Connect with us

Rajon

SHBA ‘ndëshkon’ Vucic pas kërcënimeve për Ibrin: Kosova mbetet prioritet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se paqja dhe stabiliteti në rajon mbeten ndër prioritetet e Shteteve të Bashkuara.

Sipas DASH, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një element i domosdoshëm për arritjen e këtij objektivi.

Reagimi amerikan vjen pas deklaratës së Vuçiçit më 9 gusht, kur presidenti serb tha se autoritetet në Beograd po shqyrtojnë, së bashku me ekspertë, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

Vuçiç e lidhi këtë çështje me prishjen e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklaratat shkaktuan reagime të forta në Kosovë dhe u pasuan nga një përplasje publike mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë.

Pas SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian ka rikujtuar rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar se përparimi në procesin e normalizimit mbetet një parakusht për avancimin e të dyja palëve në rrugën drejt integrimit evropian.

Kështu, çështja e Ibrit ka marrë një dimension më të gjerë ndërkombëtar, me Uashingtonin dhe Brukselin që e vendosin theksin te dialogu, stabiliteti rajonal dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Advertisement