Connect with us

Shkrime

Spiropali në aksion/ Shqipëria ngjan e qetë, sepse e ka mbytur kapja dhe frika e sistemit

Nga Sonila Meço

Presioni i pushtetit sot nuk të thotë hapur “mos fol”, ka dhjetra mënyra të të kontrollojë fjalën. Njëra prej tyre është të të detyrojë të flasësh në atë mënyrë, që të mos thuash asgjë.

Propaganda ka aftësine që edhe një lëvizje të sinqertë për debat brenda ngrehinës së pushtetit, ta bëjë të duket si një mënyrë të sofistikuar për të mos ia trazuar ekuilibrin.

Heshtja ështe mjet, si gjuha e Ezopit. E shpëton të vërtetën kur thyhet me guxim, e njëjta e varros kur përdoret si komoditet që më shumë përforcon rendin aktual.

Mu për këtë arsye konteksti ia jep vlerën heshtjes. Për si e ku është katandisur Shqipëria, adhurimi sentimental i heshtjes është vrastar, sidomos kur ushqehet me idenë se e vërteta fiton vetë, mjafton t’i japësh kohë.

Jo! E vërteta nuk është substancë mistike që ngrihet vetvetiu mbi ndërgjegjet e shushatura. Shqipëria ngjan e qetë, sepse e ka mbytur kapja dhe frika e një sistemi me shumë bashkëpunëtorë.

E vërteta nëse lihet pa zë në këtë regjim, mbytet nga organizimi agresiv i mashtrimit dhe patronazhimit.

Pushteti nuk ka frikë nga heshtja. Përkundrazi, ushqehet prej saj. Ajo që e bezdis nuk është reflektimi i brendshëm i pjesëtarëve të vet, por artikulimi që merr formë me akte publike dhe kthehet në kufi.

Andaj në kontekstin e sotëm, heshtja është armik jo sepse çdo njeri ka detyrim të flasë për gjithçka, por sepse propaganda ka mësuar ta përdorë pikërisht atë si lëndë të parë. E ta mbushë dëngas me pallavrat e veta. Ose t’i japë frymë nëpërmjet saj një tjetër loje.
Në regjimet e dikurshme fjala ndalohej. Në format e rafinuara, të autokracive moderne, fjala lejohet, por rrethohet me aq lodhje, sulme, agresion, cinizëm, relativizëm sa shumëkush zgjedh të heshtë vetë.

Ky është triumfi i vërtetë i pushtetit, jo kur të mbyll gojën, por kur të bind se të flasësh është e padobishme, e tepërt, e padëmshme, banale dhe sidomos e rrezikshme.

Dhe patjetër është e rrezikshme. Kush ka folur e di mirë se ç’ka pësuar. Por pavarësisht pasojave e ka ndarë mendjen. Dhe fjala i ka zënë vend. Liria i ka ardhur me kosto të frikshme, por frikës vetë i ka dalë përballë. As anash, as me pirueta.

Edhe ideja se heshtja ruan dinjitetin nuk vlen për çdo rast. “Thika” e saj pret nga ana tjetër kur ke qënë dhe je pjesë e sistemit të ngritur tullë më tullë mbi bazën e frikës e bindjes së verbër dhe merr më në fund vendimin e drejtë të lëshosh silure nënujore drejt arkitektit të regjimit.

Dhe po, frika për të folur është e vërtetë, patjetër!

Por nuk justifikon gjysmë të thënat me fraza të nënkuptuara, sepse mund të perceptohet si alibi e dobishme kur sulmohesh, por do të mbetesh ende brenda lojës.

Ja ta shtyj dhe ca më tej arsyetimin. Kjo mund të sjellë pasojë kundra-produktive kur një sistem që është kaq i frikshëm sa nuk të lë të flasësh hapur, u shfaqka mjaftueshëm i butë sa të të lejojë të qëndrosh, t’i bësh edhe kritikë.

Dhe madje mund të rrezikojë të shndërrohet në aleatin më të sjellshëm të propagandës aktuale, që do të shërbehet si demokratike, me debat të brendshëm, me konkurencë e zëra ndryshe nën kupolë.

Nuk mundet dot “ndotja” të quhet ende klimë nga kushdo merr përsipër t’i japë fund efektit serë në pushtet.

 

Advertisement