Bota
Kriza energjetike/ Europa ‘ngrin’ nga i ftohti…
Kriza energjetike, Europa përgatitet për reduktimin e dritës dhe ngrohjes
Kursimi i energjisë është motoja e re e qeverisë franceze. Parisi ka bërë thirrje për “mobilizim të përgjithshëm të vendit” për të reduktuar konsumin me 10% gjatë dy viteve të ardhshme, si pjesë e një plani ambicioz për të reduktuar varësinë dhe për të shmangur shkurtimet e furnizimit. Ministrja franceze për tranzicionin e energjisë, u ka kërkuar qytetarëve francezë të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre.
Pavarësisht vështirësive, Presidenti Emmanuel Macron iu bëri thirrje sipërmarrësve për të zbatuar masat e kursimit të energjisë pa vonesë. Kreu i Elysee premtoi gjithashtu të “bindë” liderët evropianë që të miratojnë një kufi mbi çmimin e gazit dhe të “përshpejtojnë” dekarbonizimin e vendeve industriale.
Nga Franca në Gjermani. Aty ku gjermanët po përdorin shumë gaz për të shmangur një “emergjencë” potenciale energjetike në muajt e ardhshëm. Me reduktimin e flukseve të gazit natyror nga Rusia gjatë luftës në Ukrainë, Gjermania u ka kërkuar qytetarëve të reduktojnë konsumin për të kursyer energjinë për muajt e ftohtë që nap resin.
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez përsëritën mbështetjen e tyre për ndërtimin e një tubacioni gazi nëpër Pirenejtë, midis Francës dhe Spanjës. Planet për një tubacion të tillë, të njohur si MidCat, datojnë të paktën një dekadë, por u braktisën në vitin 2019 për shkak të çështjeve rregullatore dhe financimit. Tani Madridi po shtyn fort për rinisjen e projektit me mbështetjen e plotë të Berlinit, i cili i ka mbyllur furnizimet me gaz rus për një të ardhme të pacaktuar.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, familjet mund të përballen me ndërprerje të energjisë për rreth tre orë në ditë nëse furnizimet kufizohen në mënyrë drastike. Një skenar që mund të prekë edhe vende të tjera evropiane. Në rast të përkeqësimit të situatës dhe krizës energjetike, konsumi i dritave dhe ngrohjes do të duhet të reduktohet shumë.