Kosova
Voton presidentja Osmani: Sa më e lartë pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia jonë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka votuar në Fakultetin Teknik në Prishtinë për zgjedhjet lokale që po zhvillohen në vend. Një ditë e rëndësishme për demokracinë, e ka quajtur Osmani, duke bërë thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Presidentja thekson se sa më masive të jetë dalja në votim, aq më e fortë është demokracia në vend.
“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë… Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre”, ka thënë Osmani.
Më herët votoi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Pas votimit, Kurti gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të dalin për të votuar.
Mbi 2 milionë votues u janë drejtuar këtë të dielë kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 38 komunave. Këto janë zgjedhjet e dytë brenda një viti në Kosovë, pas atyre të 9 shkurtit. Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit. Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.