Sport
Të iki edhe Ibra/ Ja pse suedezi nuk shkarkohet dhe do të ketë rol kyç në projektin e ri
Vetëm një ditë pas dështimit për t’u kualifikuar në Champions League, Milani ka nisur një revolucion të thellë në strukturat drejtuese të klubit. Sipas mediave italiane, kuqezinjtë kanë larguar zyrtarisht drejtuesit kryesorë të klubit, përfshirë CEO-n Xhorxho Furlani, drejtorin teknik Goffei Monkada, drejtorin sportiv Igli Tare, si dhe trajnerin Masimiliano Alegri.
Megjithatë, Zlatan Ibrahimoviç duket se mbetet figurë e paprekshme në projektin e ri të klubit. “La Gazzetta dello Sport” raporton se ish-sulmuesi suedez nuk është i punësuar drejtpërdrejt nga Milani dhe, për këtë arsye, teknikisht nuk mund të shkarkohet, pasi nuk mban një rol zyrtar brenda organigramës së klubit.
Një tjetër element që forcon pozicionin e tij lidhet me faktin se Ibrahimoviç zotëron aksione në fondin amerikan RedBird, kompania e drejtuar nga Xherri Kardinale, që kontrollon Milanin. Roli i tij ka qenë objekt debatesh që prej dhjetorit të vitit 2023, kur u prezantua si “Partner Operativ” dhe “Këshilltar i Lartë i Pronësisë” pranë RedBird.
Sipas raportimeve, Ibrahimoviç kishte pranuar të investonte në fondin amerikan vetëm disa muaj pasi legjenda Paolo Maldini kishte refuzuar të njëjtën ofertë. Maldini u largua nga Milani në qershor të vitit 2023, ndërsa Ibrahimoviç mori rolin e tij këshillues në fund të atij viti.
Media italiane thekson se suedezi pritet të ketë ndikim të madh në ndërtimin e Milanit për sezonin e ardhshëm, duke nisur nga përzgjedhja e trajnerit të ri. Ibrahimoviç vazhdon të gëzojë besimin e plotë të pronarit Xherri Kardinale, çka e bën një nga figurat kyçe në projektin e ardhshëm të kuqezinjve.