Sport
Holanda frikëson Europën, ‘viktima’ e radhës Belgjika
Një edicion për të mos u harruar. Kështu mund të përshkruhet ajo që ka bërë Holanda në Ligën e Kombeve, pasi për vendin e parë në grup ‘tulipanët’ kanë likuiduar në ndeshjen e fundit Belgjikën. Edhe pse barazimi ishte i mjaftueshëm Holanda fitoi 1-0 falë golit të realizuar nga Van Dijk në minutën e 73.
Ndërkohë Franca ka pësuar një tjetër humbje në grupin e saj, por fatmirësisht për ‘gjelat’ në mbyllje të grupit kanë arritur të mbijetojnë në Ligën A. ‘Gjelat’ këtë herë pësuan disfatë kundër Danimarkës me rezultatin e pastër 2-0. Golat për nordikët u realizuan nga Dolberg dhe Olsen në fundin e pjesës së parë.
Gjithsesi fituese e këtij grupi, grupit 1, u shpall Kroacia, që në ndeshjen e fundit fitoi 1-3 kundër Austrisë. Modric nisi serinë e golave, ndërsa Baumgartner barazoi përkohësisht. Më tej Livaja dhe Lovren vulosën fitoren dhe vendin e parë në grup për ballkanasit. Në vendin e dytë u renditën danezët me 1 pikë më pak, ndërsa Franca u pozicionua e treta me 5 pikë, 1 më shumë se Austria që zbriti në ligën B sezonin e ardhshëm.