Aktualitet
Kodi Rrugor/ Nga sot, morsa shtrëngon edhe më fort, gjoba të rënda për celularin dhe shpëjtësinë
Prej kësaj të premteje, 7 gusht 2026, kanë hyrë zyrtarisht në fuqi ndryshimet e reja të Kodit Rrugor, të miratuara nga Kuvendi më 19 qershor, të cilat ashpërsojnë ndjeshëm masat ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Shoferët që kapen sërish duke drejtuar mjetin me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak, pasi janë ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do ta humbasin përfundimisht lejen e drejtimit, pa të drejtë për ta rimarrë atë përmes autoshkollës.
Ndryshime të forta parashikohen edhe për personat që drejtojnë automjet pa patentë. Të rriturit e kapur në këtë shkelje, përveç gjobës, nuk do të kenë të drejtë të pajisen me leje drejtimi për një vit. Për të miturit, masa është edhe më e rëndë, pasi edhe pas mbushjes së moshës 18 vjeç do të duhet të presin dy vite të tjera për të nisur procedurat për marrjen e patentës.
Kodi i ri vendos kufizime edhe për shoferët e rinj gjatë dy viteve të para pas pajisjes me patentë. Gjatë kësaj periudhe nuk lejohet konsumimi i alkoolit para drejtimit të mjetit, ndërsa shpejtësia maksimale kufizohet në 90 km/h në autostradë dhe 80 km/h jashtë zonave të banuara. Shkeljet ndëshkohen me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se pezullimi i patentës nuk mund të shmanget më duke paguar dyfishin e gjobës. Për lejet e drejtimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare, pezullimi do të zbatohet automatikisht.
Kodi i ri parashikon edhe rritje të gjobave për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara, pranë shkollave, si dhe për garat e paligjshme dhe manovrat e rrezikshme. Gjoba për këto shkelje shkon nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Po ashtu, shoferëve që kapen dy herë brenda një viti duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit do t’u pezullohet patenta për tre muaj. Ndalimi i përdorimit të celularit shtrihet edhe për drejtuesit e biçikletave, motorëve deri në 50 cc dhe monopatinave.