Bota
Trump marton djalin por nuk do shkojë në dasmën e tij: Kam Iranin nëpër duar
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se nuk është i sigurt nëse do të marrë pjesë në dasmën e djalit të tij të madh, për shkak të angazhimeve që lidhen me situatën në Iran. Gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale më 21 maj, Trump u pyet nga gazetarët nëse do të jetë i pranishëm në ceremoninë martesore të Donald Trump Jr. këtë fundjavë.
“Ai do të donte që unë të shkoja. Do të jetë një ceremoni e vogël dhe private, dhe do të përpiqem të jem aty. Por kjo nuk është koha e duhur për mua, sepse jam i angazhuar me Iranin dhe çështje të tjera të rëndësishme.”, tha Trump.
Presidenti amerikan shtoi me tone ironike se, pavarësisht zgjedhjes që do të bëjë, do të përballet me kritika nga mediat.
“Kjo është një situatë ku nuk mund të fitoj. Nëse shkoj, do të më sulmojnë. Nëse nuk shkoj, sërish do të më sulmojnë nga lajmet e rreme”, u shpreh ai.
Çifti bëri publike fejesën në muajin dhjetor gjatë një eventi festiv të organizuar në Shtëpinë e Bardhë.
Planet fillestare të çiftit, në fakt, ishin mjaft të ndryshme. Për muaj të tërë, qarkullonin thashetheme për një dasmë madhështore brenda mureve të vetë Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, zhvillimet e luftës me Iran ndikuan në planet e familjes, duke i shtyrë bashkëshortët e ardhshëm të zgjidhnin një ngjarje padyshim më private, intime dhe më të vogël.
Ceremonia e dasmës do të zhvillohet në mjedisin piktoresk të Bahamas. Sipas Page Six, të dy do të shkëmbejnë betimet e tyre të martesës në një ishull privat para një grupi të vogël familjar dhe miqsh të ngushtë.
Lidhja midis Donald Trump Jr. dhe Bettina Anderson filloi në vitin 2024, kur të dy u fotografuan për herë të parë së bashku nga paparacët gjatë verës, në një kohë kur ai thuhet se ishte ende në një lidhje me Kimberly Guilfoyle.
Konfirmimi zyrtar i lidhjes së tyre mbërriti në dhjetor të atij viti, duke shkaktuar një seri paraqitjesh publike në të cilat Anderson shoqëroi partnerin e saj në ngjarje të ndryshme politike dhe institucionale. Kjo situate vazhdoi deri në fund të vitit 2025, kur Trump Jr., gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi fejesën zyrtare me një batutë: Zakonisht nuk kam fjalë, por dua ta falënderoj Bettinën për një fjalë të vetme: ‘Po’.”
Dhe ky në fakt është një premtim dashurie që do të bëhej realitet gjatë fundjavës, megjithëse nën hijen e krizës së Lindjes së Mesme.
