Connect with us

Kosova

Specialja “fundos” Hashim Thaçin/ 320 dëshmitarë të fshehtë kundër tij

Hashim Thaçi dhe krerët e UÇK-së do të përballen nga 1 marsi me procesin më të bujshëm ndërkombëtar ndaj tyre. Mediat e Beogradit kanë publikuar një të dhënë shumë të bujshme që dëmton ish-presidentin e Kosovës.

Gazeta proruse e Beogradit ‘Veçernie Novosti’, thekson se ka 320 dëshmitarë të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së, ku shumica e tyre janë me identitete të fshehura, e ka shumë gjasa që nuk do të dalin direkt në gjykatë për të dhënë dëshmitë e tyre.

Avokatët e Hashim Thaçit por edhe të krerëve të tjerë të UÇK-së nuk kanë mundësi të pyesin direkt dëshmitarët e mbrojtur, por do të duhet të bëjnë pyetje nga verbalet e shkruara të dëshmive të tyre dhënë në prokurori.

Procesi ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, do të fillojë më 1 mars.

Nga 320 dëshmitarët që janë regjistruar kundër krerëve të UÇK-së, 12 prej tyre konsiderohen më të rëndësishëm, e emrat e tyre janë mbajtur sekret prej vitesh.

Në dokumentin konfidencial, Prokuroria ka dorëzuar emrat dhe pseudonimet e dëshmitarëve, radhën në të cilën do të thirren, të gjitha deklaratat apo transkriptet e mëparshme të dëshmive të tyre, nëse do të dëshmojnë pjesërisht apo plotësisht drejtpërdrejtë, pyetjet, faktet dhe rrethanat, në lidhje me të cilat do të merret në pyetje dëshmitari.

Ndërkaq është caktuar koha për marrjen në pyetje të drejtpërdrejtë, masat mbrojtëse të urdhëruara në lidhje me dëshmitarin dhe limitet për mbrojtjen.

Siç bën të ditur ‘Veçernie Novosti’, avokatët e Hashim Thaçit e Kadri Veselit nuk kanë pranuar të çojnë pyetjet me shkrim për dëshmitarët e fshehur, por kërkojnë paraqitjen e tyre në gjykatë, qoftë edhe të mbuluar, në masa mbrojtëse siç ka ndodhur me të penduarit e mafias në SHBA e Itali.

Sipas tyre, nuk mund të bëhet me shkrim një proces, i cili ka peshën më të madhe të tij në sallën e gjyqit.

Sipas kalendarit së shpallur nga Gjykata Speciale, dëshmitarët e parë mund të merren në pyetje gjatë muajit prill. Është planifikuar të punohet katër ditë në javë, nga e hëna në të enjte, pesë orë në ditë për tre javë rresht. Me një fjalë do të kemi një gjyq maratonë të krerëve të UÇK-së, i cili sipas të gjitha gjasave do të kthehet në një Big Brother gjigand me përcjelljen e tij në televizione dhe media online.

Sipas planit paraprak, dëshmitarët do të pyeten në një kohë prej dy javësh, as një ditë më pak e as më shumë. Avokatët kanë kërkuar më tepër kohë, po duket se limiti i pyetjeve të dëshmitarëve do të jetë vetëm 15 ditë.

Ndërkaq, siç bën të ditur ‘Veçernie Novosti’, prokurorët e Speciales kanë ngritur shqetësimin për mbrojtjen e dëshmitarëve, pasi sipas tyre mbi ta ka një presion të madh. Gjithashtu, sipas prokurorëve, ka përvoja të mëparshme kur njerëzit refuzuan të dëshmonin para Gjykatës Ndërkombëtare të Sanksioneve Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë për shkak të frikës, dhe disa vdiqën në rrethana të dyshimta.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në 42 qendra ilegale të paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri mbi të paktën 407 të burgosur, nga të cilët 98 u vranë, nga marsi 1998 deri në shtator 1999

Aktakuza ndaj tyre është përndjekje në baza politike dhe etnike, burgim, arrestim dhe ndalim të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Sipas aktakuzës, krerët e UÇK-së mbajnë përgjegjësinë individuale dhe komanduese për ato krime. Të gjithë ata ishin anëtarë të Shtabit Kryesor të UÇK-së gjatë periudhës së mbuluar nga aktakuza: Thaçi si komisar politik, më vonë komandant; Veseli si shef i shërbimit informativ; Selimi si shef operativ dhe Krasniqi si zëvendës komandant dhe zëdhënës i UÇK-së. / Pamfleti

Kosova

Vuçiç fut Kinën në Europë, ‘Kommersant’ për arsyet e vizitës së Xi Jinping në Serbi

“Qëllimi kryesor i vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Serbi më 7-8 maj u shënua zyrtarisht si “forcimi i mëtejshëm i miqësisë së çelikut” midis dy vendeve. Kina e sheh Serbinë si një partner të rëndësishëm në zbatimin e projektit të saj strategjik “Belt and Road”, i cili përfshin dërgimin e produkteve kineze në Evropë. Beogradi nuk mbështetet vetëm në kreditë dhe investimet kineze, por edhe në mbështetjen e Pekinit për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës” – kështu shkruan korrespondenti ballkanik i ‘Kommersant’, Genadi Sosoyev.

Fakti që vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi ka për qëllim të “forcojë miqësinë e çelikut” mes dy vendeve u njoftua në Pekin dhe Beograd. Pikërisht kjo formulë – “miqësia e fortë” – është përdorur në të dy vendet prej disa vitesh si karakteristikë e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë vizitës së parë të Xi Jinping në Beograd në vitin 2016, u nënshkrua një deklaratë për partneritetin strategjik, kurse vjeshtën e kaluar, kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç vizitoi Pekinin, u nënshkrua një marrëveshje për tregtinë e lirë mes dy vendeve, të cilën Beogradi e quajti një “ngjarje historike për Serbinë”.

Beogradi mbështetet në radhë të parë në investimet dhe kreditë kineze, duke i preferuar qartë ato ndaj atyre evropiane për shkak të shpejtësisë së zbatimit dhe procedurave më të thjeshta për marrjen e tyre.

Por Serbia nuk është më pak e interesuar për mbështetjen e Pekinit edhe për qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe voton vazhdimisht në përputhje me këtë qëndrim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nga ana e saj, Serbia i përmbahet me vendosmëri parimit të një Kine. “Tajvani është Kina, dhe pikë”, tha Aleksandër Vuçiç në një intervistë në Pekin.

Sipas burimeve të Kommersant nga Beogradi, Vuçiç dhe Xi fillimisht do dakordohen për përfundimin e ndërtimit të hekurudhës së shpejtë Beograd-Budapest në gjatësi prej 350 km, e cila është duke u realizuar nga kompanitë kineze, me mundësi shtrirjeje deri në kryeqytetin maqedonas, Shkup dhe më tej në portin grek të Selanikut.

Sipas planeve të Pekinit, autostrada Selanik-Budapest duhet të bëhet një nga pikat kyçe në dërgimin e produkteve kineze në Evropë në të ardhmen.

Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi, sipas të njëjtave burime të Kommersant, duhet të jetë çështja e blerjes së mundshme nga ana e Serbisë të avionëve kinezë të gjeneratës së pestë J-20, të cilët do të zëvendësonin MiG-29 të dorës së dytë që Rusia i transferoi në Beograd.

Continue Reading

Kosova

Përpjekja e ricikluar për të diskualifikuar të dërguarin special amerikan Gabriel Escobar

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës” – Kështu ka thënë Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për t’u marrë me çështje në rajonin në të cilin bën pjesë edhe Kosova.

Krerët e shtetit të vogël ballkanik në disa raste aluduan se ai qëndronte në anën e Serbisë dhe specialisti i diplomacisë nuk e pati të lehtë detyrën e emisarit, duke parë që thirrja e tij e vazhdueshme që Albin Kurti të kordinohej me Perëndimin, këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij, dhe të cilat janë ricikluar javën e fundit.

U pa se detyra e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor nuk ishte e lehtë as për një specialist të diplomacisë si Gabriel Escobar.

Siç ndoshta nuk do ta ketë pritur diplomati amerikan, disa pushtetarë në Kosovë dhe mbështetës të tyre, në forma të ndryshme, hodhën akuza në drejtim të tij, duke e lidhur atë edhe me Serbinë.

Pothuajse në çdo paraqitje publike, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u mundua të argumentonte se SHBA-ja ka bërë shumë gjëra në favor të Kosovës. Thirrja e tij e vazhdueshme për t’u koordinuar këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij. Nga Kosova ai priti themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që s’do ta rrezikonte Kushtetutën apo strukturën ligjore të shtetit. Për një strukturë të tillë vetëmenaxhimi për serbët ishin pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel dhe Ohër në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.

Nëse sulmuesit e Escobarit dhe vetë kryeministri Albin Kurti nuk do të mendonin se i dërguari i SHBA-së e bëri thjesht për ta joshur Qeverinë, mund të konstatohet se Kosova ka humbur mundësi të mëdha për t’u njohur plotësisht ndërkombëtarisht.

Gabriel Escobar, më herët, dhe jo vetëm një here kishte pranuar edhe publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin Kurti”, dhe thoshte se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”.

Anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me njohjen paraprake nga pesëshja e BE-së, diplomati amerikan e konsideroi si aspiratën më të lartë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e fundit në dialog, sipas tij ofronte mundësinë më të madhe që nga pavarësia që amerikanët të bashkëpunonin me Qeverinë e Kosovës në një fushatë globale të njohjeve që mund të niste vitin e kaluar.

Kështu thoshte Escobar në Capitol Hill në verën e vitit 2023, në një mbledhje ku Kosova ishte çështje kryesore e diskutimit.

 

Continue Reading

Kosova

Anëtarësimi/ Ja çfarë kërkon Ambasada britanike nga Kosova

Dje dhe sot në Strasburg, zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë duke bërë përgatitjet e fundit dhe hartimin e agjendës për mbledhjen e ministrave të Jashtëm që do të zhvillohet këtë muaj. Ende nuk dihet me saktësi nëse Kosova do të futet në agjendë, pavarësisht optimizmit që krijoi votimi me shumicë dërrmuese pro anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare. Kërkesa e Francës dhe Gjermanisë që të bëhen hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit si kusht për anëtarësim e ka daravitur disi këtë entuziazëm.

Së fundmi, Mbretëria e Bashkuar, perms ambasadës së saj në Prishtinë, ka rekomanduar që qeveria “të bëjë gjithçka” për të siguruar mbështetjen e nevojshme, pavarësisht se nuk i kërkoi Kosovës drejtpërdrejt themelimin e Asociacionit që pastaj të japë mbështetje në mbledhjen e majit.

Kujtojmë se dy ditë më parë në zyrën e Albin Kurti shkuan ambasadorët e vendeve të Quint’it. Kyeministri u përmendi atyre raportin e grekes Dora Bakoyannis, për të cilin tha se u konfirmua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe se “ka konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate”.

Po ashtu, kryeministri Kurti tha se me vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit dhe letrën e dërguar nga tre krerët e vendit – ku zotohen për themelim të Asociacionit – “Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82%.

Si përgjigje për kërkesën e Francës e Gjermanisë, Kurti ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Continue Reading

Kosova

Dëmi i Zajednicës, EKLIPSON çdo përfitim nga anëtarësimi në KiE

Mosgatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të dërguar statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që Franca, Gjermania dhe Italia të kërkojnë shtyrjen e vendimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kurse njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se duhet “mobilizim” i institucioneve para mbledhjes së Këshillit të Ministrave që do mbahet këtë muaj në Strasburg.

Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Valon Murtezaj, tani profesor i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Paris, hezitimi i disa vendeve evropiane ka të bëjë me një lloj “mosbesimi” se çfarë do të ndodh me zbatimin e Asociacionit pas anëtarësimit eventual të Kosovës ne Këshillin e Evropës.

Sipas tij, ajo çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës është të ‘intensifikojë në maksimum” komunikimin me Francën, Gjermaninë dhe Italinë, deri në ditën e fundit, dhe të ofrojë evidenca të garancive që mund të kërkohen.

Ndërkaq në sytë e studiuesit dhe sociologut kosovar, Shkodran Ramadani, kryeministri Albin Kurti, e kupton mirë gabimin që e ka bërë, meqë është zotuar “për Autonomi të serbëve në këmbim të Këshillit të Evropës”, dhe sipas tij, kryqeveritari tani po mundohet të zvarritë procesin dhe po shpreson “në ndonjë mrekulli”.

Madje sipas tij, “hendeku për Kosovën” sa do të vijë e do të ngushtohet dhe fushëveprimi do të zvogëlohet dhe se do të ketë gjithnjë e më pak mundësi të manovrohet.

Në debatit që u zhvillua brenda Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ku kundërshtimet e përfaqësuesve serbë ishin të ashpra, njëra nga ato që u përballë dhe që ngriti fuqishëm zërin pro Kosovës, duke argumentuar se pse Prishtina duhet të anëtarësohet në këtë organizatë ishte pikërisht deputetja e BDI-së, Arta Bilalli.

Sipas saj, disponimi i deputetëve gjerman dhe francez, gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka qenë pozitiv për anëtarësimin e Kosovës, dhe ka shtuar se politika ndërkombëtare ndonjëherë reflekton edhe zhvillimet të cilat nuk janë thjeshtë “bardhë e zi”.

Të hënën, NTV.AL ka raportuar se vendet e QUINT-it i kanë kërkuar kryeministrit Kurti që të bëjë përparime në çështjen e Asociacionit duke e dërguar statutin për shqyrtim në Kushtetuese.

Duke marrë parasysh faktin se përkundër zotimeve Qeveria nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, Franca ka bërë një demarsh te vendet anëtare të KiE-së, duke kërkuar shtyrjen e vendimit për Kosovën.

Vlen të theksohet se këtë qasje nuk e ka mbështetur Mbretëria e Bashkuar, sipas së cilës, çështja e Asociacionit si produkt i bisedimeve të Brukselit nuk duhet të ngatërrohet me çështjen e anëtarësimit në KiE.

Continue Reading

Kosova

2018 rikthehet në 2024, ky është projekti i ri i dialogut Kosovë-Serbi

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), u shpreh i sigurt se mes Kosovës dhe Serbisë do të rikthehet ideja joformale që u hodh mbi tavolinë në vitin 2018, ajo e territoreve, ndonëse vlerëson se ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor nuk ka qenë asnjëherë figura kryesore që e shtyu përpara këtë ide.

“Aktualisht është e vështirë të thuhet nëse Pahori do të jetë i hapur për të diskutuar për shkëmbimin e territoreve, por nuk mund ta imagjinoj që lidershipi aktual i Kosovës do të ishte në çfarëdo mënyre i interesuar të lëshonte pjesë të vendit të tyre pa asnjë garanci se Serbia do të ndalet dhe ta njohë e respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës” – deklaroi Vogel.

Sipas tij, “Së pari, nuk dihet nëse ky do të ishte vërtet një shkëmbim territoresh, apo aneksim i veriut të Kosovës nga Serbia pa ndonjë lëvizje paralele në Luginën e Preshevës. Së dyti, do të destabilizonte rajonin – mbi të gjitha Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Së treti, do t’u sinjalizonte serbëve të Kosovës që nuk jetojnë në veri se nuk kanë të ardhme në Kosovë. Aktualisht është e vështirë të thuhet nëse Pahori do të jetë i hapur për të diskutuar për shkëmbimin e territoreve, por nuk mund ta imagjinoj që lidershipi aktual i Kosovës do të ishte në çfarëdo mënyre i interesuar të lëshonte pjesë të vendit pa asnjë garanci se Serbia do të ndalet dhe do ta njohë e respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës” – theksoi Vogel.

“Në kushtet aktuale, nuk mendoj se ka shumë rëndësi se kush do të zëvendësojë Lajçakun. Sëkëndejmi, ndërsa kritikohet emërimi i një lehtësuesi i dialogut nga pakica e vogël e mosnjohësve të Kosovës në BE, atëherë dyshoj se edhe një diplomat më i mirë dhe më pak partizan se Lajçaku do të kishte pasur ndonjë sukses në dialog, duke pasur parasysh kushtet” – theksoi Vogel.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri në dialog, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë verës, ndërsa blloku përgatitet për raundin e ri të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për ulëset e Parlamentit Evropian (PE) në qershor pritet të përcaktojë edhe dinamikën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING