DOSSIER
Kur ‘Partizani’ do luante me gjermanët e Këlnit
Nga Vepron Hasani
E kishim lënë të takoheshim në një nga lokalet e Korçës. Pashë që ai po vinte me “Kadillakun” e tij, (kështu e quante ai biçikletën), më të cilën del çdo ditë…! Pasi porositëm, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Teodor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’ – për merita të shquara në sport-, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot, nisi të më rrëfente një nga historitë e tij të futbollit: “Gjithçka për qëndrimin tim në ekipin e ‘Partizani’-t ose jo, kishte mbetur në dorë të gjeneralëve…” nisi të më tregojë ai.
Lajmi kishte mbërritur edhe në Byronë Politike. Gjithçka ishte e qartë: as prezantimi i Shqipërisë para syve të gjermanëve, dhe as loja me skuadrën e Këlnit nuk do të ishin të lehta. Në vitin 1954, Republika Federale Gjermane ishte shpallur në Zvicër kampion bote. Ky fakt e bënte edhe më të frikshëm ardhjen e gjermanëve në Tiranë. Deri atëherë skuadrat tona kishin luajtur vetëm me skuadrat e Lindjes. Ndeshjet që ishin zhvilluar kishin qenë mes skuadrave ushtarake të Kampit Socialist në Lajpcig dhe Hanoi. Edhe të rinjtë e Kombëtares së Shqipërisë nuk e kishin patur fatin të luanin me perëndimorët.
Më 1955-ën kishin luajtur në Varshavë, më 1957 në Moskë, ndërsa sërish më 1957-ën dhe 1958-ën, kishin luajtur në Tiranë, por, me gjermano-lindorët. Në të vërtetë më 1962 Partizani u ndesh për herë të parë me klubet e futbollit evropian, me Norçepingun e Suedisë për kupën e skuadrave kampione, por çuditërisht ardhja e Këlnit kishte shqetësuar kupolën e shtetit. Ndeshjen me ‘Norceping’-un e humbi në Suedi 2-0 dhe barazoi në Tiranë 1-1.
Në takimin e dytë të radhës shorti i afroi “Partizanit”, “Spartakun” e Plovdivit. Shkuam në Bullgari me fitoren 1-0 të ndeshjes së parë. “Partizani” aktivizoi në Bullgari formacionin: Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Miço Papadhopuli, Fatmir Frashëri, Teodor Vaso, Lin Shllaku, Kolec Kraja, Osman Mema, Panajot Pano, Refik Resmja dhe Robert Jashari. Tashmë ishte viti 1964, “Partizani” do të luante me një nga skuadrat e Republikës Federale Gjermane. Ata ishin duke ardhur…”!
Shqetësimi…!
“Shqetësimi po vinte në rritje. Po bëheshin të gjithë përpjekjet që gjermano-perëndimorët të njiheshin me anët më të mira të Shqipërisë. Shqetësimi që kishte mbërthyer kupolën e shtetit zbriti deri te drejtuesit e ekipit, përfshiu edhe lojtarët, madje gjithçka, edhe ambientet ku lëviznin sportistët. Ndërtesat e Klubit Sportiv “Partizani”, ishin të gjitha njëkatëshe: fjetorja, mensa, klubi i çlodhjes dhe magazinat. Nuk e di pse atë ditë këto ngrehina filluan të më dukeshin ndryshe. Më tej ishin dushet dhe pas dusheve vijonte fusha e tenisit, e volejbollit dhe basketbollit. Në anën e jugut mbi një ledh gjendej një pishinë e vogël.
Aty nuk pashë kurrë ujë. As atë ditë që erdhi lajmi, pishina nuk u mbush me ujë. Salla e lojërave kishte në mes një bilardo për ‘karambol’ ku luanin të gjithë ushtarët korçarë, shkodranë, tiranas etj. Anash ishin 4-5 tavolina të vogla me karrige karshi sallës. Në mes të territorit të repartit dallonte shatërvani i braktisur. Thuhej se ndërtesa dhe shatërvani ishin ndërtuar nga mjeshtrit italianë gjatë periudhës së pushtimit të vendit, por tani nuk ishin më ashtu siç kishin qenë.
Avllia e territorit të Klubit buzë rrugës nacionale Tiranë – Durrës (ngjitur me Pallatin e Sportit “Partizani” sot “Asllan Rusi”), ishte ndërtuar me mozaikë tulle të thjeshtë. Fundi i murit përkonte me Repartin e Aviacionit të Tiranës. Të krijohej përshtypja sikur edhe këto ndërtesa dhe mozaikë tullash, e kishin marrë vesh lajmin dhe qëndronin disi të ndrojtura! Hyrje-daljet në këtë territor nisën të bëheshin më të shpeshta. Pritej të bëhej një mbledhje e jashtëzakonshme. Si gjithnjë pritej edhe ardhja e oficerëve madhorë.
Atë çast po më kujtohej rruga që kishte përshkuar deri atëherë ekipi i “Partizantit”. Hapin e parë “Partizani” e kishte hedhur në vitin më 1947, me 6 lojtarë të “17 Nëntorit”: Bule Vathin, Xhavit Demnerin, Besim Fagun, Halit Sakiqin, T. Baçin dhe Zyber Lisin. “Vllaznisë”, kampione të viteve 1945-‘46, i mori lojtarët: Pal Mirashi, Loro Boriçin, Xhevdet Shaqirin, Alfred Bonatin, Besim Dibrën dhe Isuf Pelingun. Tërhoqi përsëri nga “17 Nëntori” lojtarët: Parapani, Rexhep Spahiun, Vasil Biçakun dhe Sllave Llambin, nga “Besa” mori Zihni Gjinalin dhe Sul Maliqatin dhe më vonë nga Pogradeci, mori Miço Ndinin.
Nga kjo plejadë e lavdishme, unë gjeta te ekipi i “Partizanit” Sul Maliqatin, Refik Resmen, Miço Ndinin, Gani Merjen, Kolec Krajën, si dhe futbollistët Fatbardh Deliallisi, Robert Jashari, Miço Papadhopulli, të cilët filluan të luajnë nga mesi i dekadës së viteve ’50-të. Unë kisha ardhur nga Korça si ushtar në repartin 3700 në Tiranë në fund të vitit 1963. Një javë më pas do të gjendesha në territorin e Klubit Sportiv “Partizani”. Me ekipin e “Skënderbeut”, kisha luajtur për 3 vjet me radhë si qendërmbrojtës dhe në një kampionat, për arsye emergjente, mbajta rolin e mesfushorit”.
Mbledhja urgjente në Klubin Sportiv “Partizani”
“Ndodhi ashtu siç pritej. Oficerët madhorë dhe gjeneralët kishin mbërritur. Mbledhjet me ushtarët në ekipin e “Partizanit”, bëheshin në sallën e kulturës. Bilardoja që ishte në krye të hapësirës, përdorej si podium. Gjenaral-major Thoma Xhixho, kishte zënë vend në mes. Në njërin krah të tij ishte ulur shefi i Klubit Sportiv, ndërsa në anën tjetër, trajneri Loro Boriçi. Ulur afër podiumit pranë njëri-tjetrit, sup më sup, dukeshin: Refik Resmja, Kolec Kraja, Miço Papadhopuli, Fatbardh Deliallisi dhe trajneri i dytë Rexhep Spahiu. Mbrapa tyre dy lojtarë oficerë Mikel Janku dhe Tomorr Shehu, kishin pranë Fatmir Frashërin, Robert Jasharin, Panajot Panon dhe disa lojtarë rezervë.
Pritej të thuhej fjala e parë. Përballë podiumit, përveç ekipit të futbollit, gjendeshin civilë, punonjës të klubit, oficerë madhorë dhe ushtarë. Binte në sy edhe prania e disa gjeneralëve, të cilët qëndronin ulur në krah të disa lojtarëve të vjetër të “Partizani”-t. Prania e shumë oficerëve me yje të mëdhenj dhe me spaleta të praruara, përcillte nëpër ambient një tendosje të lehtë nervore. Ishte hera e parë që ndodhte kështu. Hyrja e sallës së mbledhjes shikonte nga lindja. Derën e kishte dykatëshe, të lartë dhe të rëndë. Fasada të krijonte idenë e një depoje, ndoshta kur u ndërtua e tillë kishte qenë. Lart, përballë hyrjes, fotografia e Komandantit (Enver Hoxhës), hidhte një shikim qesëndisës.
Përveç pllakave të vogla ngjyrë vishnjë të truallit, radhitur bukur, asgjë tjetër nuk të tërhiqte vëmendjen. Salla ishte e zhveshur, kishte një pamje të zbrazët. Një citat i shkruar kohë më parë ishte lyer me gëlqere, por ende i dalloheshin disa shkronja. Parulla e harruar më shumë shëmtonte se zbukuronte. Pas hyrjes së zakonshme, më të cilat fillonin mbledhjet u dha lajmi: “Gjermano-perëndimorët do të vijnë në Tiranë të luajnë me skuadrën e ‘Partizanit”. Te radhët e sportistëve pati një rrëqethje, por që më shumë ishte një lloj krenarie e përzierë me ndjenjën e përgjegjësisë.
Do të kishin rastin të mateshin me një nga skuadrat më të mira të Evropës Perëndimore. Kjo gjë sillte dhe një farë ankthi. Gjenerali tha se, Shqipërisë i duhej fitorja. Gani Merja, i ulur përpara meje, diçka po i thoshte një gjenerali që ishte ulur pranë tij. Drejtuesit e ekipit dhe futbollistët, duhej të thoshin fjalën e tyre. U tha se do të bëhej e pamundura. Një oficer madhor, e mbylli mbledhjen me këto fjalë: “Edhe ne jemi ndeshur me gjermanët, por dhe pse ata ishin më të shumë në numër në krahasim me ne, ne përsëri fituam. (E kishte fjalën për kohën e luftës). Edhe ju duhet të fitoni: jeni 11 shqiptarë përballë 11 gjermanëve”.
Ankth…!
“Oficerët madhorë u larguan nga mbledhja, por në të vërtetë u duk sikur ata morën me vete edhe një lloj ankthi. Nuk ishin të sigurt nëse Shqipëria do të mund të përballej me gjermano-perëndimorët. Sezoni futbollistik i “Partizanit”, 1962-‘63, nuk kishte qenë dhe aq i mirë dhe ata e dinin këtë. “Partizani” kishte humbur 2-0 me “Norçepingun” në Suedi, me këtë rezultat kishte përfunduar edhe ndeshja me “CSKA”-në e Moskës në Hanoi.
“Partizani” kishte pësuar edhe një humbje tjetër 3-1 me “Spartakun” e Plovdivit. Gjithsesi dy ndeshje i kishte humbur me skuadra kampione, por tashmë do të gjendej përballë një futbolli me kapacitet më të madh dhe frikësues, në krahasim me të gjitha skuadrat e futbollit që “Partizani” kishte luajtur qysh nga dita e krijimit të tij!
Humbja e Përfaqësues tonë në Hungari në vitin 1950, me rezultatin 12-0, ende nuk ishte harruar, ashtu siç nuk ishin harruar as lojtarët e saj: Ferens Pushkash, Koçis, Cibor, Bozhik Grosiç etj. Tashmë hija e rëndë e futbollit gjerman, frikësonte gjithandej. Për këtë arsye, pritej që në formacionin e ekipit të “Partizanit” të kishte ndryshime. Dikush do të dilte nga skuadra dhe dikush tjetër do të zinte vendin e tij. Ky shqetësim u përhap edhe në radhët e sportistëve. Tre sulmuesit: P. Pano, R. Jashari dhe K. Kraja, ishin të pazëvendësueshëm. Dy të parët ishin shpallur shënuesit më të mirë të kampionateve të vitit 1961 dhe 1962-‘63, kurse R. Jashari për vitin 1963-‘64.
Në sulmin e skuadrës nuk mund të bëhej kurrsesi asnjë lëvizje. Çështja shqetësuese qëndronte se si duhej bërë një mbrojtje sa më e efektive. Skalioni i fundit i mbrojtjes së skuadrës ushtarake, përbëhej nga Sul Maliqati Mikel Janku, (portierë); Fatbardh Deliallisi dhe Fatmir Frashëri mbrojtës anësorë, dhe nga Lin Shllaku mesfushor afër mbrojtjes, që të tre ishin titullarë të ekipit Kombëtar. Qendër-mbrojtës luante Miço Papadhopuli. Mikel Janku, bashkë me tre titullarët e Kombëtares, duke pasur në mes të mbrojtjes Skënder Halilin e “17 Nëntorit”, përbënin një pesëshe madhore të mbrojtjes së skuadrës Përfaqësuese.
Megjithatë, frika dhe dilema e garës sportive buronte nga e kaluara. Skalioni që prezantuam, brenda të cilit pjesërisht kishte luajtur dhe Papadhopuli deri në prag të ndeshjes me Këlnin, nxori dy humbje me “Olimpiken” bullgare, 1-0 më 1963-in dhe 4-0, me Danimarkën, sërish në vitin 1963, dhe 2-0 me Hollandën në vitin 1964. Këto rezultate i morën me Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa humbën me “Norçeping”-un, “Spartak”-un e Pllovdivit dhe “CSKA”–në e Moskës në Hanoi”.
Shtabi i “Partizanit”
“Oficerët madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes po i bënin vizitat e tyre gjithnjë e më të shpeshta në klubin e Partizanit. Ata donin të dinin se kush do të ishin 11 sportistët që do të luanin me Këlnin. Herë pas herë në territorin e Klubit të “Partizani”-t shfaqeshin gjeneralë dhe oficerë madhorë: Petrit Dume, Beqir Balluku, Rahman Përllaku, Sejdin Avdia, Muharrem Kokomani, Et’hem Gjinushi, Thoma Xhixho, Qazim Kapisyzi, Vaskë Gjino, Todi Naço, Sadik Bekteshi etj. Shtabi i ekipit të “Partizanit”, kishte tre strategë futbolli: Loro Boriçin, Rexhep Spahiun dhe Besim Fagun, ku sigurisht violina e parë ishtë Boriçi.
Për këtë arsye ai kishte kompetenca absolute, gjë që e bënte të ishte sa më pak i ndikuar në krijimin e formacionit të skuadrës, por “Partizani” ashtu si edhe “Dinamo”-ja, duke qenë skuadra ushtarake kishin një kod tjetër institucional dhe moral. Sa herë që “Partizani” luante me skuadra ndërkombëtare kupola e dikastereve bashkë me ministrat përkatës ishin aty. Në vendim-marrjet e Shtabit ishte i pranishëm dhe mendimi i oficerëve madhorë. Kështu kishte ndodhur gjithnjë. Skuadra e “Partizanit”, kishte qenë vazhdimisht në lëvizje dhe ndryshime të herëpashershme.
Gjatë viteve të para të dekadës 1960-’70-të, ekipi i kuq filloi freskimin e kontingjentit famëmadh. Lojtarët: S. Deda, R. Haxhiu dhe më pas Refik Resmja, Kolec Kraja, Sul Maliqati dhe Gani Merja, iu lanë vendin më të rinjve. I pari nga të rinjtë që u bë titullar i Partizanit ishte vlonjati Mexhit Haxhiu, në sulm nga krahu i majtë u duk Petraq Sinjari, kurse në krahun e djathtë Foto Andoni, që të dy nga Tirana. Në vitet 1963-’65, erdhi një bum i madh lojtarësh, të cilët ishin marrë nga rrethet si ushtarë.
Nga Vlora erdhën Mexhit Haxhiu, Gani Xhafa dhe N. Saraçi, nga Elbasani Bashkim Rudi dhe Frederik Jorgaqi, nga Berati A. Zaho, L. Hodo dhe A. Qole, nga Kavaja Muharrem Kariqi, E. Gjoci dhe Agim Dizdari, nga Shkodra Ramazan Rragami, nga Korça Teodor Vaso, ndërsa më vonë do të vinte nga Shkodra Sabah Bizi dhe nga Elbasani Mihal Gjika. Më pas edhe ky kontingjent do të shpërndahej nëpër rrethet nga ku kishin ardhur. Tashmë oficerët madhorë kishin ardhur të njiheshin me formacionin e ri të ekipit të “Parizanit”.
Në kërkim të formacionit…!
“Kisha nisur të ndihesha i shqetësuar. Nuk e dija cili do të ishte roli im në ndeshjen me Këlnin. Para se të vija në Tiranë, me “Skënderbeun” kisha luajtur tre vjet me radhë si qendër-mbrojtës, por kur mbërrita në skuadrën e “Partizanit”, trajnerët e ekipit ushtarak nuk po gjenin hapësirë të më aktivizonin në rolin e mbrojtësit. Mbrojtja e ekipit të “Partizanit” përbehej nga portieri virtuozi, akrobat Mikel Janku, në të djathtë nga mbrojtësi Fatbardh Deliallisi, në qendër nga Miço Papadhopuli dhe në të majtë nga Fatmir Frashëri. Të gjendur në këto kushte trajnerët më dhanë fanellën e mesfushorit me nr. 5. Vendosja në këtë pozicion më la të befasuar. Trajnerët po përpiqeshin të më praktikonin në një rol të ri.
Çuditërisht ky ndërrim roli po ndodhte vetëm me mua, kurse paraardhësit e mi ishin provuar sipas vendeve ku kishin luajtur më parë. Zakonisht edhe në ekipet e vendeve të tjera, ndryshimet bëheshin duke i kthyer sportistët nga përpara-mbrapa, ku të gjithë merrnin rolin e qendërmbrojtësit të lirë, kurse me mua po ndodhte ndryshe. Trajnerët po më angazhonin detyra të tjera taktike. Unë duhej të mbuloja sulmuesin e maskuar, i cili luante rolin e sulmuesit të dytë, pas qendër-sulmuesit stabël. Më i dukshëm ky lloj kombinimi ishte në dyshet: P. Pano-R. Resmja, Zhega- S. Domi, Tuxhari-Pilika, S. Jareci- M. Bushati, M. Bespalla-R. Jashari etj. Roli në fjalë m’u besua në ndeshjen ndërkombëtare në Bullgari, kundër “Spartakut” të Plovdivit.
Deri atëherë pothuajse gjithçka kishte shkuar mirë, kurse në dhjetor të vitit 1963, “Partizani” mori me vete për në Hanoi të Vietnamit dy futbollistë të “17 Nëntorit”: Luigji Bytyçin dhe Pavllo Bukovikun. Jashtë listës së 17 lojtarëve, mbeti Merxhit Haxhiu dhe unë. Haxhiun e privuan për arsye biografie. Për mua kjo kishte qenë goditja e radhës që po më jepej. Unë gjithnjë kisha qenë brenda grupit të 15 lojtarëve. Diçka po ndodhte, ndoshta nga që isha jabanxhi, ndoshta për ndonjë arsye tjetër, ndoshta kishte qenë luftë bërrylash. Veç kësaj nuk më dhanë asnjë shpjegim. Hipokrizia po më lodhte, heshtja po më shqetësonte. Gjithçka ishte bërë papritur dhe në fshehtësi.
Nuk e dija kush e kishte hequr emrin tim nga përbërja e ekipit. Isha i sigurt vetëm për një gjë: heqja e emrit tim nga lista nuk ishte bërë për arsye profesionale. Në ndeshjen “Skënderbeu” – “17 Nëntori” (shkurt, 1962), që përfundoi me rezultatin 3-1 (atëherë luaja me “Skënderbeun”), “Sporti Popullor”, shkruante: “Mbrojtja me në krye Vason, bëhet e pakalueshme”.
Në ndeshjen me Plovdivin e Bullgarisë, i Mmdhi Anton Mazreku më përgëzoi për ndeshjen e parë jashtë shtetit. Megjithatë fill pas kthimit të ekipit të “Partizanit” nga Hanoi, u bëra titullar i skuadrës, duke përmbushur me cilësi detyrën e disa roleve. Më vendosën për të zëvendësuar lojtarë me gjendje të dobët sportive, ose që mungonin për arsye dëmtimi. Ja disa nga ndeshjet e cilësuara: për finalen e Kupës së Republikës me “Tomorrin” e Beratit, (që e fituam 3-0) më vendosën në mesfushë në përbërjen: Osman Mema, Miço Ndini, Teodor Vaso, Ramadan Jashari. (“Sporti Popullor”: 24.03.1964).
Një muaj më vonë, me “Flamurtarin”, trajneri më caktoi në rolin e qendër-mbrojtësit në treshen: Spiro Gjika, Teodor Vaso dhe Iljaz Dingu, (23.03 1964). Përsëri, në mesfushë për ndeshjen “Partizani” – “Skëndërbeu”, në përbërjen: O. Mema, L. Shllaku, T. Vaso. (“Sporti Popullor”, 02.06 1964). “Dinamovitët ishin duke shënuar golin e dytë, sikur Vaso të mos e shpëtonte portën nga rreziku, duke e pritur topin me dorë. Penallti, por Thoma Duro e nxori topin jashtë mbi portë, (“Sporti Popullor”: 24.11.1964). Në këtë lojë, “Dinamo”- “Partizani”, kisha rolin e mbrojtësit të djathtë. Tashmë prisja të merrja vesh cili do të ishte roli im në ndeshjen me Këlnin”. /Memorie.al