Connect with us

Rajon

Sveçla: Lista Serbe po mbështet bandat e armatosura

Përmes një postimi në facebook, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, se së bashku me “bandat kriminale e të armatosura” po mirëmban barrikadat.

Ai gjithashtu i është kundërpërgjigjur deklaratës së bërë nga Rakiçi më herët, i cili akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bën thirrje “për vrasjen” e serbëve që gjenden në barrikada.

“E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet, ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, tha Sveçla

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për Guardian se i kanë dhënë kohë trupave të KFOR-it për të larguar barrikadat, por shtoi se barrikadat nuk do të lejohen që të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Kujtojmë që KFOR kërkoi kohë dhe tha se është në gatishmërinë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen, gjithashtu u bëri thirrje trupave kosovarë që mos provokohen.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk përjashton mundësinë e viktimave. Prandaj, ne duam që të jemi shumë të kujdesshëm që të sigurohemi që të mos ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri”, tha Kurti.

Por, Rakiç e interpretoi këtë deklarim si “sugjerim për vrasjen e serbëve”.

“Deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Kurti haptazi ka sugjeruar vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, barrikadat nuk mund të hiqen ndryshe”, tha Rakiç.

Sveçla tha se autoritetet po bëjnë përpjekje maksimale me partnerët për heqjen e barrikadave “pa asnjë dëmtim të mundshëm”,  ndërkohë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, po i armatos bandat brenda barrikadave

Advertisement