Connect with us

Kosova

Avdullah Hoti: Kurti dhe Osmani janë hipokritë e mashtrues

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka quajtur anarkistë, hipokritë e mashtrues, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Hoti ka krahasuar veprimin e tij kur ishte në kohën e “Marrëveshjes së Washingtonit”, me krizën aktuale në Veri të Kosovës.

“Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre. Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, presidentja në vitin 2021 kishte nxjerrë “vrer dhe urrejtje patologjike”, për nënshkrimin e tij, me të cilën pati ardhur njohja nga Izraeli, por që për një vit qe shtyrë aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin. Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim”.

“Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”.

Hoti veprimin e Osmanit për shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore e ka konsideruar “pa asnjë bazë kushtetuese”.

“Këtë ajo e bëri me kërkesë të SHBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri”.

“Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata: Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok për 23 prill të vitit 2023, po konsiderohet që nuk është në harmoni me kushtetutën e Kosovës.

Këto zgjedhje ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë –, dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targat ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Advertisement