Aktualitet
Himara në alarm/ Zjarret shkrumbojnë 6 banesa, dy të moshuar në rrezik për jetën
Zona turistike e Himarës është nën kërcënimin e flakëve.
Një zjarr masiv, i cili nisi në lagjen “1 Maji”, u përhap me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe, duke iu afruar zonave të banuara, por edhe zonës së bregdetit.
Situata u bë veçanërisht e vështirë në një periudhë kur Himara është e mbushur me turistë dhe hotelet janë plot.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, lëshoi një urdhër evakuimi dhe një pjesë e banorëve dhe turistëve në zonat e rrezikuara lanë banesat.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një prononcim tha se deri më tani raportohet për 6 banesa të djegura, 3 prej tyre të banuara, nga të cilat janë shpëtuar edhe 2 të moshuar.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 300 forca të emergjencave civile nga Himara, Vlora, Finiqi, Delvina dhe Saranda, si dhe 150 efektivë të Forcave të Armatosura. Në gatishmëri u vendosën edhe 4 ambulanca, ndërsa operacioni u përqendrua te shuarja e flakëve, mbrojtja e banesave dhe evakuimi i njerëzve nga zonat e rrezikuara.
Për turistët dhe banorët në Potam nuk u dha urdhër evakuimi, por strukturat vendore thanë se ishin gati për një masë të tillë nëse flakët do të zbrisnin më tej.
Pas gati 3 orësh betejë me flakët, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, dhe ministri Nufi thanë se situata është vënë nën kontroll dhe se turistët e banorët janë të sigurt.
Situata e zjarreve në Qarkun e Fierit vijon të jetë problematike, ndërsa vijon operacioni I ekipeve zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe atyre të Emergjencave për vënien nën kontroll të flakëve.
Nga raportimet e fundit mësohet se Forcat e Armatosura janë përqëndruar në masivet pyjore, ndërsa operacioni vijon nga toka, por edhe nga ajri. Nga raportimet mësohet se në mëngjesin e sotëm ka nisur operacioni kundër flakëve edhe me helicopter, duke hedhur ujë në zonat më problematike, ku ndërhyrja nga toka vlerësohet e pamundur ose e vështirë.
Situata është më problematike drejt fshatit Peshtan, ku terreni i vështirë krijon pengesa për ndërhyrje.
Flakët përfshinë qindra hektarë, ndërsa u rrezikuan banesat në disa prej zonave ku për shkak të erës dhe terrenit, ndërhyrja për vënien nën kontoll të zjarreve ishte e vështirë.
Për vënien nën kontroll të flakëve në Qarkun e Fierit, gjatë ditës së premte, u përdorën edhe dy helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Një ditë më parë situata ishte problematike edhe në Radostinë.