Connect with us

Politike

Udhëtimi i Berishës drejt SHBA/ Salianji: Non grata, njollë që ka rënduar mbi një parti të tërë

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji e ka cilësuar si një zhvillim pozitiv udhëtimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, drejt Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve të opozitës shqiptare me aleatin strategjik të Shqipërisë është në interes të vendit dhe të PD-së.

Megjithatë, Salianji argumenton se vizita në SHBA nuk zgjidh, sipas tij, problemet kryesore politike me të cilat përballet opozita shqiptare. Ai iu referua vendimit “non grata” ndaj Berishës, duke pretenduar se pasojat e tij kanë prekur jo vetëm individin, por edhe imazhin dhe funksionimin politik të Partisë Demokratike.

Salianji e cilësoi situatën si një paradoks, duke thënë se Berisha mund të udhëtojë fizikisht drejt Shteteve të Bashkuara, por sipas tij has vështirësi për të zhvilluar aktivitet politik në pjesë të ndryshme të Shqipërisë.

“Udhëtimi i Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara është një lajm pozitiv. Çdo hap që normalizon marrëdhënien e një force politike shqiptare me aleatin strategjik të Shqipërisë është në interes të vendit dhe të Partisë Demokratike”, u shpreh Salianji.

Më tej, ai deklaroi se PD-ja duhet të përballet me problemet që, sipas tij, kanë ndikuar në mbështetjen e saj elektorale dhe në aftësinë për të ndërtuar një alternativë qeverisëse.

Reagimi i Ervin Salianjit

Udhëtimi i Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara është një lajm pozitiv. Çdo hap që normalizon marrëdhënien e një force politike shqiptare me aleatin strategjik të Shqipërisë është në interes të vendit dhe të Partisë Demokratike.

Por nuk mund të bëjmë sikur nuk ekziston problemi politik që ka rënduar mbi PD-në për vite me radhë. Non grata për korrupsion është një njollë që nuk rëndon vetëm mbi një individ. Ajo ka rënduar mbi një parti të tërë, mbi opozitën dhe mbi mundësinë e saj për t’u paraqitur si alternativë qeverisëse. Udhetimi sot tregon një paradoks të madh, Berisha mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, por nuk mund të udhëtojë politikisht në Shqipëri.

Nuk mund të bindë Fierin për të organizuar një takim, nuk e viziton dhe as mund të fitojë Shkodrën, nuk organizom dot takim e nuk mund të ndezë Vlorën, nuk bën dot takim në Berat dhe është non grata nga protestuesit në Tiranë.

Mbi të gjitha, nuk mund të bindë shumicën e shqiptarëve se është zgjidhja për të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse, pavarësisht çdo lajmi të mirë që mund të vijë nga Uashingtoni, problemi i PD-së mbetet në Tiranë.

Edi Rama nuk largohet duke përsëritur të shkuarën. Largohet duke ndërtuar një alternativë që shqiptarët besojnë se mund ta zëvendësojë dhe sot, pengesa më e madhe për këtë alternativë është fakti që PD-ja vazhdon të mbahet peng i një beteje për të shkuarën, në vend që të ndërtojë betejën për të ardhmen.

Prandaj, ndoshta ky udhëtim është një mundësi, një mundësi që, larg zhurmës së përditshme, Sali Berisha të reflektojë për atë që do i kërkojnë, dorëheqjen!

Të kuptojë se historia e tij nuk mund të jetë përgjithmonë historia e Partisë Demokratike.

Të kuptojë se një parti nuk mund të jetë peng i një individi dhe të kuptojë se një dorëheqje dinjitoze nuk është humbje personale, por mund të jetë kontributi i fundit i madh politik për Shqipërinë dhe PD-në.

Nëse Berisha e do vërtet Partinë Demokratike dhe ka interesin publik të parin ai duhet t’i japë Partisë Demokratike atë që nuk ia ka dhënë dot deri tani; mundësinë për të fituar.

Sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që vetëm mbijeton.

Koha për ndryshim është tani! Edi Rama e ka humbur mbështetjen popullore, qytetarët presin të ndryshojë opozita për të larguar Ramen një orë e më parë!

Advertisement