Connect with us

Rajon

Marta Kos anulon vizitën në Serbi: Lavdërimi i Mlladiçit nuk pajtohet me vlerat e BE-së

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka njoftuar anulimin e vizitës së planifikuar në Serbi, duke e lidhur vendimin me reagimet dhe ceremonitë që kanë shoqëruar kthimin në Beograd të eshtrave të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Kos kujtoi se Mlladiç është dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndërsa shprehu kritika për mënyrën se si është shoqëruar kthimi i eshtrave të tij në Serbi.

Sipas komisioneres evropiane, lavdërimi që ka shoqëruar vdekjen dhe rikthimin e eshtrave të Mlladiçit është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat mbështetet procesi i integrimit evropian.

Kos theksoi se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës.

“Vlerat që mbështesin të ardhmen tonë të përbashkët nuk janë të negociueshme”, deklaroi ajo.

Anulimi i vizitës përbën një sinjal të fortë politik nga Brukseli ndaj Beogradit, në një moment kur procesi i integrimit evropian të Serbisë vijon të shoqërohet me debate mbi respektimin e vlerave evropiane, pajtimin rajonal dhe trajtimin e së kaluarës së luftërave në ish-Jugosllavi.

Advertisement