Kosova
Vuçiç paralajmëron: Jemi në prag të një lufte shumë më të madhe
Jemi në fillim të një lufte shumë, shumë më të madhe.”
Me këtë paralajmërim, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, foli për zhvillimet në Ukrainë gjatë episodit të fundit të podkastit MD MEETS, të drejtuar nga Mathias Döpfner, drejtor ekzekutiv i Axel Springer.
Vuçiç tha se kishte shpresuar që deri tani të ishin ndërmarrë hapa konkretë për arritjen e paqes, por sipas tij kjo nuk ka ndodhur dhe një zgjidhje e afërt nuk duket në horizont.
“Unë besoj se jemi në fillim të një lufte të madhe. Dhe kjo është arsyeja pse shpresoja se dikush tjetër do të kishte bërë diçka deri tani për të sjellë paqe. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë së shpejti, që do të thotë se jemi në prag të një lufte shumë, shumë më të madhe”, tha Vuçiç.
Presidenti serb foli gjithashtu për pritjen që i bëri presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, një vizitë që, sipas tij, shkaktoi reagime të forta si në Rusi, ashtu edhe në Serbi.
Në Rusi, Vuçiç u kritikua se kishte dëmtuar partneritetin me Moskën dhe se kishte ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë, përmes marrëveshjeve ekonomike dhe bashkëpunimit me Kievin.
Nga ana tjetër, zyrtarë ukrainas e përshkruan vizitën si një “shuplakë në fytyrë për rusët”.
Ai theksoi gjithashtu se nuk e kishte njoftuar paraprakisht presidentin rus, Vladimir Putin, për vizitën e Zelenskyt.
“Nuk ia shpall axhendën time politike askujt, pasi Serbia nuk është kukull e asnjë vendi tjetër në botë”, tha Vuçiç.
Sa i përket luftës në Ukrainë, presidenti serb u shpreh pesimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në një të ardhme të afërt.
Vuçiç tha se nuk pret që lufta të përfundojë gjatë këtij viti dhe as përpara pranverës së vitit të ardhshëm.Sipas presidentit serb, njëra prej palëve duhet të dalë fituese në mënyrë që konflikti të marrë fund. Ai nuk sheh aktualisht hapësirë për një marrëveshje kompromisi, për sa kohë që situata mbetet në ngërç.
“Besoj se njëra palë duhet të dalë fituese që lufta të përfundojë. Përndryshe, me ngërçin aktual, nuk shoh mundësi për një zgjidhje kompromisi”, deklaroi Vuçiç.