Politike
Veliaj po bën burg për partinë, Rama luan kartat/ Bomba e Gjokutaj që mund të përmbysë gjithçka
Zhvillimet e fundit në Bashkinë e Tiranës kanë ushqyer idenë e një përplasjeje të re mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Por avokati Genc Gjokutaj e sheh ndryshe situatën.
Në një intervistë, Gjokutaj argumenton se mes Ramës dhe Veliajt nuk ka një luftë reale për pushtet, pasi përplasja mes tyre, sipas tij, ka ndodhur shumë kohë përpara arrestimit të kryebashkiakut.
“Erion Veliaj as teorikisht, as praktikisht nuk ka mundësi t’i bëjë presion Edi Ramës”, tha Gjokutaj, duke kujtuar se Rama e kishte larguar Veliajn nga drejtimi politik i Tiranës dhe e kishte lënë jashtë rrethit të tij politik përpara arrestimit.
Për Gjokutajn, edhe shkresat e fundit që Veliaj ka dërguar nga paraburgimi nuk janë shenjë e një revanshi politik. Ai i konsideron ato pjesë të një loje të dakordësuar, e cila synon të krijojë përshtypjen se në Bashkinë e Tiranës po zhvillohet një betejë për pushtet.
Sipas tij, edhe dorëheqja e nënkryetares Anuela Ristani duhet parë në këtë kontekst.
“E gjithë kjo është një lojë e Ramës me Veliajn”, deklaroi Gjokutaj, duke shtuar se shkresat nga paraburgimi mund të jenë bërë në këmbim të një premtimi për lehtësimin e pozitës së Veliajt.
A është Bashkia skena e re politike?
Gjokutaj argumenton se ardhja e shtatorit dhe protestat kundër qeverisë i japin Ramës nevojë për një “fabul të re politike” për të zhvendosur vëmendjen.
Në këtë skenar, Bashkia e Tiranës shndërrohet në qendër të debatit: kush e drejton, kush emëron dhe kush kontrollon administratën.
Por Gjokutaj ngre një tjetër pikëpyetje: nëse Veliaj po sfidonte realisht drejtimin e bashkisë, pse nuk ekzistojnë, sipas tij, dokumente zyrtare që tregojnë për një përplasje konkrete me drejtuesit e deleguar?
“Por nuk ka asgjë nga këto. E gjithë muhabeti është telefonatash, vizitorësh në burg”, tha ai.
SPAK dhe “skontoja” ndaj Veliajt
Një pjesë tjetër e fortë e analizës së Gjokutajt lidhet me drejtësinë.
Ai pretendon se Veliaj ka përfituar një “skonto” të madhe në akuzat ndaj tij, duke vënë në pikëpyetje faktin që, sipas tij, akuza kryesore që lidhej me inceneratorin e Tiranës nuk është formuluar në mënyrën që ai pret.
Këtu Gjokutaj e lidh situatën e Veliajt me një marrëdhënie më të gjerë mes pushtetit dhe drejtësisë, duke argumentuar se një hetim më i fortë do të kishte prodhuar pasoja të tjera politike.
“Veliaj ka bërë burg për partinë”
Në pjesën më të fortë të intervistës, Gjokutaj ngre edhe hipotezën se Veliaj mund të jetë duke paguar një kosto politike në funksion të partisë.
Sipas tij, mënyra se si Rama menaxhon dorëheqjet është tregues i një pushteti të centralizuar, jo i një beteje mes individëve.
“Një shkarkim të vetëm nuk ka bërë në jetën e tij, po i detyron të japin dorëheqjen”, tha Gjokutaj.
Për të, kjo nuk është shenjë rivaliteti, por mënyra se si funksionon pushteti.
“Veliaj ka bërë burg për partinë”, deklaroi ai, duke lënë të hapur pyetjen nëse ajo që publiku sheh si konflikt Rama–Veliaj është në të vërtetë një skenar politik i menaxhuar nga lart.
Në fund, pyetja mbetet: a po zhvillohet vërtet një luftë për Bashkinë e Tiranës, apo publikut po i ofrohet një tjetër skenë politike për të zhvendosur vëmendjen nga kriza e pushtetit?
Genc Gjokutaj: Qartë, qartë. Nuk është revansh. Kjo është një lojë. Edi Rama i ka thënë që nëse do të dalësh nga burgu bëj këtë punë. Anuela Ristani ka dhënë dorëheqjen. Mua më vjen shumë keq, ka dhënë dorëheqjen pa debat fare, hiç. Edhe nga nënkryetare, e kupton? Pra, është bërë brenda 24 orëve, ngjitje e diçkaje të papritur. Po pse? Sepse erdhi shtatori. Dhe Ramës i duhet një fabul. I duhet një temë, e kupton? E rregullt, hajde të hapim temën e Bashkisë së Tiranës. E Bashkia e Tiranës është në një krizë shumë të madhe. Dakord? Se nuk ka kryetar të zgjedhur, siç janë të gjithë kryetarët. Ajo bëri një vendim me të cilin, e kuptoni? I hapi rrugë dhe unë mendoj që kjo ka qenë e paramenduar që në fillim. I ka hapur rrugë dhe i ka lënë dorë të lirë këtij cirku politik që bën Edi Rama bashkë me Erion Velinë. Sigurisht Rama është kryetari i dasmës, edhe shfrytëzon pozitën e Veliajt? Që është i arrestuar, edhe i pandehur. Mirëpo, nëse kjo lojë është e vërtetë, dhe ai shpreson se do të bëjë skonto Edi Rama, ta nxjerrë nga burgu, atëherë deri më tash dihet që Veliaj ka bërë burg për partinë. Sepse nuk ka shpjegim tjetër. A mendoni ju që në këto kushte që është Rama, që të gjithë japin dorëheqjen dhe nuk ka bërë një shkarkim? Një shkarkim të vetëm nuk ka bërë në jetën e tij, po i detyron të japin dorëheqjen. Dhe çfarë tregon kjo? Tregon rivalitet të Ramës me këta që japin dorëheqjen? Absolutisht jo. Tregon një pushtet absolut i cili të detyron të japësh dorëheqjen, sepse në të kundërt, ti merr një kosto të pashlyeshme nesër. Kjo është një metodë pune prej 14 vjetësh, nuk është sot…