Lifestyle
FOTO/ Brenda muzeut më sekret të CIA-s
Është ndoshta muzeu më i pazakontë, por edhe më ekskluziv në botë, i mbushur me artefakte që kanë formësuar historinë. Por dyert e saj janë të mbyllura fort për publikun.
Është i vetmi vend që një vizitor mund të shohë armën e gjetur me Osama bin Laden kur u vra, ngjitur me xhaketën e lëkurës së Sadam Huseinit.
Mirë se vini në muzeun sekret të brendshëm të CIA-s.
I vendosur brenda selisë së agjencisë së inteligjencës amerikane në Langley, Virxhinia, koleksioni sapo është rinovuar për të shënuar 75 vjetorin e agjencisë.
Një grupi të vogël gazetarësh, përfshirë BBC-në, iu dha akses ekskluziv, megjithëse me një eskortë sigurie që i shoqëronte në çdo hap.
Në mesin e 600 objekteve të ekspozuara janë dhe pajisje “spiune” të luftës së ftohtë, mes të cilave, një ‘mi i vdekur’ në të cilin mund të fshihen mesazhet, një kamerë e fshehtë brenda një pakete cigareje, një pëllumb me kamerën e tij spiune dhe madje edhe një gotë martini shpërthyese.
Por ka edhe detaje mbi disa nga operacionet më të famshme dhe madje të fundit të CIA-s.
Në ekspozitë është një model i kompleksit në të cilin u zbulua Osama bin Laden në Pakistan.
Presidentit Obama iu tregua ky model përpara se të miratonte operacionin që vrau liderin e Al-Kaedës në 2011.
“Të jesh në gjendje të shohësh gjërat në 3D në fakt i ndihmoi politikëbërësit…si dhe ndihmoi operatorët tanë të planifikonin misionin,” shpjegon Robert Z Byer, drejtori i muzeut.
Më 30 korrik të këtij viti, një raketë amerikane goditi një tjetër kompleks, këtë herë në kryeqytetin afgan Kabul. Objektivi ishte udhëheqësi i ri i al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri.
Dhe ekspozita më e fundit, e sapodeklasifikuar, ka dhe një model të kompleksit të përdorur për të informuar Presidentin Biden më 1 korrik 2022 mbi misionin e propozuar.
Zawahiri u godit ndërsa ishte në ballkon pasi komuniteti i inteligjencës amerikane kaloi muaj të tërë duke studiuar lëvizjet e tij.
“Kjo flet për mënyrën se si oficerët e anti-terrorizmit i shikojnë modelin e jetës së objektivit,” shpjegon z. Byer.
Në gjysmën e parë të muzeut ndodhen në rend kronologjik sendet që nga themelimi i CIA-s në 1947 deri në Luftën e Ftohtë, me sulmet e 11 shtatorit 2001, objekte të ekspozuara të dhuruara nga disa prej atyre të cilëve të afërmit u vdiqën gjatë sulmeve.
Audienca e muzeut është vetë stafi i CIA-s si dhe vizitorët zyrtarë. Por ajo nuk fokusohet vetëm te sukseset.
Ekziston dhe një seksion që tregon për Gjirin e Derrave ku një mision i CIA-s për të rrëzuar Fidel Kastron në Kubë shkoi në mënyrë katastrofike dhe ka referenca për dështimin për të gjetur armë të shkatërrimit në masë në Irak.
“Ky muze nuk është vetëm një muze për hir të historisë. Ky është një muze operativ. Ne po marrim oficerët e CIA-s [përmes tij], duke eksploruar historinë tonë, të mirën dhe të keqen,” thotë zoti Byer. “Ne sigurohemi që oficerët tanë të kuptojnë historinë e tyre, në mënyrë që ata të mund të bëjnë një punë më të mirë në të ardhmen. Ne duhet të mësojmë nga sukseset tona dhe dështimet tona në mënyrë që të jemi më të mirë në të ardhmen.”
Megjithatë, disa nga aspektet më të diskutueshme të punës së CIA-s janë më pak të dukshme – për shembull operacioni i saj i përbashkët i vitit 1953 me MI6, për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në Iran dhe përfshirja më e fundit në torturimin e të dyshuarve terroristë pas vitit 2001.
“Ne as mund të konfirmojmë apo mohojmë”
Gjysma e dytë e muzeut fokusohet në detaje në disa operacione specifike.
Fraza “nuk mund të konfirmojmë as mohojmë” është e njohur për ata që raportojnë për agjencitë e inteligjencës dhe origjina e saj qëndron në një histori të detajuar në muze duke përdorur sende të papara më parë.
Në fund të viteve 1960, një nëndetëse e Bashkimit Sovjetik humbi diku në fund të oqeanit.
Pasi SHBA-ja e gjeti atë, CIA punoi me miliarderin Howard Hughes për të rikuperuar rrënojat – dhe teknologjinë në bord.
Një histori e rreme u tha se Hughes do të minonte fundin e oqeanit duke përdorur një anije të quajtur Glomar Explorer.
Muzeu përmban një model të nëndetëses sovjetike, si dhe veshje, tabaka dhe çanta postare të krijuara për të ruajtur kapakun e Glomar. Madje është ekspozuar edhe një paruke e mbajtur nga zëvendësdrejtori i CIA-s për t’u maskuar gjatë një vizite në anije.
Misioni ishte vetëm pjesërisht i suksesshëm sepse nëndetësja u shpërtheu ndërsa kthetrat e çelikut të Glomar u përpoqën ta ngrinin atë, megjithëse disa pjesë u gjetën ende.
“Shumica e asaj që ata gjetën në bordin e asaj nëndetëse është ende e klasifikuar edhe sot e kësaj dite,” thotë zoti Byer.
Kur u publikua lajmi për atë që njihej si Projekti Azorian përpara se të nxirrej pjesa tjetër e nëndetëses, zyrtarëve iu tha të thoshin se nuk mund “as të konfirmonin dhe as të mohonin” atë që kishte ndodhur – një frazë e njohur si “përgjigjja Glomar” dhe e përdorur ende gjerësisht edhe sot.
Tavani i muzeut përmban gjithashtu mesazhe të fshehura në lloje të ndryshme kodesh.
Ambicia, thonë zyrtarët e CIA-s, është që imazhet të ndahen me publikun në mediat sociale për të parë nëse mund t’i zbërthejnë ato.
Disa nga ekspozitat do të jenë gjithashtu të disponueshme për t’u parë në internet. Por për momentin, kjo mund të jetë më e pakta që shumica e njerëzve mund të arrijnë në këtë muze.