Connect with us

Aktualitet

Dritan Goxhaj shpërthen ndaj klasës politike në Kosovë: E kanë marrë peng shtetin për pushtetin e tyre

Analisti Dritan Goxhaj ka lëshuar akuza të forta ndaj klasës politike në Kosovë, duke deklaruar se kriza e vazhdueshme politike nuk vjen nga mungesa e zgjidhjeve, por nga mungesa e vullnetit të partive për t’i dhënë fund ngërçit institucional.

I ftuar në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV, Goxhaj tha se rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje nuk duhet interpretuar si mosbesim ndaj procesit zgjedhor, por si lodhje e qytetarëve nga përplasjet e pafundme politike.

“Qytetarët janë lodhur nga kjo lojë politike. Në Kosovë nuk mungon mundësia për të zgjidhur problemet, por mungon dëshira e palëve politike për të gjetur zgjidhje”, u shpreh ai.

Sipas Goxhajt, rezultatet e zgjedhjeve të fundit kanë prodhuar pothuajse të njëjtën panoramë politike si zgjedhjet e mëparshme, duke e kthyer vendin në pikën zero.
“Palët ose duhet të ulen dhe të merren vesh me njëra-tjetrën, ose do ta çojnë sërish vendin në zgjedhje. Nëse kjo ndodh, pjesëmarrja do të bjerë edhe më shumë”, paralajmëroi ai.

Në fund, Goxhaj artikuloi akuzën më të rëndë ndaj spektrit politik kosovar:
“Politika në Kosovë e ka marrë peng Kosovën dhe popullin e saj për interesat e veta politike. Të gjitha palët janë të lidhura vetëm pas pushtetit dhe po punojnë për pushtetin e tyre, jo për të ardhmen e shtetit.”

Deklarata vjen në një moment kur Kosova vijon të përballet me bllokim institucional dhe pasiguri për formimin e institucioneve të reja, ndërsa presioni publik ndaj partive për kompromis po rritet çdo ditë.

Advertisement