Connect with us

Bota

Dokumentet sekrete tronditin Spanjën/ Autoritetet ishin paralajmëruar për eksodin masiv në Ceuta

Dokumente të deklasifikuara nga qeveria spanjolle tregojnë se autoritetet kishin marrë paralajmërime për një përpjekje të organizuar për kalim masiv të emigrantëve në Ceuta, një ditë përpara se të shpërthente kriza.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, shërbimet e inteligjencës kishin informuar autoritetet marokene dhe ato spanjolle për thirrjet që qarkullonin në rrjetet sociale, ku bëhej thirrje për kalim përmes detit dhe gardhit kufitar më 30 korrik. Mbi 40 dokumente të sigurisë tregojnë se autoritetet kishin identifikuar grupe në WhatsApp dhe Facebook që nxisnin emigrantët të përpiqeshin të hynin masivisht në enklavën spanjolle. Inteligjenca vlerësoi se mesazhet kishin arritur te rreth 180 mijë persona.

Zbulimet kanë shkaktuar përplasje të forta politike, pasi opozita akuzon qeverinë e Pedro Sánchez se kishte informacion paraprak, ndërsa ekzekutivi këmbëngul se paralajmërimet nuk mund të parashikonin përmasat reale të krizës. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka akorduar 114.7 milionë euro në fonde emergjente për Spanjën për menaxhimin e situatës në Ceuta.

Më shumë se 70,000 emigrantë kaluan në Ceuta

Më 30 dhe 31 korrik, më shumë se 70,000 migrantë kaluan nga Maroku në Ceuta, një nga dy lidhjet e vetme tokësore të Evropës me Afrikën, së bashku me Melillën. Shumë prej tyre notuan rreth gardhit kufitar dhe, sipas kryetarit të bashkisë së Ceutës, të paktën 100 persona vdiqën në këtë përpjekje. Shumica u kthyen në Marok, por mijëra mbetën në enklavën spanjolle.

Sipas qeverisë së Sanchez, rreth 5,000 persona ishin ende në Ceuta, ndërsa autoritetet lokale e vlerësojnë numrin deri në 10,000. Shumë prej tyre po flenë në kampe të improvizuara, në rrugë ose në plazhe, gjë që ka shkaktuar tension social në zonë. Banorët kanë shprehur shqetësime për sigurinë, ndërsa ka pasur incidente të shkatërrimit të strehimoreve dhe pengimit të shpërndarjes së ndihmave.

BE mbështet Spanjën me 114.7 milionë euro

Të mërkurën, më 9 shtator, Bashkimi Evropian njoftoi një ndihmë financiare emergjente prej 114.7 milionë eurosh për Spanjën për të adresuar krizën e migracionit në Ceuta.

Financimi do të përdoret kryesisht për të forcuar mbikëqyrjen kufitare, për të blerë pajisje të tilla si kamera termike dhe për të vendosur staf shtesë.

Në të njëjtën kohë, ndihma do të mbështesë procedurat e kthimit të personave që ndodhen ilegalisht në Ceuta, si dhe strukturat e pritjes për të miturit e pashoqëruar në enklavën spanjolle.

Hija e Marokut

Kriza ka ndezur gjithashtu debat rreth rolit të Marokut, me shumë njerëz në Spanjë që argumentojnë se mbërritjet masive u lehtësuan nga autoritetet marokene.

Një raport i policisë spanjolle i publikuar së fundmi thuhet se ka ngritur shqetësime rreth përfshirjes së mundshme të policisë marokene, por Sanchez ka thënë vazhdimisht se nuk ka prova për bashkëpunimin e Rabatit.

Miguel Angel Perez Triano, një zëdhënës i qeverisë qendrore në Ceuta, tha se mesazhet e dërguara nga CNI më 29 korrik nuk ishin një paralajmërim apo një raport, por një shkëmbim i thjeshtë informacioni.

Advertisement