Kosova
Asociacioni në Kosovë, jo shtet brenda shtetit
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet e Kushtetutën.
Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.
“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji” – Tha Escobar
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe dhe ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2013 Marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të dialgout të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet e themelimit të Asociacionit.
Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik, dhe tha se ato mund të harmonizohen me ake nënligjore të Qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshton një asociacion një etnik, ndërkaq Serbia insiston në krijimin e tij.