Kronike
Të fshehur mes kashtës, arrestohen 13 emigrantë të paligjshëm
Tre persona të cilët u kapën duke transportuar emigrant të paligjshëm në Pogradec janë arrestuar nga policia.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri” u bë arrestimi i shtetasve D. K., 28 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq; B. K., 37 vjeç, banues në fshatin Dunicë, Pogradec; A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq (me masë sigurie “Arrest në shtëpi”).
Shërbimet e Policisë, falë organizimit të veprimeve, në bazë dhe të inteligjencës informative, në afërsi të rezervuarit të fshatit Blacë, Pogradec, bënë të mundur kapjen e shtetasit D. K., që drejtonte automjetin furgon tip “Ford”, në karrocerinë e kamufluar të të cilit u gjetën 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës 1000 euro për person, iu ishte premtuar transportimi në drejtim të Tiranës dhe më pas drejt vendeve të BE-së.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi B. K., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me pasagjer shtetasin A. B., monitoronte rrugën, për të sinjalizuar 28-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë, në rrugë.
Nga veprimet e mëtejshme procedurale dhe verifikimet e kryera, rezultoi se shtetasi A. B. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe për të shmangur ndalimin nga Policia, dha identitet të rremë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.