Shkrime
12 Nëntori/ Pse nuk mundet “revolucioni” Berisha-Meta
Nga Ben Andoni
Ka një sens, që të jep idenë e një karakteri dhune dhe të çon te arsyetimi i nevojshëm i një logjike revolucioni, kur nisin protestat e PD-së. Të mezipritshme nga publiku për ato paqartësi dhe atë gjendje aspak të mirë të shqiptarëve dhe bukur mirë të shfrytëzueshme nga kreu i opozitës Berisha, ato do të na sjellin edhe njëherë betejën e numrave, që kryetari i vetëcaktuar edhe me votat e militantëve kërkon t’i përshfaqë publikut.
Demokracia dhe revolucioni kanë pasur disa sfida në histori, kurse në Shqipëri ato degjeneruan me 1997 dhe një përpjekje të dështuar të vitit 1998 të opozitës së asaj kohe. Tek e fundit ka një postulat, që të dyja, si forma konsiderohen si praktika të palidhura dhe jo pak herë antagoniste. Ajo e vitit 1997 është nga më të nderat që i ka kushtuar dhe do t’i mbesë shumë shqiptarëve në të ardhmen, kurse ato më të voglat thjesht kanë shërbyer të tregojnë numrat, e të parasjellin ndryshimin. Protesta e korrikut, e organizuar mirë nga demokratët paçka tam-tameve të ekstremistëve që e bënin si dita e fundit e pushtetit, tregoi se populli opozitat dhe publiku i gjerë di të bashkohet kur ka para vetes një kauzë të drejtë. Fatkeqësisht, ajo ditë shërbeu ashtu si parashikohej në ngritjen e mëtejshme të kultit të z.Berisha.
Në fakt, duhet të ndahen revolucionet që s’kanë lidhje me demokracinë me të tjerat, që vihen në shërbim të një impulsi demokratik dhe që janë aq të nevojshme. Po a mundet vallë t’i gjejmë një udhë, kësaj linje të protestës së opozitës, kapur krejtësisht nga Berisha dhe aleati i tij Meta dhe ndërkohë nevojës ulëritëse të demokracisë sonë për protestë? Dilema nuk ngrihet më tek protesta por mënyra sesi shfrytëzohet ajo nga disa lidera dhe më tepër objektivat e saj, që shpesh mbeten kaotike dhe listohen në masë për të treguar, në fakt, më shumë shterpësi idesh dhe një justifikim për protestat gjithmonë e më pak të pranishme. Për më tepër idilin e një proteste kaq të nevojshme ta ndërtoj me frymëzimin e dy liderëve krejt të konsumuar. Faktet janë kokëforta. Problemet masive mbi kryet e B&M janë të dukshme. Kurse, konsumimi i tandemit Berisha-Meta është edhe shkaku i bjerrjes së protestave në vend. Meta pa Berishën është fare i paqenë në skenën e sotme politike, kurse Berishës i duhet Meta për ta projektuar si fuqi.
Kjo e shpjegon edhe faktin pse opinioni ka humbur në shqyrtime juridike të PD-së së Berishës dhe interpretime të metamorfozës kinse institucionale të PL-së të Metës, kurse opozita e përfaqësuar prej tyre mëton të sjellë një revolucion, që do të marrë përpara gjithçka, që ka lidhje me kryeministrin aktual Rama!!!
Nëse do të ishte revolucioni i duhur, ai do të kishte mbështetjen e shqiptarëve dhe nevojën e madhe për ndryshim. Veçse protesta e 12 Nëntorit është vështirë të kthehet në një lloj revolucioni, sepse ky i fundit do frymë dhe do objektiva të arritshme, që shihen në modelet e mira të liderve dhe mbi të gjitha pastërtinë e mendimit, si edhe forca publike të freskëta që e kërkojnë me ngulm ndryshimin. Për fatin e keq, rasti i PD-së të Berishës me mungesën e kundërshtisë nuk e ofron këtë, kurse Konventa e fundit e PL-së tregoi se Meta kishte ngelur shumë më pas sesa atëherë kur frymëzonte një subjekt politik (gjithsesi familjar), që rrinte herë në kurrizin e njërës dhe herën tjetër në kurrizin e tjetrës parti.