REAGIM
Të gjithë kundër të gjithëve – Përça dhe sundo
Partitë, televizionet, mediat ju vënë vazhdimisht kundër njëra-tjetrës, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse krijojnë përçarje.
Ata ju mësojnë të urreni dhe përbuzni ata që nuk mendojnë si ju dhe të keni ‘frikë’ nga ata që nuk mendojnë si ju.
Shikoni programet televizive: të gjithë flasin, bërtasin, fyen njëri-tjetrin. Nuk ka dialog.
Dialogu bashkon, por sot nuk duhet të bashkohemi por të jemi të përçarë. Për cfarë?
Divide et impera – Përça dhe sundo
Një popull i ndarë është më i lehtë për t’u dominuar. Për t’u bindur.
Është një mekanizëm shumë i vjetër dhe si popull ne kemi qenë gjithmonë viktimë e ndarjeve: i pasur, i varfër, partizan, ballist, kulak, komunist, të djathtët dhe të majtët, musliman, katolikë dhe protestantë…
Historia njerëzore ka qenë gjithmonë e ndarë në fraksione të mëdha prej politikës.
Ata i kanë nxitur këto ndarje. Ata i inkurajuan. Ata gjithmonë e kanë kuptuar se mënyra më e mirë për të kontrolluar një popull është t’i përçajë ata.
Ndarja krijon konfuzion dhe konflikt.
Ata monopolizojnë diskutimet. Krijimi i një armiku është teknika e propagandës ‘par excellence’.
Po kur nuk ka armiq të jashtëm për të luftuar? Armiku duhet kërkuar brenda kombit. Duhet armiku, duhet armiku, duhet një kok turku, dikush për të fajësuar kur gjërat shkojnë keq, dikush për të ushqyer turmën.
Dhe nëse nuk jemi të kujdesshëm, Fuqia do t’ju bëjë të urreni të shtypurit dhe t’i doni shtypësit.