Connect with us

Politike

Dosja Balluku, Braho: Çdo vendim do të varet nga provat e reja

Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se hetimet ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku vijojnë dhe se, për shkak të fazës hetimore, nuk mund të bëhen publike detaje të tjera mbi çështjen.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, Braho bëri të ditur se dosja po hetohet nga një grup i përbërë nga nëntë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe dy prokurorë, duke e cilësuar atë si një çështje prioritare për institucionin.

Ai theksoi se hetimet po vazhdojnë sipas afateve procedurale dhe se çdo vendimmarrje e ardhshme do të varet nga provat dhe zhvillimet e reja që mund të dalin gjatë procesit.

“Kjo është një çështje nën hetim dhe nuk mund t’ju jap detaje. Është një çështje prioritare, një grup prej nëntë oficerësh dhe dy prokurorësh po merren me hetimet, për shkak të cilësisë së subjektit dhe volumit të punës. Edhe hetimet kanë afatet e veta. Për vijimin e hetimeve nuk mund të them më tepër. Sigurisht, do të vijë një moment që, kur të përfundojnë hetimet, do të kemi komunikim.

SPAK-u është i qartë se çfarë qëndrimi ka mbajtur, është publike çfarë dhe pse e kërkoi. Kuvendi mori një vendim dhe ne mund të mos jemi dakord, por vendimet janë detyruese. Hetimet kanë vazhduar, kanë ecur dhe më tej. Unë nuk mund të them nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re, është vendim i grupit të punës. Vendimi kushtëzohet nga hetimet dhe nga vendimi i Kuvendit dhe, nëse do të ketë apo jo një kërkesë të re, do të jenë rrethanat e reja që tejkalojnë vendimin e Kuvendit, i cili ka dhënë një vendim”, u shpreh Braho.

Advertisement