e 7 Amerikane të më vijë tek vila në Lalëz, unë nuk dorëzohem, erdhi këtu, – flota nuk erdhi fare – dhe bashkë me Saliun e me të tjerë, – ju nuk keni qenë këtu, ju prisnit bingon, po nuk ishte hapur akoma bingo, – bënë votimin me spektakolar që më kanë parë sytë mua. Dorën lart me kartonin jeshil, kokën poshtë, sikur iu ishin mbytur të tëra gjemitë.

Pastrimi që i bëmë sistemit të drejtësisë ishte radikal. Natyrisht, që drejtësia të vijë në pikën që të bëjë drejtësi në të gjitha nivelet do kërkojë kohën e vet. Ju kërkoni që të tëra gjërat që nuk u bënë 100 vjet, 50 vjet e 30 vjet të na i faturoni neve, sot. Ku ishte menduar ndonjëherë, si mund ta mendonit ju që ajo korporata e gjykatësve dhe prokurorëve, ajo korporata që nuk e prekte njeri me fije bari, do shkallmohej e do përfundonte rrugëve! Ajo korporata që jepte certifikata virgjërie për të gjithë ata politikanë që përfundonin përpara akuze dhe dilnin nga gjykata më të pastër seç kishin hyrë.

Dua ta mbyll me faktin që me këtë buxhet konfirmohet me votën e sotme që në Shqipëri nuk do ketë më rrogë minimale nën 300 mijë lekë. Nuk është shumë, por është shumë më shumë sesa ishte e sesa çka qenë më parë. Mbi të gjitha është konfirmim i rrugës, konfirmim i drejtimit dhe konfirmim i vullnetit për të vazhduar më tutje.

Po ashtu është konfirmim i faktit se gjërat nuk bëhen dot siç i bëni ju. Ju nuk e keni problem t’i kërcisni një shumëzim e t’i vini një shifër që të ikën mendja e kokës. Ju nuk e keni problem, as ata që janë jashtë, Ilir Meta, Monika, Sali e Luli nuk e kanë problem fare të thonë do t’i bëjmë të gjitha.

Nuk e kanë problem se ata nuk kanë gjë në dorë e as nuk do kenë gjë në dorë. Kush nuk ka gjë në dorë t’i zgjidh të gjitha. Puna është t’i zgjidhësh, kur i ke gjërat në dorë. E gjërat në dorë i ka populli e ky popull është i pagabueshëm për t’i deleguar punët personave që zgjedh e forcave që zgjedh.

Doni nuk doni ju, do Balli Kombëtar, nuk do Balli Kombëtar,  do monarkia, nuk do monarkia, do Saliu, Iliri, Monika, s’duan ata, këtu ka vetëm një forcë, Alimadh [deputeti A. Alimadhi] dhe nuk ke fare çfarë i bën kësaj pune. Madje shikojeni mirë këtë punë se mbase krijoni një urë, se mbase Mithat do e kishte bërë me kohë aleancën me mua pa asnjë problem. Edhe Abaz Kupi, patjetër. Edhe bashkë me të gjithë ata që ishin patriotë të vërtetë, pavarësisht ç’bënë e ç’nuk bënë. Kurse juve, atë gomonen e antikomunizmit mbi të cilin lundroni në ato pishinat e juaja e lidhet me anijen e Saliut, u kapët me një sekretar partie. E kupton që keni 30 vjet që ju sjell vërdallë një sekretar partie nga ata më të këqijtë, – se e asaj partie ka qenë edhe ky, po ku ta gjesh, ata, të cilët nuk i bënë bisht as historisë, as të ardhmes.

Të gjitha këto bashkë nuk ndryshojnë një fakt, duan s’duan të gjithë, në daç të mblidhen bashkë a të vijnë të ndarë, të vijnë paketë a veç e veç, ka vetëm një forcë, nuk ka tjetër dhe ajo forcë është Partia Socialiste e Shqipërisë!

Këtë e dinë edhe demokratët  e zakonshëm, e di edhe ai kryetari i Partisë Demokratike të Farkës, që ishin 4 familje në një kulm dhe shkonin në protestë, –  më mirë në protestë, sesa në shtëpi, se në shtëpi nuk rrinin dot të gjithë bashkë në të njëjtën kohë, se ishin 4 kurora. Tani kanë 4 shtëpi, 4 kurora.

Ai prapë do të votojë PD-në, por e di, siç e dinë të gjithë njerëzit e zakonshëm, që po deshe gallatë, jemi mirë me PD-në, po deshe gomarë për t’i ngarkuar punë, jemi me Partinë Socialiste. Gomari që mund ta ngarkosh sa të duash e të mbaron punën, jemi ne. Ju jeni kuajt e hazdisur që krenoheni me krifat e historisë e mustaqet e monarkisë dhe jeni të destinuar të vërtiteni në ato kënetat ku Erion Braçe çon turistët për të parë specie të ndryshme. Realisht, pasi të mbarojë ky sesion, do t’ju propozonim të merrnit pjesë në këtë atraksion e Karavastasë. Kemi ndaluar dhe gjuetinë, ka  10 vjet dhe aty mund të vijnë turistë dhe shqiptarë të vizitojnë pelikanin kaçurrel

Ndërkohë që ne vazhdojmë punën e ju jetoni mirë. Merrni pjesë të aksioneve atje, merrni dhe lekët e pelikanëve, se ata të shkretët nuk duan. Për punët e Shqipërisë nuk jeni ju, nuk janë ata që janë jashtë. S’ka tjetër! Është vetëm Partia Socialiste.

Më 25 prill, ju do ta shikoni prapë dhe do thoni ç’është kjo punë, na i vodhët. Por mos harroni se ne nuk lëmë njeri vetëm. As juve nuk do t’ju lëmë vetëm. Do t’jua hapim rrugën për atë Parkun Kombëtar të Divjakës e ta bindni Erion Braçen që edhe ballistët meritojnë pjesë në faunën turistike të Shqipërisë. ​

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politike

Andi Bushati: Rama po pataks gazetarë dhe deputetë përtej Adriatikut

Andi Bushati thotë se Edi Rama i ka harruar zakonet e botës demokratike qoftë sa për sy e faqe, pas replikave të tij me median italiane, për shkak të dokumentarit të Rai 3, publikuar disa ditë më parë.

“Erdogani ynë i ka harruar, qoftë edhe për t’i përdorur sa për sy e faqe, zakonet e botës demokratike.

Prandaj po pataks gazetarë dhe deputetë përtej Adriatikut,” shkruan Bushati.

Continue Reading

Politike

Rama: Kur hyra në politikë e pranova se jam i çmendur, ju thosha se ju duhet një njeri anormal

Kryeministri Rama kujtoi një episod nga fushata e zgjedhjeve të tij të para si kryetar bashkie i kryeqytetit në vitin 2000.

“…mua nuk më çmendin dot, se që kur kam hyrë në politikë e kam pranuar që jam i çmendur.

Ju kujtohet apo ke qenë i vogël, kur kemi bërë garën e parë për kryetar bashkie, ai nuk më kujtohet as kush ishte kundërshtari se u bënë shumë vjet thoshte, ju keni nevojë për njeri normal, Edi Rama nuk është normal. Se kujtonin se unë do thosha jo unë jam normal.

Unë i thosha jo. Ju nuk keni nevojë për njeri normal, se njeriu normal këtë çmenduri dhe anormalitet nuk e ndryshon dot. Ju keni nevojë për një njeri anormal. Natyrisht kjo ka dhe të këqijat e veta. Por shqiptarët nuk kanë gabuar”, tha Rama

Continue Reading

Politike

Telefonatën time e krahasuat me ndërhyrjet e Kremlinit, s’keni guxim të përballeni me të vërtetën

Kryeministri Edi Rama a reaguar sërish ndaj Sigfrido Ranucci, moderatorit të emisionit ‘Report’ në RAI 3. Rama i është përgjigjur deklaratave që Ranucci ka dhënë në një intervistë…

Reagimi i plotë i Edi Ramës

Që dje gjatë fjalimit tuaj në të njëjtin TV shqiptar të njëanshëm, tashmë i përfshirë para Report në përhapjen e së njëjtës shpifje të importuar më pas në Itali nga Report, do të kishit thënë se do të ishte më mirë të kontaktonit drejtpërdrejt, këtu jam në kontakt të drejtpërdrejtë. me ty por para syve të të gjithëve, sepse me gjithë shtrembërimet e një të vërtete të vetme dhe të thjeshtë që pata fatkeqësinë, por edhe fatin të jetoj në lëkurën time në harkun e vetëm 72 orësh, nuk kam guxim të komunikoni me të pa dëshmitarë.

Është për të ardhur keq që në vend që të dëgjojë gjyshen time që tha të gabosh dhe këmbëngulja njerëzore është djallëzore, ajo bëri një hap tjetër fals. Por duke qenë se në këtë rast nuk jam unë ai që gabova, kam për detyrë të ngulmoj për të nderuar të vërtetën e shkelur në këmbë nga ai raport brutal dhe të mos dorëzohem në mbrojtjen e Shqipërisë dhe institucioneve të saj, përfshirë rolin e saj në marrëveshjen dypalëshe me Italia që ka çdo të drejtë të kritikojë programin e saj duke bombarduar qeverinë e vendit të saj, por nuk ka të drejtë ta bëjë këtë duke njollosur vendin tim dhe fjalën shqipe me shpifje.

Është gjithashtu për të ardhur keq që ju e krahasoni telefonatën time shumë civile si një pjesë të dëmtuar të veprimeve tuaja, me ndërhyrjet e Kremlinit që pretendohet se janë kryer në programin tuaj. Të paktën nga respekti për viktimat e Kremlinit, nuk do ta krahasoja aq lehtë poloniumin e përdorur për të censuruar kundërshtarët e papërshtatshëm me vdekjen me një telefonatë që ndodhi pas censurës.

Më vjen keq gjithashtu që gënjeni për një letër proteste që i kam njoftuar drejtorit gjatë telefonatës tashmë shumë të famshme, duke pretenduar se letra nuk ju ka mbërritur ende, kur në të vërtetë nuk kam njoftuar asnjëherë një letër të tillë dhe as nuk mund ta dërgoj. atë që nuk e kam shpallur kurrë, duke u kufizuar vetëm në vëzhgimin e një ngjarjeje surreale në programin e tij, ku fillimisht censurohen përgjigjet e kërkuara dhe më pas sulmohen të censuruarit se nuk janë përgjigjur.

Meqenëse jemi te faktet, më vjen veçanërisht keq për shtrembërimin nga ana juaj të asaj që tregoni si dokumente gjyqësore në lidhje me vëllanë tim, pasi këto dokumente jo vetëm që nuk ekzistojnë, por pikërisht kjo është edhe objekt ankimimi gjyqësor për shpifja këtu në Shqipëri, një rrethanë që në një transmetim të thelluar investigativ siç pretendoni se e kryeni, duhet të paktën të përmendet për të shmangur riprodhimin në mënyrë jokritike të stereotipit të një epoke tjetër të shqiptarit të interesuar vetëm për drogën dhe të një Shqipërie të korruptuar nga kokën dhe këmbët.

Së fundi, është për të ardhur keq që nuk keni guximin të përballeni me arsyen shumë të thjeshtë të telefonatës sime me drejtorin tuaj, domethënë kërkesën për të sqaruar arsyen e një gënjeshtre të paraqitur jo një herë, por dy herë, jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri, pra se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk i ishte përgjigjur kërkesës suaj për sqarim, e cila u shoqërua më pas me një gënjeshtër të tretë që mori formën e mohimit të dy të parave duke publikuar përgjigjet e marra vetëm në uebsajti i transmetimit, duke shtuar një të katërt mbi dokumentet gjyqësore që nuk ekzistojnë.

Continue Reading

Politike

Meta sqaron një herë e mirë raportin me Kryemadhin: Ajo tmerroi dynjanë, mbushi gjithë…

Tre ditë para konventës kombëtare, Ilir Meta, i ftuar në studion e “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj, ka sqaruar një herë e mirë deklaratat për krisje në raportin e tij me bashkëshorten, Monika Kryemadhi.

Përballë analistit Mentor Kikia dhe kryeredaktorit të “Vizion Plus”, Roland Zili, kreu i PL tha se po përpiqet që në parti të zhdukë nepotizmin dhe të instalojë meritokracia. Sipas tij, nuk ka asnjë krisje në marrëdhënien e tij me Kryemadhin, për të cilën tha se ka një kontribut të jashtëzakonshëm në parti.

Zili: Ju po riktheheni dhe keni gjetur një formë interesante rikthimi. Por përtej mënyrës së komunikimit që keni zgjedhur, në këtë rikthim, në këtë lloj rilindje që doni t’i jepni partisë, keni dhe një marrëdhënie që shumë njerëz e shikojnë me habi. Një krisje të fortë me Monika Kryemadhin. A po e sakrifikoni Kryemadhin?

Ilir Meta: Kjo më kujton një histori me disa kolegët tuaj, të cilët gjithmonë më thoshin mua për nja dy tre kolegë ministra që kisha, “hiqi këta mo burrë”. Një ditë unë e hoqa një mikun tim, sepse duhej bërë një reformë, ai po e vononte. Këta kolgët që më thoshin vazhdimisht “hiqe”, kur e hoqa më thanë “atë e gjete ta heqësh”. Në këtë rast nuk është e njëjta gjë. Shumë prej jush gjithmonë keni thënë LSI parti familje, parti burrë e grua, etj. Kontributet e Monikës janë të jashtëzakonshme, që në kohën e PS-së, ajo tmerroi dynjanë, mbushi gjithë sallën e Pallatit të Kongreseve, e në vazhdimësi, është një figurë publike. Por a nuk keni thënë ju vazhdimisht këtë gjë? Në rastin aktual nuk ka asgjë kundër Monikës. Ka një problem të rëndësishëm që ka të bëjë me instalimin e meritokracinë në Partinë e Lirisë.

Zili: Monikës nuk ia vë asnjeri në diskutim meritokracinë…

Ilir Meta: Nuk ka asnjë padrejtësi ndaj askujt. Statuti që do të miratohet përpiqet të eliminojë nepotizmin, sepse nuk  është vetëm një rast i tillë. Monika është në komitetin drejtues kombëtar të PL. Nëse dëshiron të qëndrojë në kryesi apo të paraqesë një alternativë tjetër, të votohet. Votohet bashkë me mua. Problemi më i madh nuk është Iliri dhe Monika. Problemi më i madh është që nepotizmi na ka goditur rininë. Ne duhet të bëjmë një revolucion në administratën publike, nepotizmi po vret demokracinë. Vetëm në dogana janë 500 raste nepotike, burrë e grua, vëlla e kunatë, etj. Nuk po përmend gjithë admnistratën. Ne duam të bëjmë të qartë se çdo gjë do të bazohet në meritokraci. Partia jonë nuk do të ketë një kakofoni. Partia jonë do të jetë më demokratikja.

Continue Reading

Politike

Tomor Alizoti: S’pyesim fare çfarë thonë ndërkombëtarët, deklaratat e tyre janë të turpshme

Opozita është përqendruar jo pak te protesta te Bashkia e Tiranës me kërkesën e tyre për dorëheqjen e Erion Veliaj, mirëpo për ish-deputetin Tomor Alizoti kjo nuk e zbeh aksionin e tyre përballë qeverisë. I ftuar në Debat me Alba Alishanin, Alizoti tha se kjo është një betejë që opozita duhet ta bëjë, duke mos u ndalur të numrat e protestuesve.

“Çdo betejë duhet bërë, nuk jemi për të bërë taktika, kauza është e drejtë dhe duhet bërë me 100, 500, 1000 veta”, tha Alizoti.

Në këtë drejtim, ai vlerësoi punën e opozitës.

“Protesta është zemërim dhe zemërimi duhet të jetë shoqëror, unë kam qenë kritik me opozitën ku bëj pjesë, por këtë herë opozita ka qenë në çështjen e bashkisë brilante, puna e Këlliçit ka qenë brilante, ia doli të kopsiste dosjen e vjedhjes së qytetarëve nga Bashkia”. Tani është detyrës e qytetarëve të reagojnë për paratë e tyre të vjedhura” tha Alizoti.

Menjëherë pas protestës së opozitës te Bashkia, ndërkombëtarët dënuan dhunën e ushtruar, mirëpo Alizoti nuk ndan të njëjtin mendim. Reagimin e tyre e ka konsideruar si pa asnjë sens logjik, që dëmtojnë demokracinë në vend.

“Deklaratat më të turpshme të këtyre zotërinjve, vidhemi ne, jo ambasadat, përfaqësojnë interesat e tyre, interesi ynë është i vjedhur, njerëzit e kanë parë që nëse kjo ndodh në vend e votës, shkulet Bashkia. Të gjithë kanë një lloj inferioriteti ndaj të huajve, ndërkombëtarët në Shqipëri preferojnë stabilitetin dhe jo demokracinë, deklaratat nuk kanë sens logjik, madje dëmtojnë demokracinë në Shqipëri”, tha Alizoti.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING