Kronike
Arrestohet xhaxhai dhe nipi
Kallashnikovi që shihni në pamje, ishte arma me të cilën xhaxhai dhe nipi, të moshave 38 dhe 22 vjeç përdorën për të kërcënuar një 40 vjeçar e më pas ti vidhnin shtëpinë.
Të dy autorët, Kastriot Guri dhe nipi i tij Xhoni Guri nga Laçi, u vunë në pranga nga policia në një operacion të quajtur Brreti, ashtu si fshati në Krujë ku ndodhi edhe ngjarja.
Mësohet se në shtëpinë e viktimës, ata vodhën bizhuteri, vegla pune dhe një set kamerash, por që të gjitha u sekuestruan nga policia, si provë që i implikon në vjedhje xhaxhain dhe nipin.
Arrestimi i tyre u krye pak orë pas ngjarjes, pasi policia e Krujës, organizoi operacionin dhe në momentin e arrestimit, hajdutëve ju sekuestruan arma dhe municion luftarak bashke me sendet e vjedhura.
Megjithatë, dyshohet se xhaxhai dhe nipi kanë kryer edhe vjedhje të tjera, për të cilat do të hetojë më tej prokuroria e Krujës. Ndërsa në gjykatë, të dy ata do të përballen me akuzën e vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim.