Connect with us

Kosova

Vuçiç krenohet me veten dhe Rusinë/ Miku i mirë njihet në ditë të vështira

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç krenohet me faktin që Serbia nuk ka sanksionuar Rusinë.

Në një intervistë për median publike ruse, TASS, presidenti serb foli me krenari për kundërshtimin e perëndimit në këtë drejtim dhe popullin rus e konsideroi “vëlla”.

Megjithatë, ai tha se ende nuk di edhe për sa kohë do t’i bëjë ballë presionit të SHBA-së dhe BE-së.

“Në serbisht dhe rusisht, si dhe në të gjitha gjuhët anglo-saksone, apo gjermane, ekziston një fjalë e urtë që thotë: Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Është e lehtë të jesh shok e mik në momente të mira. Të mbetesh mik, të jesh i sinqertë kur është e vështirë, pikërisht në momente të tilla, tregon fytyrën tënde të vërtetë” – theksoi Vuçiç

Ai gjithashtu risolli në vëmendje faktin që Serbia pezulloi përkohësisht stërvitjet ushtarake dhe policore me të gjithë partnerët e huaj, konkretisht të Rusisë, pasi në fakt me NATO-n ka kryer disa manovra.

Ai komentoi dhe zhvillimin në Konferencën e Sigurisë në Mynih duke thënë se “paqja është kthyer në një fjalë të padëshiruar për mbarë botën”.

Por si asnjëherë më parë nuk raportohet që Vuçiç të ketë përmendur apo thënë ndonjë fjali për Kosovën në intervistën me median ruse, TASS.

Në vend të kësaj, Vucic paralajmëroi se po vjen një arkitekturë e re e politikës botërore dhe se do të ketë shumë ndryshime. Sjellja e Serbisë kohëve të fundit ka qenë në orbitën e Kremlinit.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u shpreh i habitur për deklaratën e Vuçiçit se Serbia do të jetë edhe në një pozicion më të vështirë për shkak të vdekjes së opozitarit Navalni.

Ndërkohë, për këtë temë ka ndërhyrë dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, I cili akuzoi NATO-n me pretendimin se po përpiqet të zgjerohet në lindje duke bërë presion për anëtarësimin e Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës në aleancë.

“Përgjatë kufijve të Rusisë dhe Bjellorusisë, ka rreth 32 mijë ushtarë të NATO-s, më shumë se 1 mijë automjete të blinduara, 235 avionë dhe helikopterë, kështu që historitë për shpërthimin e mundshëm të Luftës së Tretë Botërore nuk janë pa bazë” –  u shpreh ndër të tjera Lukashenko.

Kosova

SHAH MAT, ka përfunduar loja për statusin e Kosovës

“Saga e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës hap një sërë pyetjesh për ekspertizën dhe strategjinë e Serbisë kur bëhet fjalë për negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndoshta ka ardhur koha për të rimenduar dhe rishikuar strategjinë ekzistuese që udhëheq lidershipin në Beograd, në veçanti Aleksandër Vuçiçin, I cili ka vepruar me moton: – Më lejoni të blej kohë, të gënjej dhe të mashtroj Evropën” – kështu ka shkruar në një editorial, Vladimir Medoviç, ekspert për të drejtën e Bashkimit Evropian

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me shumicë dërrmuese prej 131 votash, 29 kundër dhe 11 abstenime, në një lloj mënyre rekomandoi Komitetin e Ministrave, I cili do të mblidhet më 16 dhe 17 maj,  që të sigurojë që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të mos paragjykohet nga pikëpamjet e shteteve anëtare individuale lidhur me pranimin në organizatë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Të vetëdijshëm se disa vende do të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës ose do të abstenojnë, Asambleja Parlamentare u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare, pavarësisht se si kanë votuar, të respektojnë vendimin e Komitetit të Ministrave dhe të bashkëpunojnë sinqerisht në zbatimin e atij vendimi për të mundësuar funksionimin normal të institucioneve të Këshillit të Evropës” – deklaroi Medoviç.

Lidhur me këtë, në raportin e sqaruar të raportueses për Kosovën, Dora Bakojanit, theksohet se duke iu referuar rregullave të së drejtës zakonore ndërkombëtare, juristë të shquar në mënyrë implicite kanë konstatuar se Kosova posedon elementet e nevojshme të shtetësisë.

“Me zgjidhjen e çështjes së statusit dhe kufijve, Kosova do të zgjidhte problemet më të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa themelimi i asociacionit do të ishte ende pezull.

Prandaj e gjithë kjo sagë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës hap një sërë pyetjesh për ekspertizën dhe aftësinë e bartësve të autoriteteve më të larta dhe në përgjithësi për strategjinë e Serbisë kur bëhet fjalë për negociatat për normalizimin e marrëdhëniet me Kosovën. Ndoshta ka ardhur koha për të rishqyrtuar dhe rishikuar strategjinë ekzistuese: Më lejoni të blej kohë, të gënjej dhe të mashtroj Evropën” – ka potencuar në editorialin e tij, eksperti për të drejtën e Bashkimit Evropian.

Continue Reading

Kosova

‘Serbët kanë ‘të drejtë’ të vra*sin, sepse ata janë rast i veçantë…’

Publicisti dhe politikani Veton Surroi shkruan se Serbia po gërmon gjithnjë e më thellë në gropën në të cilën ndodhet dhe nga e cila do të jetë gjithnjë e më e vështirë të dalë.

Për të shpjeguar gropën, ai ofron një fjalë të re që nuk është në fjalorin e gjuhës shqipe dhe ajo është “eksepsionalizëm”, e sjellë nga anglishtja dhe e përdorur në shqip ri ‘rast përjashtimor’ apo dhe ‘rast i veçantë’. Ekskluziviteti në këtë rast është shprehje e besimit kolektiv se një grup (kombi serb, shteti serb, institucionet e Serbisë) janë të një natyre të veçantë nga grupet e tjera të natyrës njerëzore dhe rezultat i këtij besimi është shpesh një ndjenjë epërsie.

Sipas tij, “Ekscesionalizmi” serb ka një histori të gjatë zhvillimi, por momenti i shndërrimit në besimin kolektiv të shumicës ishte vala e nacionalizmit të vulosur nga Sllobodan Millosheviçi, i cili deklaroi se populli serb nuk mund të jetë pakicë askund në Jugosllavi.

“Me këtë formulim, i cili u shndërrua në një besim kolektiv që kapërceu edhe dallimet mes qeverisë dhe opozitës në Serbi, u deklarua se serbët që nuk e lejojnë veten të jenë pakicë politike. Edhe kur ata janë pakicë numerike, janë ‘përjashtimorë, ‘të veçantë’ – eshte shprehur Surroi.

Në ish Jugosllavi,  nga pikëpamja e këtij besimi, serbët, si  “të jashtëzakonshëm”, kishin të drejtë të bënin luftë kundër kombeve të tjera dhe të vrisnin, për ta mbrojtur këtë përjashtim. Nga kjo pikëpamje supremacie, besimi në epërsinë e popullit serb ndaj popujve të tjerë, fatmirësisht tregoi se ishte një rrugë e shkurtër por dhe shumë e përgjakshme.

Në rastin e Banjskës, pra sulmit paraushtarak të drejtuar nga Milan Radoiçiç, dilema për Serbinë zyrtare është nëse mund të konsiderohet akt ilegal kur një serb rrëmben armët kundër qeverisë së Kosovës?

Apo, në kontekstin e normave të ligjeve evropiane (përfshirë ato në Serbi), a mund të konsiderohet shkelje e ligjit kur një serb organizon aksione të dhunshme kundër Kosovës (shqiptarëve)?

Kanë kaluar shtatë muaj nga sulmi në Banjskë dhe deri më tani Serbia me veprime ka deklaruar se ligjet zbatohen kundër çdo akti të dhunshëm, përveç nëse bëhet fjalë për akt të dhunshëm nga një shtetas serb, i cili detyron pjesëtarët e kombeve dhe vendeve të tjera të besojnë se ‘rasti përjashtimor’ serb ekziston dhe të tjerët duhet t’i nënshtrohen atij. Këtë e tregoi Serbia që në ditën e parë të sulmit nga njësitet paramilitare, duke shpallur ditë zie për pjesëtarët e rënë të formacionit paraushtarak që sulmoi Kosovën.

“Sot Kosova është një shoqëri që, përkundër të gjitha traumave të saj, po kalon në gjyqin e disa prej liderëve të UÇK-së. Kjo është arsyeja pse ‘rasti përjashtimor’ i të tjerëve – për shembull shqiptarëve dhe kroatëve – nuk përmend gjerësisht dhe thellë sa në rastin e Serbisë. Në Serbi, për fat të keq, ky ende nuk është vetëm një projekt shtetëror, por në një masë të madhe edhe një projekt social” – ka theksuar Veton Surroi.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç e pranon dhe DOREZOHET për Kosovën në KiE

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se shanset që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës janë shumë domethënëse dhe të mëdha dhe se Serbia po bën të pamundurën për ta parandaluar.

Në fjalimin e tij për media, ai ka theksuar se Serbia ka përpara beteja politiko-diplomatike për Kosovën, duke kujtuar se më 16 maj pritet votimi në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në atë organizatë dhe vuri në dukje gjithashtu detyrimin e ri që i është vendosur Serbisë për në rrugën evropiane, në lidhje me kapitullin 35, duke shtuar se kapitulli i ndryshuar është mjaft i pafavorshëm.

Duke folur për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ai theksoi se pa një fushatë gjithëpërfshirëse me të pavërteta dhe interpretimi fleksibël i detyrimeve të Prishtinës dhe në të njëjtën kohë duke zbatuar teori të ndryshme për të ashtuquajturin faj të lidershipit serb, Kosova as nuk do mendohej do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Shanset që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës janë të mëdha, ne po bëjmë maksimumin që ta parandalojmë, sepse respektojmë rregullat evropiane, gjithçka që kemi rënë dakord me Evropën dhe me amerikanët. Detyrimi i parë ishte formimi i Unionit të komunave serbe, pastaj pas disa vizitave të çuditshme në Athinë, ndryshohen marrëveshjet dhe kushtet, nuk përmendet më parandalimi i shpronësimit të pronave serbe dhe ngritja e paligjshme e bazave policore në veri, dhe kryesoreja, askush nuk e përmend më asociacionin” – shpjegoi presidenti serb.

Ai theksoi gjithashtu se është interesant që Iniciativa Evropiane për Stabilitet e udhëhequr nga Gerald Knaus, tani po shërben për të krijuar një perde tymi rreth së vërtetës se çfarë po ndodh dhe pse Prishtina nuk mund të formojë asociacionin.

“Knaus thotë se komunat serbe nuk ekzistojnë. Por ne fakt ato ekzistojnë. Ka edhe në jug të Ibrit sepse nuk ka serb vetëm në veri. Kështu janë ata që e kanë pranuar rezultatin zgjedhor në very me pjesëmarrje prej tre për qind. Sipas tyre ky është kulmi i demokracisë. Më mire të thonë atë që mendojnë, se nuk e lënë Kosovën të formojë asociacionin, se Kosova duhet të shpërblehet, kurse serbët duhet të dënohen” – potencoi Vuçiç.

“Fuqitë e mëdha po luftojnë kundër nesh, ne do të vazhdojmë të luftojmë, pavarësisht se gjërat janë në buzë të greminës, sepse për tu pranuar në KiE duhet një shumicë prej 31 votash pro nga shtetet, dhe për momentin Kosova ka diku mes 29 dhe 33 votash” – deklaroi presidenti serb.

Duke folur për votimin e pritshëm në OKB i rezolutës për Srebrenicën, Vucic u shpreh se Asambleja e Përgjithshme, për herë të parë në historinë e saj, duhet të vendosë për një akt që nuk ka pëlqimin e popullit të vendit për të cilin ka të bëjë rezoluta, ndërkohë që më herët, në një rast homolog, u kërkua pëlqimi i të gjithë kontinentit afrikan për Rezolutën për gjenocidin në Ruandë.

Vuçiç vuri në dukje se ai kishte folur “në mënyrë dypalëshe me 22 presidentë dhe kryeministra në mbarë botën, me gjashtë zyrtarë të OKB-së dhe me përfaqësues të 111 vendeve në OKB” dhe shtoi se ai “vazhdon ta bëjë këtë edhe sot, do të vazhdojë edhe nesër dhe çdo ditë”, sepse siç u shpreh ai, “e dinte shumë mirë se cili ishte qëllimi i atyre që parashtruan rezolutën”

Continue Reading

Kosova

Sinjali OGURZI i kancelarit Scholz, çfarë iu tha Kurtit për antarësimin në KiE

Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike  me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit por edhe nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës” –  thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.

Për bisedën telefonike fillimisht ishte deklaruar Kurti, duke mos e përmendur fare kërkesën e Scholz për çështjen e Asociacionit në raport me Këshillin e Evropës.

Ai, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, shprehu vetëm shpresën se Gjermania do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin të Evropës.

“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në përputhje me rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” – ka treguar Kurti për bisedën me kancelarin gjerman.

Kujtojmë se javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, I cili gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Continue Reading

Kosova

Natasha Kandiç dhe sikleti i dyshes Vuçiç-Dodik për Srebrenicën

Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Dokumenti – ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska, e as Serbinë – ka nxitur reagime të furishme në të dyja këto vende.

Liderët e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Kuvendi i Republikës Srpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Srpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjalukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.

Kundër rezolutës për Srebrenicën eshte angazhuar në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”.

Lidhur me çështjen, Zharko Koraç, profesor në pension i Universitetit të Beogradit, tha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Vuçiç e përjeton si “shuplakë” kundër tij rezolutën për Srebrenicën.

“Pushteti në Serbi është i tronditur, sepse bota po tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën dhe se sjellja e Serbisë është e turpshme. Me retorikën që po bën, Vuçiç mbron veten e tij dhe politikën ku ka bërë pjesë” – deklaroi Koraç.

Refik Hoxhiç, zëdhënës i dikurshëm i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, tha se politika që ndjek Vuçiç sot, por edhe Dodik, është e njëjtë me atë të Millosheviçit dhe të Radovan Karaxhiçit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.

Në Serbi, disa organizata për të drejtat e njeriut i kanë bërë thirrje Qeverisë së tyre dhe Vuciqit që ta mbështesin rezolutën e OKB-së për përkujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, i bëri thirrje asaj që ajo e quajti “elitë intelektuale” që ta mbështesë rezolutën dhe “të mos jetë e painteresuar për të ardhmen e Serbisë”.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING