Connect with us

REAGIM

Nuk kam më kohë për manipulues, karrieristë, përfitues dhe ziliqarë

Numërova vitet e mia dhe zbulova se kam më pak kohë për të jetuar sesa kam jetuar deri tani.
Ndihem si ai fëmija që i japin një pako me ëmbëlsira. Të parën e ha me kënaqësi, por kur kupton se i kanë mbetur pak, fillon t’i shijojë intensivisht.
Nuk kam më kohë për mbledhje të pafundme, në të cilat diskutohen statutet, procedurat dhe rregulloret e brendshme, duke e ditur që në fund nuk do të arrihet asgjë. Nuk kam më kohë të duroj njerëz absurdë që përveç moshës nuk janë rritur në asnjë aspekt tjetër. Nuk kam më kohë për të humbur me marrëzi. Nuk dua të marr pjesë në takime ku parakalojnë vetëm “Egot” e fryra. Nuk kam më kohë për manipulues, karrieristë, përfitues. Ziliqarët më shqetësojnë. Kam pak kohë për të diskutuar për pasuritë materiale ose pozitat shoqërore.
Unë e dua thelbësoren, sepse shpirti im është në nxitim tani. Tani dua të jetoj mes qenieve njerëzore dhe të ndjeshme. Dua njerëzit që dinë të duan dhe tallen me gabimet e tyre. Njerëz që nuk mburren me luksin dhe pasurinë që zotërojnë. Njerëz që nuk u shpëtojnë përgjegjësive të tyre. Dua njerëz që mbrojnë dinjitetin njerëzor. Dua të rrethohem me njerëz që duan të jetojnë me ndershmëri dhe drejtësi. Sepse vetëm thelbësorja e bën jetën me vlerë për ta jetuar.
Unë nxitoj të jetoj me intensitetin që mund të na japë vetëm pjekuria. Qëllimi im është të largohem në paqe me të dashurit e mi dhe me ndërgjegjen time. Ne kemi dy jetë dhe e dyta fillon kur kupton se ke vetëm një.

Advertisement