Shkrime
6 Dhjetori, mrekullia e Ramës dhe fati i Berishës
Nga Ben Andoni
Prej ditës që u bë e njohur data 6 Dhjetor, si kohë-mbledhja e Samitit evropian në Tiranë, llambat e Berishës u ndezën njëherësh. Duke qenë se improvizon në çdo moment, madje edhe brenda një proteste (siç ndodhi me atë të fillim-janarit të këtij viti), kur gati i vuri flakën selisë së PD-së, kjo datë ishte një bekim nga qielli. Paçka deklaratave të mekura të maxhorancës, u kuptua se Berisha nuk do ndalej dhe i kishte ardhur asi i duhur në dorë. Falë dhe ligjit tonë, që tashmë mjafton lajmërimi por është e padobi leja, Berisha ka gjetur elementë inkurajues në marketingun e tij politik. Shtuar me prononcimin e autoriteteve evropiane për sensin e protestës, do rezultonte thjesht e bukur dhe një konfirmim më shumë se kjo zgjedhje e Berishës ishte e duhura. Në fakt, deri më tani është përballur me mëdyshësinë e PL-së për pjesëmarrje, që shikon në çdo moment si të përfitojë në kurriz të PD-së (një gjë të cilën e bëri rëndom LSI-ja pararendëse në kurriz të dy partive kryesore). Sa për aleatët e Berishës, ata, nuk mund të përmendën në këtë rast, pasi pragmatizmi i tyre në fakt është thjesht mënyra sesi mund të përfitojnë kurdoherë në nivel kryetarësh, pasi partitë e tyre janë pothuaj inekzistente. Në këtë vorbull Berisha, si mjeshtër i marketingut politik të kaosit e përfitoi një datë dhe ashtu si ndodh me shqiptarët, që nuk i mobilizon dot për problemet jetike por i trand po i kërkoi partia, e ka arritur fitoren. U gjeti një datë të re militantëve, që prisnin prej ditësh për ndonjë plan protestash, por që nuk dukej në horizont. Këtë e shikon në lumturinë sesi militantët janë gati për çdo që lajmëron Berisha, por aspak gati të ndihmojnë në bashkimin e partisë së tyre, që ka formën më të shëmtuar pas krijimit: Ndarë në dy pjesë dhe në dyert e gjykatave të niveleve të ndryshme.
Por nga oborri i gjykatave vjen tashmë dhe tragjedia politike shqiptare. Duke e lënë pa përgjigje fatin e grupit që përfaqëson Berisha; duke qenë e ftohtë para fatit të PD-së dhe mbi të gjitha e kuar nga mirëbërësia e PS-së, që e mban Berishën krejt të qetë, Drejtësia duket se po e ndëshkon sipas mënyrës së saj politikën në fuqi. Ndaj, ndodh, që sot, më shumë frikë kanë zyrtarët e PS-së të niveleve të ndryshme sesa Berisha dhe njerëzit afër tij, që tregohen me gisht si të akuzuar nga zyrtarët amerikanë dhe britanikë.
Rama, vetë, duket se është njeriu më i kënaqur me këtë statusquo, pasi më 6 Dhjetor, do të tregojë një Shqipëri demokratike, ku opozita mund të demonstroj dhe të bëj për herë të parë një samit të tillë, siç është ky i pari në Tiranë. Por edhe se gjatë drejtimit të Ramës u arrit një aktivitet i tillë, që zor se do të përsëritet për shumë kohë në vend. E mbi të gjitha, do organizohet nga vetë ai, Rama.
1- Sepse ka kaluar afati 10 vjeçar i parashkrimit penal. Kodi Proçedural Penal nuk lejon proçedimin e një subjekti që ka kryer veprën penale korrupsion aktiv apo pasiv dhe shpërdorim detyre 10 vjet më parë.
2- Sepse Partia Socialiste e dorëzoi qëllimisht denoncimin në Prokurori pas 9 vjetësh që erdhi në pushtet. DMTH në kufijtë e afateve penale, për ta penguar drejtësinë.
3- Edhe po u ndryshua ligji, s’ka efekt prapaveprues. Ligji i ri s’mund të ketë efekt për vepra penale të kryera 10 vjet më parë(citim nga Spahiu).
Këtyre u shtohet edhe një kusht i katërt dashuria dhe veneracioni i përgjithshëm për Berishën, që e sheh nga media, politika e maxhorancës që bën sikur e kundërshton dhe mbi të gjitha adhurimi i Drejtësisë, që e shikon me gati apoteozë Berishës, që ky i fundit, sipas shpjegimit të lartcituar nuk ka pse të shqetësohet me zërat e mekur dhe në radhë të pozitës.
Ndaj 6 Dhjetori është i Ramës dhe po aq i Berishës sepse edhe Shqipëria është thjesht zgjatim i interesave dhe verdikteve të tyre. Kur t’u teket dhe si të duan… (Javanews)
OPINION
Fitorja shqiptare në Maqedoninë e Veriut
Nga Arber Cejku
Shkrime
Besëprerët e Perëndimit dhe Kosova e tradhtuar
“Kjo sjellje e Gjermanisë në mënyrë të çuditshme dhe e Francës në mënyrë të natyrshme, na bën me dije se shqiptarët duhet të luftojnë sërishmi për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e tyre.
Keni vënë re që e keqja njerëzve u vjen prej të njohurve dhe jo prej të panjohurve. Ai që të njeh i di dobësitë tua dhe peshon interesat e veta para sesa të të bëjë keq. Kjo po i ndodh edhe Kosovës me refuzimin për ta vënë në rend dite pranimin në Këshillin e Evropës. Pra, Kosova nuk është në axhendën e datës 17 maj. Kjo, sepse Fuqitë e Mëdha nuk pranuan të kalojë vendimi i Asamblesë Parlamentare të këtij Këshilli për shkak se kryeministri i Kosovës refuzoi krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në fakt nuk pranoi që pakoja e marrëveshjes së Brukselit të copëzohet në interes të palës serbe dhe që kalendari i Aneksit të Ohrit të ndryshojë. Pra, sepse Albin Kurti i përmbahet Marrëveshjes së shkurtit dhe aneksit të marsit 2023” – kështu ka shkruar në një opinion, professor doctor Enver Bytyçi, sipas të cilit, nga e gjithë kjo histori qytetari ka të drejtë të dijë disa të vërteta.
“E vërteta më e madhe ka të bëjë me faktin se disa Fuqi Perëndimore nuk e mbajnë fjalën. Në krye të tyre janë Franca dhe SHBA-të. Ndërsa Gjermania është shndërruar në vagon të lokomotivës franceze. Italia e Melonit të refugjatëve që i sjell në tokën arbërore jo e jo! Ajo dëshiron benefite politike nga kjo tokë, por nga ana tjetër e dhunon atë edhe politikisht dhe në integritetin e saj” – ka shkruar Bytyçi, duke shtuar se kjo e vërtetë ishte e pranishme prej kohësh.
“Kur Fuqitë e Mëdha heqin dorë nga fjala që japin, atëherë besimi shkërmoqet dhe po u shkërmoq besimi, nuk ka më as marrëdhënie miqësie. Kjo do të ndodh edhe me Kosovën. Mund të vijë dita e të mos bëjë punë më miti i çlirimit të saj nga miqtë amerikanë e evropiane.
Sepse nëse ajo u çlirua për t’u rikthyer nën Serbinë ose për ta shpërblyer atë me territore të Kosovës, atëherë ky lloj “çlirimi” shndërrohet në skllavëri” – ka theksuar Bytyçi duke potencuar:- Për ta ndëshkuar Kosovën vendet që e kanë njohur atë nuk i përmbahen marrëveshjes që vetë e sponsorizuan. Kur u nënshkrua marrëveshja e Brukselit në shkurt 2023, u tha se ajo ishte e sponsorizuar nga Franca dhe Gjermania. Kurti e pranoi menjëherë. Kërkoi nënshkrimin e saj. Ka pranuar edhe ngritjen e Asociacionit, por në procesin e zbatimit të plotë të asaj marrëveshjeje. Tani Franca dhe Gjermania bëjnë të kundërtën. Edhe pse Aleksandër Vuçic nuk e nënshkroi atë. Edhe pse kryeministrja e Serbisë shkroi letër për BE-në dhe e hodhi poshtë atë marrëveshje, Serbia vazhdon të përkëdhelet……………………..
Bytyçi shkruan gjithashtu se “Për hatër të presidentit serb Kosova nuk do të jetë në rend dite në Komitetin e Ministrave të KiE-së. Se mos zemrohet ai, Kosova duhet të paguajë çmimin e të qenit jashtë kësaj organizate. Kjo sjellje e Gjermanisë në mënyrë të çuditshme dhe e Francës në mënyrë të natyrshme, na bën me dije se shqiptarët duhet të luftojnë sërishmi për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e tyre.
Serbia kërcënon Perëndimin me luftë në Ballkan. Pse shqiptarët të mos bëjnë të njëjtën gjë, derisa kjo po funksionon me Serbinë?! E di se shumë shqiptarë do thonë “nuk e duam luftën”! Por ka shumë më tepër serbë, sesa shqiptarë, të cilët nuk e duan luftën. E megjithatë kreu i shtetit të Serbisë kërcënon me luftë. Dhe ai nuk do të heq dorë asnjëherë nga ky kërcënim, derisa shteti i Kosovës të mos marrë më frymë. Çfarë duhet të bëjmë? Të shkojmë si delja e plagosur pas ujkut Serbi?! Jo! Duhet të bëhemi bashkë! Të qërojmë hesapet me tradhtarët brenda nesh dhe të fillojmë e kërcënojmë edhe ne me luftë. Jo për të pushtuar ndonjë territor të huaj. Për të mbrojtur territorin e shtetit të Kosovës! Nuk shoh mundësi tjetër që ata që e kanë njohur Kosovën juridikisht ta njohin atë edhe praktikisht”
Shkrime
Mitingu i Athinës, Fshesës i është vënë fshesa
Nga Skënder Minxhozi
Afrimi i të dielës, kur Edi Rama do të mbajë një miting në Athinë me emigrantët tanë atje, ka hedhur benzinë të re mbi zjarrin diplomatik që digjet prej një viti mes Shqipërisë e Greqisë. Ndërkohë që përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe ambasadës tonë në Athinë vijojnë të kërkojnë një sallë apo stadium për mbajtjen e takimit të Ramës me bashkëkombasit e vet, kreu i opozitës greke ka qenë politikani i lartë grek i radhës që ka ardhur në Dropull pa u ndaluar apo provokuar nga askush. Ka vizituar bashkinë e Dropullit, shkollat ku mësohet greqisht dhe ka vënë lule në memorialin e Bularatit. Asnjë problem, asnjë presion, asnjë bllokim nga qeveria qëndrore në Tiranë.
Nëse Shqipëria është mësuar që t’i përjetojë me qetësi dhe vetëpërmbajtje këto inkursione të përsëritura diplomatike të fqinjëve grekë në tokën e saj (dhe shumë mirë që është kështu), ngjan krejt e kundërta me palën tjetër. Tendosja që ka shkaktuar vizita e Ramës në politikën dhe mediat greke, përmbledh njëherësh mllef dhe habi. Nuk ka qenë zakon që fqinji i varfër verior të tregojë kaq guxim dhe sfidë në rrafshin diplomatik. Në Athinë janë mësuar që paradat e politikanve e gazetarëve të ndodhnin vetëm në sens të kundërt. Janë mësuar fjala vjen që Himara të kthehet në një sfilatë parlamentarësh e reporterësh grekë në kohë zgjedhjesh këtu tek ne, por s’ishte parë që një kryeministër shqiptar të ngulë këmbë që të takojë shqiptarët në Greqi (dhjetra mijëra prej të cilëve me të drejtë vote në zgjedhjet greke), në mesin e fushatës zgjedhore atje.
Nuk dihet nëse qeverinë greke e acaron më shumë spostimi eventual i votave që mund të bëjë Rama me takimin e tij, apo kokëfortësia e kryeministrit shqiptar, i cili pasi “na la burg Belerin, vjen të na bëjë karshillëk në mes të Athinës”?!
Prej dekadash Greqia ka përdorur një linjë politike të qartë ndaj Shqipërisë, e cila ka qenë thelbësisht e shbalancuar dhe e anuar drejt interesave greke. Qeveritë greke kanë reklamuar dhe kanë marrë gradualisht të gjitha të drejtat për të cilat jua mbyllnin gojën rregullisht qeverive shqiptare. Shkolla në gjuhën greke për minoritetin, memoriale të Luftës së Dytë Botërore, mbajtje në këmbë në mënyrë paradoksale të Ligjit të Luftës, marrëveshje antikushtetuese për kufirin detar dhe mbi të gjitha kyçje totale e gojës për çdo gjë që ka lidhje me dosjen çame. Kjo ka qenë në 30 vitet e fundit marrëdhënia shqiptaro-greke ku njëra palë ka arritur gjithçka e pala tjetër thuajse asgjë.
Nisma e Edi Ramës për një sfidë të hapur në Athinë ka përmasat e një ngjarjeje të paprecedent, por është edhe prova materiale e nje ere të re në rolin dhe peshën e Shqipërisë në rajon. Mesazhi është sa i thjeshtë, aq edhe unikal: keni bërë ç’keni dashur në kohë fushatash në Jug të Shqipërisë, pse të mos e bëjmë edhe ne një herë të vetme këtë në kohë fushate në vendin tuaj?! Për më tepër që Rama po shkon të takojë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi si emigrantë ekonomikë, e jo të kërkojë ndonjë të drejtë pronësore, fetare, apo gjuhësore ndaj shtetit grek.
Pala greke ndodhet në një situatë mjaft delikate në raport me mitingun e dymbëdhjetë majit në Athinë pasi nëse Rama e mban këtë takim me shqiptarët atëherë ai do të ketë triumfuar dhe këtë herë në raport me krahun e forcës që tentoi ndaj tij Micotakis në vitin e fundit.
Në anën tjetër, nëqoftëse Rama pengohet të shkojë në Greqi ai do të jetë kryeministri i një vendi anëtar të Natos dhe i një vendi fqinj, të cilit do t’i mohohet ajo që qeveritë greke kanë bërë me dekada rresht në Shqipëri. Me analogji do t’i binte që këtej e tutje edhe për politikanët grekë të bëhej e vështirë të zbarkonin në Himarë e Dropull sa herë ta mendonin e dëshëronin.
Vizita e Ramës së “paftuar” prish punë në të dyja rastet, edhe nëse ndodh edhe nëse nuk ndodh, pasi efektet për Athinën zyrtare do të jenë njëlloj të komplikuara. Për këto arsye mesazhet dhe lajmet që vijnë këto orë nga Athina për mitingun janë kontradiktore aq sa një herë thuhet se u gjet ambjenti i takimit dhe pas pak orësh pronari i sallës apo stadiumit papritmas thotë se po i pikon çatia.
Greqia është e pamësuar që të ndjekë Tiranën zyrtare në lëvizjet e saj në marrëdhniet dypalëshe. Është mësuar vetëm të udhëheqë vallen dhe ritmin që ka dashur, duke ja imponuar atë shtetit shqiptar. E ka gjetur veten të papërgatitur për shpërthimin e Ramës ndaj Belerit në zgjedhjet e vitit të shkuar, nuk e ka pritur që qeveria shqiptare të rezistojë kaq fort ndaj trysnisë për ta liruar atë nga burgu dhe akoma më pak ka pritur që Shqipëria t’ja arrijë që të kthejë edhe Evropën e Bashkuar, më së pari Gjermaninë, kundër kryeministrit Micotakis në këtë çeshtje.
Athina ka bërë këto tridhjetë vite siç ka dashur në raport me elitën politike shqiptare. Ka arritur, me kërcënimet e saj të përsëritura, që të ketë një influencë të qartë mbi vendimmarrjet e caktuara të Tiranës, ka ngritur zërin edhe kur e kishte gabim në lidhje me pakicën greke në vendin tonë, është përpjekur të shtrijë forcërisht zonën e minoritetit grek deri në këmbët e Karaburunit dhe gjithçka e ka bërë duke lidhur presionin e saj me fatin e emigrantëve tanë ekonomikë në Greqi dhe me perspektivën e integrimit evropian.
Këto karta presioni kanë rënë sepse jetojmë në një kohë tjetër. Mesa duket i takon Micotakisit të provojë në kurrizin e tij këtë kthesë historike, e cila sot i vjen nga një shtet i vogël e i varfër, por që ka një tjetër rol dhe dimension në rajon e Evropë nga ai i dikurshmi. Fshesës i është vënë fshesa!
OPINION
Rrethimi i tretë i shqiptarëve!
Shkrime
Shkopi dhe karota, emisari Escobar i kursyer në vendime
Pas lajmit se Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, po largohet për një detyrë tjetër, shumë u habitën nga lajmi se Gabriel Escobar , i cili, ashtu si Lajçak, nuk do të shihet më në Beograd dhe Prishtinë në rolin e të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, pasi sipas DASH, po shkon në një tjetër mision.
Deri më tani nuk dihet nëse dhe kush së bashku me pasardhësin e Lajçakut, Borut Pahor, në periudhën e ardhshme do të tentojnë që në emër të Amerikës të normalizojnë marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, por gjithsesi rezultatet e Escobar-it mund të analizohen.
Milica Andriç Rakiç, drejtore e programit të Iniciativës së Re Sociale nga Mitrovica Veriore, kujton se në fushatën parazgjedhore, administrata e Biden premtoi se do të mbështeste rolin kryesor të BE-së si ndërmjetëse në dialog, dhe ata vazhdimisht i qëndruan asaj.
“Fokusi më i madh i ‘gjeneralit’ amerikan në dialog ishte pozita e komunitetit serb në Kosovë përmes formimit të asociacionit, por nuk pati rezultate të prekshme, gjë që zyrtarët e Departamentit të Shtetit e pranuan hapur. SHBA-të kanë humbur një partner në Kosovë me qeverinë e Albin Kurtit dhe kjo ndikon ndjeshëm në aftësinë për të zbatuar vizionin e tyre për një Kosovë evropiane. Escobar ka qenë prej kohësh fytyra e strategjisë dhe kontributit të SHBA-së në dialog, por, ashtu si ndërmjetësi kryesor Lajçak, ishte i kufizuar në marrjen e vendimeve, si për karotat, ashtu edhe për shkopinjtë” – e përshkruajti ajo për median serbe ‘Danas’.
Sipas saj, si rezultat, dialogu në vend që të ishte një mjet për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u shndërrua në një aparat zjarrfikës dhe tani dalëngadalë po bëhet burim i zjarreve dhe krizave të reja.
“Në mënyrë që roli i SHBA-së, pra i dërguari i saj, të ishte më efektiv, duhet të kishte vullnet që SHBA-të të përfshiheshin më shumë në dialog, në vend që të uleshin në dhomën tjetër teksa negociatat vazhdonin, por SHBA-të, nga respekti për partnerët e saj evropianë dhe BE-në, nuk e bënë këtë, të paktën administrata e Biden. Kjo është arsyeja pse emërimi i mundshëm i pasardhësit të Escobar do të varet ndoshta nga vlerësimi i Departamentit të Shtetit nëse në hierarkinë ekzistuese dhe kompetencat e të dërguarit ai ose ajo mund të kontribuojë në dialog më shumë se disa nga pozicionet e përhershme në Byronë për Evropën dhe Euroazinë” – vlerësoi Andriç Rakiç.
Dhe studiuesi i Rrugës së Tretë të Re, Dragoslav Rašeta, theksoi se për momentin nuk ka as informacione të besueshme dhe as thashetheme se kush mund të jetë i dërguari i ri special për Ballkanin Perëndimor, në radhë të parë për shkak se administrata Biden, për shkak të balancës së pushtetit ndërmjet Demokratëve dhe republikanëve në Senat dhe në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, kanë pasur shumë probleme me vendosjen e diplomatëve gjatë tre viteve të mëparshme.
Ai i tha Danasit se ndoshta do të duhet pak kohë derisa të gjendet një kandidat që do t’i përshtatet të dyja palëve.
Sipas mendimit të tij, që nga emërimi i Escobarit, është bërë përparim i dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, edhe pse nuk ka pasur përparim në muajt e fundit. Kjo është arsyeja pse ai beson se performanca e Escobar shihet me sy të mirë në Uashington, edhe pse ai nuk arriti t’i shtyjë të dyja palët në vijën e finishit.
Milija Biševac, një nga themeluesit e Lëvizjes Popullore Serbe në Kosovë, theksoi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës aktualisht është në nivelin më të ulët. Sipas tij, tensioni në marrëdhënie ka nisur dy vite më parë, menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe ardhjes në pushtet të Albin Kurtit në Prishtinë.
“Edhe pse në opinion ka teori të ndryshme që kanë të bëjnë me shkarkimin e tij dhe madje disa skandale që kanë të bëjnë me korrupsionin, fatkeqësisht gjatë përfshirjes së tij në dialog nuk kemi parë shumë rezultate sepse politika e ushtruesit të detyrës së kryeministrit në Prishtinë është ekstreme dhe e mbyllur ndaj ndikimeve të jashtme, madje edhe ndaj SHBA-së. Sigurisht, zgjedhja e një të dërguari të ri mund të ndryshojë shumë gjëra në vetë dialogun, por edhe në marrëdhëniet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilat janë mjaft të acaruara” – deklaroi Bishevac.
-
Pinknews7 hours ago
E frikshme/ Kristi Aliaj pikturon Kiara Titon shtatzënë, pamjet shokojnë rrjetin
-
Aktualitet5 hours ago
Policia i gjeti në spital pas sherrit me farmacisten/ Çfarë pa shoqja e dy viktimave në dhomë
-
Pinknews3 hours ago
‘O të hënkshin qentë’/ Nuk ka paqe mes Julit dhe Eglës: Larg qoftë të kesh një grua si ti
-
Pinknews1 hour ago
‘6 ditë në koma, të gjithë doktorët….’/ Mes dhimbjes, Fation Kuqari flet për humbjen e të atit
-
Kosova9 hours ago
Caktohen tre lojtarët që kanë fatin e Kosovës në dorë
-
Kronike7 hours ago
E rëndë në Tiranë/ Gjenden të vdekura dy ukrainase, dyshimet e para
-
Shkrime9 hours ago
Besëprerët e Perëndimit dhe Kosova e tradhtuar
-
Horoskopi16 hours ago
Nese nuk fiksoheni shume pas defekteve dhe te metave te partnerit tuaj, kjo dite do jete shume e kendshme per t’u jetuar