Shkrime
Thellohet përçarja brenda Bashkimit Evropian(!)-Eurodeputët kërkojnë largimin e Von der Leyen
Nga Eljanos Kasaj
Më 6 tetor Parlamenti Europian do të hapë një seancë të jashtëzakonshme në Strasburg për të shqyrtuar dy mocione mosbesimi ndaj Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, me votimin që do të zhvillohet tre ditë më vonë. Kjo është përpjekja e dytë këtë vit për të detyruar shefen e Komisionit Europian të japë dorëheqjen – një veprim që pasqyron përçarje të thella dhe pakënaqësinë në rritje brenda institucioneve të Bashkimit Evropian.
Propozimet u paraqitën nga dy grupe parlamentare të Parlamentit Evropian ideologjikisht të kundërta – “Patriotët për Evropën” të krahut të djathtë dhe e Majta ekstreme. Ata akuzojnë von der Leyen për abuzim të pushtetit me pozicionin e saj, ndjekje të politikave bazuar në bindje personale pa u konsultuar me eurodeputetët, neglizhencë të transparencës(sidomos në lidhje me shpenzinet e buxhetit) dhe marrjen e një sërë vendimesh të diskutueshme ekonomike dhe të politikës së jashtme, nga marrëveshjet e pafavorshme tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine deri te deklaratat në lidhje me genoncidin e Izraelit në Gaza.
Edhe pse kritikat ndaj saj po shtohen, von der Leyen ka të ngjarë ta mbajë pozicionin e saj. Grupet e qendrës, kryesisht Socialistët dhe Demokratët, si dhe grupi liberal i “Evropës së Rinovueshme”, kanë njoftuar se nuk do ta mbështesin iniciativën, duke besuar se largimi i saj do të hapte një krizë të re institucionale. Që të miratohet një votë mosbesimi, dy të tretat e 719 eurodeputetëve duhet të votojnë në favor të propozimit, gjë që është praktikisht e pamundur sipas balancës aktuale të grupeve politike në Parlamentin Evropian.
Von der Leyen, mandati i së cilës është shoqëruar tashmë me polemika të shumta — që nga mënyra se si u siguruan vaksinat gjatë pandemisë e deri te marrëdhëniet e saj me udhëheqësit francezë dhe gjermanë — po përballet gjithnjë e më shumë me akuza për arbitraritet politik, nepotizëm dhe tendenca autoritariste centralizuese. Pavarësisht kësaj, vazhdimi i udhëheqjes së saj në Komisionin Evropian shpjegohet kryesisht nga mungesa e alternativave. Zëvendësimi i saj do të kërkonte shpërbërjen e të gjithë Komisionit dhe një proces të gjatë marrëveshjeje midis shteteve anëtare, të cilin në kontekstin aktual të sfidave ekonomike, paqëndrueshmërisë politike kombëtar(si në rastet e protestave të fundit anti-qeveritare në Francë ose atyre anti- militarizimit në Gjermani) dhe të sigurisë, askush nuk dëshiron ta fillojë.
Edhe pse von der Leyen është gjithnjë e më pak e pëlqyer në mesin e qytetarëve evropian, shumica e aktorëve politikë në Bruksel, si dhe super-aparati burokratik evropian, besojnë se shkarkimi i saj do t’i bënte më shumë dëm sesa dobi stabilitetit të Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse votimi në Parlamentin Europian pritet të jetë më shumë një tregues i thellësisë së përçarjeve politike sesa një kërcënim real për pozicionin e saj.
Megjithatë, ky proces zbulon edhe diçka shumë më domethënëse – distancën në rritje midis burokracisë elitiste të Brukselit dhe publikut evropian, i cili po vë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje politikat donkishoteske të Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, të cilat në të vërtet kanë ndihmuar në çlirimin e ekonomisë ruse prej varësisë ndaj tregut evropian të konsumit (ku sot shumica e aktivitetit ekonomik të Rusisë zhvillohet me vended e Azisë Centrale, Republikën Popullore të Kinës,Republikën Islamike të Iranit, Indinë, etj), por dhe kanë dromcuar ekonominë dhe kompetitivitetin e Evropës në skenën ekonomike botërore. Ndërsa mbështetja e saj të vazhdueshme ushtarake dhe financiare për Ukrainën, është kthyer sot de facto në një shtojcë të buxhetit dhe të taksapaguesve evropian. Pa harruar të përmendim impaktin e krizës së vlerave morale, qytetare dhe familjare, që sot popujt evropian(sidomos rinia evropiane) po kalojnë, si pasojë e promovimit agresiv të ideologjive neo-liberale, radikale marksite dhe globaliste(ç’kombtarizuese), që sot po zhvillohet prej instancave politike dhe kulturale të Brukselit, duke shkatërruar kështu bazamentet tradicionale të shoqërive evropiane.
Pavarësisht rezultatit, votimi do të jetë një provë e re e besueshmërisë së institucioneve evropiane dhe provë se sa thellë po lëkunden themelet e unitetit politik të Unionit.