Kronike
Policia arreston 3 persona, piromanët ndezën zjarre në Shijak dhe Ishëm
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohen si autorë të dy rasteve të zjarrvënies në zonën e Ishmit dhe Shijakut.
Në pranga kanë përfunduar Shaban Domi, 44 vjeç, Ilir Rika, 48 vjeç dhe Reshit Jaheshi, 59 vjeç.
Sipas Policisë, dy prej të arrestuarve, Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi, dyshohet se shkaktuan zjarrin në fshatin Ishëm, ndërsa Shaban Domi dyshohet se është përgjegjës për një tjetër zjarr në fshatin Rreth, Shijak.
Zjarri në Ishëm dogji dhjetëra hektarë
Hetimet nisën pas një zjarri që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore në Ishëm.
Sipas të dhënave të Policisë, Rika dhe Jaheshi ndodheshin në banesën e një shtetasi tjetër, ku po prisnin tuba hekuri me gur fresibël. Shkëndijat e krijuara gjatë punës dyshohet se kanë ndezur bimësinë përreth.
Flakët u përhapën më pas në sipërfaqen bujqësore, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, si dhe qindra pemë frutore dhe ullinj.
Pas hetimeve, dy personat u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Zjarr edhe në Shijak, digjen telat elektrikë
Rasti i dytë është regjistruar në fshatin Rreth të Shijakut, ku sipas Policisë, Shaban Domi dyshohet se ka ndezur zjarr.
Si pasojë e flakëve janë dëmtuar tela të rrjetit elektrik, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe sipërfaqe me bimësi.
Edhe ndaj tij është kryer arrestimi për veprat penale të evidentuara nga hetimi.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave.
Policia u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë pastrimit të tokave dhe djegies së mbetjeve bujqësore, pasi zjarret mund të përhapen me shpejtësi dhe të shkaktojnë dëme të mëdha.
Autoritetet u kërkojnë qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dyshuar zjarrvënieje në 112.