Connect with us

Politike

Berisha-Ramës: Kurrë nuk do gëzosh fitore

Sali Berisha, gjatë një komunikimi me ndjekësit e tij në rrjetet sociale i ka bërë të ditur rivalit të tij politik Edi Rama se duhet të jetë i bindur që siç u shpreh ai, fitore me vota fiktive nuk do të ketë më.

Berisha u shpreh se vota do të mbrohet nga burra e gra, vajza e djem, që do të angazhohen në procesin e administrimit dhe të votimit.

“Vota do mbrohet, votën e mbrojnë burra dhe gra, djem dhe vajza, të cilët qëndrojnë me guxim, me integritet, në procesin e administrimit dhe të votimit.
Vota gjithashtu është delikate, unë mund t’ju them se për zgjedhjet e shkuara, bëra një deklaratë se vota u ekzekutua para se të hynte në kuti dhe kjo mund të ndodhë.

Me këtë, nuk desha të hedh poshtë atë punë të shkëlqyer që bënë dhjetëra e qindra demokratë natën e numërimit të votave dhe në vazhdim, por theksova se Edi Rama e shndërroi shtetin në makineri elektorale, vendosi sistemin e patronazhistëve mbi votën, përdori sasi kolosale narko-eurosh për t’i blerë ato.

A heq dorë nga këto Edi Rama? Jo, por ne do e mbrojmë votën më fuqishëm se kurrë. Dhe unë sot, i them në emër tuaj Edi Ramës, i bindur të jesh se kurrë nuk do gëzosh fitore me votë fiktive”, tha Berisha.

Advertisement