Kronike
Shpërthim në Lezhë, i vihet tritoli banesës
Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Rrilë të Lezhës, ku objektiv ka qenë banesa e shtetasit Mirash Gjoni.
Sipas informacioneve paraprake, raportohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, kur një sasi lënde shpërthyese e vendosur pranë banesës ka shpërthyer, duke shkaktuar dëme materiale në objekt. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak javë pas një rasti të ngjashëm të regjistruar po në zonën e Rrilës. Më 21 maj, një sasi lënde shpërthyese u vendos në vilën e Tom Çungut, duke shkaktuar dëme materiale. Lidhur me këtë rast, autorët nuk janë identifikuar ende.
Hetuesit po verifikojnë nëse dy ngjarjet mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa puna për zbardhjen e motiveve dhe autorëve vijon.