Connect with us

Shkrime

ZOTI/ Një bisedë imagjinare me Ben Blushin

Nga Kaon Serjani 

(Imagjinova sikur) E gjeta Blushin në një kefene në qendër të qytetit. Mbante celularin në duar dhe dukej i zhytur në mendime. Mbase po shkruante ndonjë nga ato dialogjet e tij interesante dhe provokuese. Po hezitoja t’i flisja që të mos ia prishja meditimin, por nuk rezistova dot.

– Z. Blushi, më fal që po ju shqetësoj!

– “Nuk më shqetëson, por isha duke u ngritur,”-tha Blushi. “Kam një promovim libri pas pak dhe po mendohesha se çfarë dua t’u them të pranishmëve.”

– Nësë me lejoni doja të bëja një ndërhyrje.

– Për bisedën tuaj imagjinare rreth Zotit që kishit postuar para disa ditësh.

– Varet sa interesant dhe sa shkurt premton të jesh.

– Për interesant nuk të premtoj por do të mundohem të flas shkurt.

– A dëshiron të dish diçka për Zotin apo për arsyet e mia se pse nuk besoj se ai ekziston?

– Do doja të më lejosh të marr pjesë si një nga personazhet në diskutimin tënd imagjinar.

– Kjo po më introgon. Ulu! Ke 10 min kohë.

– Para se të fillosh duhet të sqarojmë nëse do flasësh si Besimtar, Klerik apo Shkencëtar.

– Shkencëtar nuk jam. Keshtu më mirë një nga dy të tjerët. Dhe po përfitoj nga rasti të them se në mënyrë indirekte më duket se po komunikoni diçka jo të vërtetë për Shkecëtarin.

– Për çfarë e ke fjalën?

– Në dialogun tuaj lihet të kuptohet se nëse dikush është shkencëtar, ai është domosdoshmërisht mbështetës i evolucionit dhe ateist.

– Nga leximet e mia nuk më rezulton ashtu. Për shembull, po t’i referohemi një sondazhi për shkencëtarët që janë anëtarë të Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës, i kryer nga Pew Research Center në SHBA para disa vitesh, zbulohet se pak më shumë se gjysma e shkencëtarëve (51%) besojnë në një formë hyjnie ose fuqie më të lartë.

– Nëse është kështu, e pranoj vërejtjen. Duhet të më mirëkuptosh se e kam bërë për efekt thjeshtimi.

– Unë ju mirëkuptoj, por lexuesit tuaj mund të mos e bëjnë. Gjithsesi, cilin nga dy personazhet e tjera preferoni më shumë në dialog?

– Mes Klerikut dhe Besimtarit, padyshim që më pëlqen më shumë i dyti. Më duket më i sinqertë. Kurse Kleriku, siç e kam thënë, më duket thjesht një rrogëtar në industrinë e Zotit për të rritur apo mbajtur pushtetin e vet.

– Besoj se ka plot klerikë që janë besimtarë të sinqertë, por nuk besoj se kemi kohë t’i hymë kësaj analize. Në fakt, edhe mua më shkon më shumë Besimtari.

– Atëherë Z. Besimtar, çfarë ju shqetëson në retorikën time?

– Meqë kemi shumë pak minuta, po ndalem vetëm tek pyetja juaj e parë. Ju shprehët shqetësimin se pse Zoti do të krijonte specie që nuk duket se kanë ndonjë dobi në planetin tonë apo në jetën e njeriut.

– E kam shqetësim të vërtetë, jo thjesht për t’u dukur si skeptik.

– E besoj, – iu përgjigja.

– Mesa duket, juve nuk ju shqetëson ajo pyetje përderisa vazhdoni të besoni në Zot.

– Unë besoj në një Krijues sepse më duket konkluzioni më i arsyeshëm për të shpjeguar realitetin.

– Atëherë, a mund të më thoni në mënyrë konçize se çfarë arsyeshmërie gjen ti tek krijimi i gjarpërinjve, hardhucave, breshkave, zhabave, minjve, buburrecëve shumëkëmbëshave, akrepave, deri te krokodilët e dinosaurët e mijëra reptilë që zvarriten në sipërfaqen e tokës prej miliona vitesh në forma, tipare dhe madhësi të ndryshme? Pra, pyetja është pse i janë dashur planetit këto specije? Çfarë ka menduar Zoti kur i ka kjijuar ato, çfarë ndikimi kanë këto specie në habitatin e natyrës dhe çfarë ekuilibri rregullojnë ato?

– Nëse më jep leje, do doja ta bëja më të qartë argumentin tuaj për t’u siguruar që e kuptoj. A mund ta formulojë atë si një silogjizëm?

– Po ta kthenim në silogjizëm argumentin që fshihet pas pyetjes suaj mbase do të ishte pak a shumë kështu (Më korigjo nëse po ju kuptoj gabim!)

Premisa 1: Nëse Zoti do të ekzistonte, Ai nuk do të krijonte specie që nuk janë të dobishme për planetin tonë dhe as për njeriun.

Premisa 2: Specie që nuk janë të dobishme për planetin tonë dhe as për njeriun siç janë gjarërinjtë, hardhucat, minjtë, breshkat, etj. ekzistojnë.

Konkluzioni: Rrjedhimisht, Zoti nuk ekziston.

– Nuk kam çfarë të kundështoj. Ju më kuptokeni mjaftueshëm, diçka që zakonisht nuk e pres nga besimtarët.

– Para se të vazhdoj më tej, duhet të biem dakort që argumenti silogjistik qëndron vetëm nëse të gjitha premisat janë të vërteta.

– Atëherë le të shohim nëse Premisa 1 është e vërtetë. A do të ishte vërtetë një evidencë kundër ekzistencës së Zotit fakti që në botën tonë ka specie që, sipas jush, janë të padobishme për planetin tonë dhe për njeriun? Pra, për ju, Zoti duhet të ekzistojë vetëm nëse do të krijonte një botë që të punojë e gjitha dhe vazhdimisht në favor të njeriut?

– Epo këtë nënkuptojmë me Zotin apo jo? Që ai i bënë gjërat të përsosura.

– Pra, po nënkuptoni diçka rreth karakterit të Zotit. Që ai duhet të krijonte gjithçka mirë dhe për të mirën tonë.

– Po a ka ndonjë kontradiktë logjike nëse Ai do të krijonte në këtë univers edhe specie që nuk do të ishin të dobishme as për planetin dhe as për njeriun?

– Nuk shoh ndonjë kontradiktë logjike nëse nuk do marrim parasysh karakterin e Tij, por në gjithmonë e mendojmë Zotin si një Qenie të mirë.

– Pra, le të biem dakort atëherë që ekzistenca e specieve që nuk kanë ndonjë dobi në planetin tonë nuk do të ishte një argument për mosekzistencën e Zotit, por nëse Ai ekziston kjo mund të ishte diçka që mund të vinte në dyshim dashamirësinë e tij ndaj njerëzve ose karakterin e tij.

– Mendoj se kështu si thoni ju ka kuptim.

– Pra, premisa juaj e parë nuk është e vërtetë.

– Nuk jam i bindur që nuk është e vërtetë, por le të themi që kritika juaj ka kuptim.

– Ok. Tani le të shohim vërtetësin e Premisës 2. Është e vërtetë që ëkzistojnë gjarpërinjtë, minjtë, breshkat, etj, por a është e vërtetë që ato janë të padobishme për planetin tonë dhe për njeriun?

– E çfarë të mire na sjellin sipas jush?

– A kemi kohë për të gjitha scpeicet?

– Nuk na ka mbetur edhe shumë minuta.

– Po ja! Vezhgimet e specialistëve që e studiojnë këtë fushë na thonë se secila prej këtyre specieve është e rëndësishme për të mbajtur në balancë ekosistemin që ai të vazhdojë të jetë i dobishëm për ne njerezit. Le të marrim breshkat e detit si ilustrim. Disa lloje prej tyre ushqehen me sfungjer uji. A e di se po të ketë në dete më tepër sfungjerë se çduhet nuk do të kemi shkëmbinjë të shëndetshëm koral? Dhe ju besoj e dini se shkëmbinjtë koralorë janë të rëndësishëm për disa lloj peshqish të pjellin dhe të rrisin të vegjëlit e tyre përpara se t’i përgatisin ata për të notuar në ujëra të thella. Ja që ekosistemi ujor paska nevojë për breshkat e ujit që të rriten dhe të shumohen disa lloj peshqish. Peshqit janë të dobishëm për ne apo jo? Qoftë për ushqim apo për t’i mbajtur në akuriume për kënaqësinë tonë.

– Nuk e kisha menduar në këtë mënyrë. Dakort për breshkat e ujit, po gjarpërinjtë? Çfarë të mirë kemi nga gjarpërinjtë?

– Kam lexuar se nëse një ditë gjarpërinjtë do të pushonin së ekzistuari do të kishte pasoja ekstreme për ekosistemin.

– Po ja, për shembull, do të ndodhte që brejtësit do të shumoheshin aq shumë sa nuk do të mund të mbaheshin nën kontroll. Dhe ju e dini që brejtësit janë zakonisht rezervuarë për sëmundje të rënda që mund të prekin edhe njerëzit. Në këtë kontekst, gjarpërinjtë që duken aq të panevojshëm në fakt reduktojnë në mënyrë drastike përhapjen e sëmundjeve zoonotike duke ngrënë brejtësit. A kemi kohë të vazhdojmë me minjtë?

– Kohë nuk kam, por jam i bindur që nga minjtë nuk kemi asnjë dobi. Prandaj i mbajmë macet që të hanë minjtë.

– Macet janë të rëndësishme që të mos mbipopullohemi me minj por edhe minjtë kanë rëndësinë e vet. Do të veçoja vetëm një fakt. Ju besoj e dini se si studimi i minjëve në laborator ka dhënë një kontribut revolucionar në mjekësinë kardiovaskulare, rigjenerimin nervor, shërimin e plagëve, diabetin, transplantimin, si dhe në studimet e sjelljes.

– “Më duhet të iki!”-tha Blushi. “Jam bërë vonë për promovimin. Nuk do të ishte dinjitoze t’i lë lexuesit e mi në pritje për muhabete rreth minjëve. Tani m’i bëre çorap edhe mendimet që kisha menduar për fjalimin.”

– A mund të kem privilegjin të bisedojmë njëherë tjetër ndonjë nga pyetjet e tjera që ngrinit tek postimi juaj?

– “Të shohim!”-tha Blushi, duke ia bërë me dorë kamarierit për pagesën.

– “Më lejoni të paguaj unë meqë jeni vonë”, -i thash, “dhe meqë jam unë shkaktari i vonesës suaj.”

– “Në rregull.”-tha Blushi, “por me kusht që do të pranosh dhuratë librin tim të fundit.” Dhe më zgjati librin me titull “41 sekrete”. “Cilën nga pyetjet e tjera dëshiron të bisedosh?”- tha ai.

– Po mendoja “Kush ka krijuar kë? Pra Zoti ka krijuar Njeriun apo Njeriu ka krijuar Zotin?”

-Ajo është pyetja më e rëndësishme. Do mundohem të gjej kohë. Plus që biseda me ju qënka e rrjedhshme. Më ndihmon dhe mua që të mendoj më mirë, por siç duket edhe juve që të besoni më shumë.

– Ashtu është,- i thash.

– Ja që Besimtari paska nevojë per Skeptikun që të behet besimtar më i mirë.

– Pra do të shihemi një ditë tjetër?

– Në dashtë Zoti,- tha Blushi me një nënqeshje në fytyrë dhe u largua.

OPINION

Vula e Partisë apo vula e historisë!

Nga Arian Galdini
Sa luks të madh që ka Shqipëria.
Ka njerëz që ankohen por nuk revoltohen, ka njerëz që protestojnë por nuk besojnë, ka njerëz të zhgënjyer pa i gënjyer askush, ka njerëz antisistem që janë çdo ditë në simbozë me sistemin, etj.
Partitë mburren se kanë dhjetra mijëra anëtarë, por mezi mbledhin disa dhjetra protestues.
Udhëheqësit kanë qindramijëra apo miliona ndjekës por krejt pak të besuar e besues.
Vendi ynë ka qindra parti por pothuajse aspak pluralizëm.
Njerëzit ankohen pse ka këtu në tokën e shqipeve 700 parti apo siç thonë nga 1 parti për çdo banor në një vend të vogël me 3 milion banorë, por nuk u bën përshtypje që Shqipërinë po e sundojnë prej 1944 vetëm 3 Parti.
Shumë njerëz paradoksalisht ankohen për 697 partitë që nuk kanë asgjë në dorë, që nuk mbahen nga Buxheti i Shtetit, nuk marrin asnjë qindarkë nga taksat e shqiptarëve, nuk kanë patur kurrë asnjë pushtet madje as pushtetin e tundësit të derës, por nuk gjejnë asnjë arsye për ta parë të vërtetën në sy se Shqipëria prej 1944 është sunduar nga vetëm 3 Parti, PPSH që u bë PS, PD dhe PL dhe nga 6 njerëz, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama.
Shumë njerëz cinikisht ankohen pse krijohen Parti të Reja, pse ekzistojnë Parti të Vogla apo Alternative, ama nuk kanë asnjë shqisë reagimi ndaj 3 partive që nuk lëvizin nga pushteti e kontrolli absolut i gjithçkaje në këtë vend prej 1944 e deri sot.
Ngado lexon e dëgjon shpoti e tallje, zemëratë e mllef, se përse dikush guxoi të krijonte partinë e radhës, ndërkohë pak kund lexon e dëgjon për problemin e vërtetë që ka Shqipëria, pra faktin se prej 1944 deri në 2024 është sunduar e marrë peng nga vetëm 3 Parti, 6 udhëheqës dhe një Klub Oligarkësh mes tyre.
Kush guxon të krijojë parti, na bezdis, na shqetëson, na lodh, është hajduti i radhës të cilin e dënojmë paradhënie se e paracaktojmë që edhe ai kërkoj copën, llokmën dhe që të vjedhë e bëjë si të tjerët.
Ndërsa këta Udhëheqësit Legjendarë të 3 Partive Historike të cilat janë prej 80 vitesh të vetëm e të pangacmuar të sundojnë pa asnjë konkurencë, mund të bëjnë çtë duan. Këtyre u lejohet gjithçka. Këtyre u justifikohet gjithçka se siç duket qenkan të pikuarit e Zotit a ndoshta e kanë me tapi Shqipërinë.
Kur shkruajta pak më lart se ne kemi njerëz të zhgënjyer pa i gënjyer askush, kisha ndërmend faktin se për mua e sipas meje, tashmë pas 33 vitesh, askush nuk mund të thotë se dikush nga Udhëheqësit e Pagabueshëm arrin të gënjejë ndonjë qytetar.
Nuk ekziston asnjë qytetar në Shqipërinë e 2024 që nuk e ka të qartë kristal se kush janë Sali Berisha, Edi Rama e Ilir Meta.
Nuk janë të gënjyer fare ata që mbështesin në vitin 2024, Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Aspak.
E kanë me zgjedhje.
Kush mbështet sot Sali Berishën, Edi Ramën apo Ilir Metën nuk mund të thotë kurrësesi se nuk e di kush janë këta e se po i mbështet se i beson e gënjehet, që nëse gjërat i dalin ndryshe ngasa i ka menduar, paskëtaj të zhgënjehet.
Jo. Të gjithë ata që sot mbështesin Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën, nuk janë të gënjyer. Janë vendosmërisht dhe me vetëdije të rreshtuar.
A janë shumica e shqiptarëve këta të rreshtuarit?
Nuk di ta them këtë.
Mund të them që janë grupet kompakte më të strukturuara dhe më organizuara.
Ndaj për mua çështja e vulës dhe logos së PD, nuk ka asnjë ngjyrë emocionale apo poetikë lirie, demokracie a opozitarizmi.
Gjykata e Apelit i ka dhënë zgjidhje çështjes së vulës së PD, e njëkohësisht i ka vënë vulën historisë së Shqipërisë së pas 1944.
Ligjërisht, të rreshtuarit pas Sali Berishës kanë konfirmimin e prerë të Gjykatës, se mund të veshin uniformën me Logon e Flamujt e PD dhe të hyjnë në ndeshje edhe njëherë tjetër si çdo herë në 33 vitet e fundit me në krye Liderin e tyre Historik, përballë PS dhe Edi Ramës.
Mendojeni pak edhe njëherë shakanë historike, kur partia liberatore që rrëzoi diktaturën komuniste dhe shtatoren e diktatorit mizor Enver Hoxha, nëse ia sheh dhe analizon historinë del kthjelltazi si një parti që e ndërron Liderin Historik me një Lider Tranzitor vetëm kur ai historiku shkon në Presidencë ose në Lidership Sabatik. PD ka zgjedhur Kryetar me emër tjetër vetëm kur Sali Berisha u zgjodh President Republike dhe kur zgjodhi të bëhej Lider Sabatik nga Kulla e Ulajve.
Më tej, PD dhe Sali Berisha janë bërë i njëjti entitet.
Simbiozë e pandashme dhe fatale.
Realisht mund të themi se PD nuk ka as kuptim e as jetë pa Sali Berishën.
Në këtë pikë Gjykata e Apelit ka marrë vendimin më natyral me ligj e kanun.
Pyetja që më lind e më shqetëson thellësisht është kjo:
A është kjo Shqipëria që duam?
A është Shqipëria që duam vendi ku partia e lindur në 8 nëntor 1944 dhe e transformuar në 11 qershor 1991, ka arritur të ndërtojë cikle lidershipi fuqiplotë nga Enver Hoxha tek Ramiz Alia, e nga Fatos Nano tek Edi Rama ndërsa partia e parë opozitare e lindur në 8 dhjetor 1990 ka vetëm ciklin e plotë të Sali Berishës dhe disa cikle sporadike të abortuara të disa Kryetarëve të cilët edhe vetë nuk e besojnë që u ka rënë llotaria të jenë ca kohë Kryetarë Part Time të Partisë së Sali Berishës???
Atëherë çfarë zgjidhi vula?
Vulosi faktin historik se cikli i PD është përfundimisht cikli i Sali Berishës.
Sfida që ka Shqipëria sot është po e njëjta si në vitin 1990.
A do vazhdojmë me ciklin e partive që nuk ndryshojnë dhe liderëve që nuk lëvizin apo do bëjmë një betejë historike për pluralizëm politik dhe perëndimorizim të vendit tonë?
Zgjedhja dhe zgjidhja u takon shqiptarëve e nuk ka lidhje me vulën.
Nëse shqiptarët përsëri do të vijojnë të zgjedhin në shumicë partinë e Enver Hoxhës dhe Partinë e Sali Berishës, ish Sekretarit të Partisë së Enver Hoxhës, atëherë le të brohorasim të gjithë: Lavdi PPSH.
Continue Reading

OPINION

Nata e “thikave te gjata”/ Vula që shkon te Berisha rikthen në shtëpinë e madhe të penduarit e Bashës

Nga Artan Fuga

Ne fakt partia demokratike ka te drejte kur deklaron se eshte ora e bashkimit te te ikurve ne strehen e shtepise se madhe. Dhe keta vijne gjoja si te penduar, por pa pranuar asgje si peshe faji.
Loja politike do te behet pak para dhe pak pas zgjedhjeve te 2025. Ka edhe pak kohe…
Atehere do te jeté nata e “thikave te gjata”.
Ose doktori do t’i qeroje keta para zgjedhjeve duke mos i kandiduar, ose keta, po dolen deputete do flakin doktorin.
Ata po vijne te PD me gjithe vule!
Ja, kaq e thjeshte!
Bashkejetesen e te kundertave e ka pranuar vetem Herakliti!
As Ilir Vrenozi nuk e pranon!
Continue Reading

Shkrime

Rama dhe Kurti në luftë për liderin shqiptar, konflikt politik dhe personal

“Mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës ka konflikte shumë të thella, të natyrës personale dhe politike. Në thelb është një luftë për supremaci, pra kush do të jetë lideri shqiptar, sepse në korpusin shqiptar këto dy role nuk janë të përcaktuara dhe Rama e Kurti e shohin veten si liderët kryesorë mbarëshqiptarë. Derisa të kristalizohen marrëdhëniet hierarkike mes tyre, ndoshta nuk mund të presim që të ketë takime të ndërsjella” – keshtu tha  politologu Ognjen Gogiç.
Duke komentuar faktin se kryeministri i Shqipërisë ka vizituar Prishtinën të hënën, por nuk është takuar me kryeministrin Kurti, dhe nuk ishte as në ngjarjen që shënoi përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit po atë ditë, sipas Gogiç kjo tregon ndër të tjera se nuk ka dashur të marrë pjesë në “triumfin e Kurtit”, sepse ishte ai qe do dilte “në skenë” teksa në atë tubim, ai dërgoi mesazhe mbarëshqiptare.

“Nëse Rama do ishte atje, do kishte një rol dytësor. Ai e gjykoi se ishte e pamatur politikisht që të merrte pjesë. U takua vetëm me Vjosa Osmanin në Prishtinë, gjë që tregoi se ai bën dallimin në lidershipin e Kosovës dhe se e njeh dallimin që ekziston mes tyre. Rama gjithahstu është takuar edhe me kryebashkiakun e Prishtinës dhe më pas dërgoi mesazhe kritike për qeverinë në Prishtinë. E gjithë kjo kur shikohet së bashku, tregon shkallën e konfliktit mes tij dhe Kurtit dhe që të dy përdorin çdo mundësi për ta nënvizuar këtë hendek mes te dyve” – vlerësoi Gogiç, duke theksuar se dt kryeministrat shqiptarë i ndajnë shumë gjëra, e njëra prej tyre është se Rama do donte të kishte një rol të caktuar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç kishte në kohën kur Hashim Thaçi drejtonte negociatat nga anën e Kosovës.

“Por Kurti nuk e dëshiron këtë. Ai nuk do që Rama të faktorizohet, por se është vetëm Prishtina që i përcakton kushtet e dialogut me Beogradin pa rolin e madh që mund te merrte kryeministri I Shqiperise. Kësaj Rama iu përgjigj në mënyrën e tij, duke tentuar ta margjinalizojë Kurtin duke bërë vetë një draft të statutit të asociacionit, duke folur për çështjen, por edhe për marrëveshjet si ajo franko-gjermane dhe në përgjithësi kritikoi politikën dhe qasjen e Kurtit në dialog. Dhe tani në Prishtinë ai kritikoi qeverinë e Kosovës teksa tha se ajo bën politikë të jashtme krahas funksionit të politikës së brendshme” – deklaroi Gogiç.

Kurti, shtoi ai, nuk është pa përgjegjësi për marrëdhënien siç ekziston, sepse dikur ai drejtoi fushata kundër Ramës në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, në të cilat kishte kandidatët e tij dhe mes tyre kishte edhe mosmarrëveshje përsa i përket Nismës së Ballkanit të Hapur, një nga propozuesit kryesorë të së cilës ishte Rama, ndërsa Kurti ishte kundërshtar i nismës dhe e perceptoi atë si një tradhti qe vinte nga Shqipëria……………

“Në marrëdhëniet e tyre janë kontestuese edhe marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçic, të cilët kanë një lloj partneriteti që Kosova asnjëherë nuk e ka parë me miratim dhe gjithmonë ka pasur frikë se do të margjinalizohet. Gjithashtu Rama kishte Marrëdhëniet shumë të mira me Hashim Thaçin, Rama e mbështeti Thaçin gjatë negociatave me Beogradin dhe para disa kohesh e vizitoi Thaçin në paraburgim në Hagë, gjë që Kurti e konsideroi si sulm ndaj vetes se tij, pasi kundërshtari kryesor politik i Kurtit vazhdon te jete Hashim Thaçi” – potencoi analisti politik.

Ai tha gjithashtu se është interesant fakti që Rama është takuar të hënën me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani pasi siç shprehet ai, të dy nuk kanë pasur marrëdhënie të mira në të kaluarën.

“Marrëdhëniet e Ramës me Thaçin dhe Vuçicin dikur rëndonte edhe marrëdhëniet që kishte me Osmanin. Mirëpo, kohet e fundit ka pasur një çarje në marrëdhëniet mes Osmanit dhe Kurtit, dhe duket se Osmani në njëfarë mënyre po i kundërvihet Kurtit duke i dalë krah Ramës. Kjo në fakt tregon se marrëdhëniet mes liderëve shqiptarë janë shumë më të ndërlikuara dhe më komplekse sesa do të supozonim dhe se ato madje ndryshojnë në disa çështje kyçe të interesit të tyre kombëtar” – theksoi politologu Ognjen Gogiç

 

Continue Reading

Shkrime

Kecat që ulërinin si këlyshë ujqish për të shqyer Bashën, tani do poshtërohen nga ujku Berisha

Nga Artur Zheji

Përfundimisht Sali Berisha dhe grupi i tij më i ngushtë, politik dhe ekonomik, janë vështirësisht të konkurrueshëm. Sepse të fitosh betejat në një terren rrëshqitës dhe armiqësor, duke patur administratën amerikane dhe Brukselin kundra, është padyshim në kufirin e të pamundurës.

Sepse beteja e Doktorit, nuk ishte rikthimi në pushtet, por pushteti i plotë mbi Partinë Demokratike, të cilin ja lëkundi për disa kohë vetëm Lulzim Basha.

Porse ambicia verbuese dhe etja e pasosur për vrarë politikisht Bashën, që nuk kishte pas vetes grupime ekonomike, apo grupime të fortësh të mirë armatosur, punoi mirë e bukur, në interes të Doktorit.

Grupi i brishtë i deputetëve të rinj rreth Bashës, gjykuan krejt para kohe, se Saliu, politikisht morri fund dhe vrapuan te oborri i Doktorit, me shpresë t’i rrëmbenin Partinë Demokratike.

Doktori, një ujk i sprovuar politik, i joshi me dhurata dhe me xhingla vezulluese, përderisa të zgjidhte dy çështje kryesore:

– Rrëzimin politik të Bashës

– Marrjen e vulës, pra aktin përfundimtar noterial të pronësisë ndaj Partisë, godinën madhështore dhe truallin e pafund përreth…

Tani Doktori, ka lluksin e trashëgimisë së pronës së vet, tapinë e së cilës, të gjithë ambiciozët me brirë, i dhanë një dorë që ay, ta fitonte, ta fitonte me çdo kusht, edhe duke gënjyer ujqit e rinj, si të ishin ca keca me këmborë.

Një bravo të madhe për Doktorin, që korri një fitore të fundit, të denjë për manual studimi, në shkencat politike shqiptare.

Kardiologu, u rrëfye mbi të gjitha një psikolog i përkryer! Dhe me fyellin e një Fakiri persian, luajti fort bukur me gjarpërinjtë dhe gjarpërueshet e reja.

Fillimisht i magjepsi që të kafshonin me dhëmbkat e helmuara Lulzim Bashën e njomë, e më pas i joshi të lodronin si “liderët” e të ardhmes, duke i futur përmes tingujve të të njëjtit fyell magjik, në thesin e tij, thurur me fije kërpi dhe premtimesh që mrekulluan kecat apo gjarpërushët pa kërbisht!

Tani Sali Berisha, është rikthyer përfundimisht!

Është në pushtet të plotë të lojës politike dhe komunikon me kode vetëm me Edi Ramën!

Gjykoj se vetëm Argita dhe Shkëlzeni mund të trashëgojë natyrshëm këtë Parti, të tjerat janë fjalë dhe tinguj plot fantazi të Flautit magjik, që ja mbërriti deri këtu!

Se çdo bëjnë kecat që ju fal ca kohë e drejta të ulurinj si këlyshë ujqish, është çështje garniture dhe sallaturinash… rizgjimi i tyre do të jetë një dramë e vockël dhe e parëndësishme.

Game over!

Sali Berisha në poltronën e PD ndërsa Edi Rama, në poltronën e kryeministrit, edhe për një mandat të katërt!

Kjo është marrëveshja, që të gjithë do ta mohojnë dhe do të përbetohen, se nuk ka ndodhur kurrë!

Dhe madje, shumë kush do ti besojë këto përbetime, për të “mirën” e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Spak, nëse do të vazhdosh të jesh SPAK-u! Është rasti ta kesh mirë mendjen, tash e tutje!

Kaq për sot…

Continue Reading

Shkrime

Asgjë e re nga Fronti i Lindjes në “Botën serbe”

Nga Enver Bytyçi

Të dielën u zhvillua parada e asaj që quhet “Bota serbe”! Ceremonia e kësaj parade u zhvillua në Beograd dhe morën pjesë deputetët dhe zyrtarë të lartë të Serbisë, Republikës Srpska, si dhe ata të Listës Srpska të Kosovës. U përfaqësuan në këtë asamble paradë edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse të Serbisë, si dhe anëtarët e akademive të Shkencave të Beogradit dhe Banja Lukës. U konstitua një organ jo legjitim, por që paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. U miratua dhe një dokument, të cilin parlamenti i Republikës Srbska do ta miratohet në korrik, d.m.th në kohën kur nga këta serbë u krye para 25 vitesh Masakra e Srebrenicës.

Manifestimi i 8 qershorit ishte një lloj demonstrimi force kundër Perëndimit, kundër popujve dhe shteteve të tjera të rajonit e sidomos kundër Kosovës, shqiptarëve, si dhe kundër boshnjakëve dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ai i ngjante mitingut të madh të Milosheviçit në Fushë-Kosovë më 28 qershor 1989. I ngjan memorandumeve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë për asgjësimin e elementit shqiptar në Ballkan e sidomos në trevat e ish-Jugosllavisë. Por ka një qasje edhe si ato të memorandumeve të Sinodit të Kishës Ortodokse të Serbisë.

Aty u bënë bashkë të gjitha elitat serbe në Ballkan me qëllim që të mobilizohen për mbrojtjen e asaj që Aleksandër Vulin e quan “Bota serbe”!

sigurt është se të gjithë politikanët serbë në Serbi, në Republikën Srpska dhe në Kosovë duan të strehohen nën çatinë e nacionalizmit ultrashovinist. Milorad Dodik, Aleksandër Vulin, kryeministri i ri i Serbisë, ministri Ivica Daçiq e disa të tjerë janë më entuziastë për këtë, sepse i besojnë Botës ruse të Vladimir Putin dhe Aleksandër Dugin në Moskë.  Dodik sapo u kthye nga Petersburgu, ku takoi presidentin Putin. Nuk ishte rastësi vizita e tij dhe takimi me Putin pas përpjekjeve të fundit për shpalljen e Republikës së Pavarur Srpska dhe në prag të këtij takimi të madh nacionalist të së shtunës në Beograd.

Të gjithë këta ishin shumë optimistë për atë që po ndodhte dhe janë gati që të ndezin sërishmi një konflikt tjetër në Ballkan në emër të Serbisë së Madhe.

Por, presidenti Vuçiq ishte i dyzuar. Ndërsa fliste për Botën serbe, thoshte se respekton DAYTO-n dhe vendimet e tij për krijimin dhe funksionimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinë. Foli për unitet, për kohët e vështira që e presin Serbinë, por u angazhua për “paqe”! Pra, vetëm Vuçiq shfaqi dualitetin e vet, me të cilin ka operuar gjatë një dekade. Dhe me këto dy fytyra e kanë besuar perëndimorët. Mendon se do ta besojnë sërishmi. A do t’ia dalë? Nuk besoj! Sepse janë bashkëpunëtorët e tij në qeverisje po e dekonspirojnë atë vazhdimisht. Sepse është Kisha Ortodokse dhe Akademia serbe që vendosin për rrugën që do ndiqet. Ai pushtetin e tij e mbron me nacionalizmin e këtyre aktorëve në Serbi.

Dhe në thelb është i detyruar të veprojë sipas programeve kishtare dhe akademike të përkrahura nga shumica dërmuese e politikanëve serbë, pra për “Botën serbe” edhe me mjete ushtarake. Për pasojë nuk ka ndodhur të shtunën diçka e paparashikuar! Gjithçka që u bë pardje në Beograd, është skenar i praktikuar nga Serbia për më shumë se një shekull! Asgjë e re nga Fronti i Lindjes së “Botës serbe”!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING