✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

JEMI NE LUFTE/ SHKULLAKU AKUZON: PERPLASJA E EGER PO MERR DREJTIM TJETER

Gazetari Armand Shkullaku deklaroi se dhuna ndaj protestuesve dhe arrestimet që, sipas tij, vijojnë edhe pas përfundimit të përplasjeve në rrugë, tregojnë përshkallëzimin e situatës në vend.

Shkullaku e cilësoi këtë situatë si një ‘luftë të shpallur’, duke akuzuar policinë për ushtrim represioni ndaj qytetarëve dhe duke kërkuar që opozita të identifikojë personat që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Gazetari solli si shembuj pamjet e personave që, sipas tij, janë goditur edhe pasi kanë rënë në tokë, si dhe të të rinjve që janë shoqëruar nga lokalet apo janë dhunuar në ambiente publike.

Sipas Shkullakut, policët nuk punojnë për qytetarët, por paradite punojnë për Ramën e pasdite për krimin.

‘Janë trajnuar policë, të cilët, më shumë sesa për Ramën, duhet të përgjigjen: çfarë mbrojnë ata? Ata punojnë paradite për policinë, ndërsa pasdite punojnë për bosët e krimit’, tha ai.

‘Unë thashë që kjo po qartësohet në çdo sekondë si një luftë. Sepse këtu, pasi mbaron përballja, çfarë ndodh? Ndodh represioni policor që nuk e ka bërë as Sigurimi i Shtetit. U shkojnë nëpër lagje, u shkojnë nëpër shtëpi, u shkojnë nëpër lokale dhe i terrorizojnë.

A e keni parë pamjen kur i marrin nga lokalet, ndërsa janë duke pirë kafe? A e keni parë si i marrin kalamajtë? Pasi kanë rënë në tokë, i godasin përsëri me shkopinj gome. A e keni parë një fëmijë duke ngrënë sanduiç, të cilit shkojnë dhe e godasin përsëri? A i keni parë ata që janë të shtrirë në tokë, të cilët, pasi i godasin, u hipin sipër dhe u thyejnë këmbët?

Atëherë, kjo është një luftë e shpallur. Nuk po flas për atë të vijës së parë, pra për përplasjen: ti gjuajte me shkop gome, unë gjuajta me gurë; ti gjuajte me gaz, unë do të sjell një fishekzjarr për të të hedhur. Nuk po flas për këtë. Po flas për dhunën që pason më pas. Dhe ajo është një ftesë e hapur.

Edhe këtu, mendoj unë, kemi përsëri një sfidë për opozitën. Cila është sfida? Mirë ose keq, a kanë kaluar 15 vjet? Pesëmbëdhjetë vjet janë shumë. Gjatë kësaj kohe janë trajnuar policë, të cilët, më shumë sesa për Ramën, duhet të përgjigjen: çfarë mbrojnë ata? Ata punojnë paradite për policinë, ndërsa pasdite punojnë për bosët e krimit.

Ata marrin para nga lojërat e fatit në të fshehtë, marrin para nga dealerët e lagjes që shesin drogë dhe nuk thonë gjë. Patëm një rast që u bë publik: një zyrtar i lartë policie, kur i shkuan për t’i verifikuar pasurinë, kishte nja dhjetë apartamente, tre-katër dyqane, garazhe, makina… Një pasuri marramendëse. Dhe çfarë është, fundja, një polic?

Atëherë, kjo tregon se gjatë këtyre 15 viteve është ushqyer një makineri, të cilën ai do ta përdorte ditën kur do t’i duhej të shtypte popullin e vet. Dhe kjo po ndodh.

Kur një qeveri, me dhunë të hapur, kërkon të shtypë popullin e vet me forcën e armëve — sepse unë armë i quaj edhe gazin, edhe shkopin, kur përdoren jashtë përplasjes — atëherë këtu i lind e drejta çdokujt të bëjë rezistencë sipas mënyrës së vet. Që nga ballkonet e shtëpive, deri te hedhja e çfarëdo gjëje që kanë në dorë, kur ata shkojnë për të arrestuar kalamajtë.

Një tjetër detyrë për opozitën, aq sa mund t’i kenë mbetur njerëz brenda policisë, është të zbulojë se kush janë ata që ushtrojnë dhunë: cilët janë, si i kanë emrat, ku jetojnë, ku e kanë shtëpinë. Të bëhen publike të gjitha.

Ato do të bëhen, ato do të bëhen. Ku dalin, ku e pinë kafen… Të gjitha këto, sepse prandaj thashë se jemi në luftë.

Dhe nuk mjafton vetëm një vatër përplasjeje në bulevard. Opozita, me aq njerëz sa ka dalë, do të mundohet që këtë vatër ta përhapë. Kaq e ka detyrë opozita, nëse përkrah kauzën e atyre që janë në revoltë. Nëse nuk e përkrah kauzën e atyre që janë në revoltë dhe ka hall se mos i mbetet asaj merita për atë që po ndodh, ky është pastaj muhabet tjetër.

Prandaj, këtu çdo njeri, nga sot e tutje, duhet gjykuar vetëm në përballje me kundërshtarin që e ka të armatosur deri në dhëmbë.

Sepse ne kishim arritur në një pikë ku këta, prej 14 vjetësh, vjedhin, marrin tendera publikë, dalin hapur, kanë vila që u konfiskohen dhe jetojnë njësoj si ne. I keni parë ata zyrtarë? Shkon dhe i sheh në palestër, pimë edhe kafe, i ke përballë. Vijnë, rrinë të shtunën e të dielën, shohin dhe ngërdheshen.

I keni parë edhe të tjerët? Shkojnë në restorante ku shkojmë edhe ne. I çojnë kalamajtë në shkolla ku i çojmë edhe ne.

Kjo nuk mund të ndodhë. Sepse dikush që ka vjedhur për 14 vjet nuk mund të jetojë njëlloj si ata njerëz, si prindërit që punojnë 12 orë në ditë dhe, me djersën e ballit, përpiqen të sigurojnë ushqimin për kalamajtë e tyre, ndërsa ti të jesh i barabartë me ta. Nuk mund të jesh!

Edhe kriminelët në botë bëjnë gjëra të tilla, por jetojnë të fshehur nëpër pyje, nuk dalin në mes të qytetit. Të paktën, deri diku, kjo gjë është arritur: nuk po dalin dot më siç dilnin më parë. Shoqërohen nga thirrjet: ‘O hajdut!’, ‘O bandit!’, ‘O kriminel!’, ashtu siç janë.

Të paktën, shoqëria këtu duhet të ndahet në mënyrë të prerë. Edhe ata që nuk kanë guximin të dalin në përballje me policinë e Ramës, me shkopinj, gurë e hunj, duhet të bëjnë të paktën një ndarje të qartë mes asaj pjese të shoqërisë shqiptare që e fiton jetën me djersën e ballit dhe asaj pjese tjetër që ka 14 vjet që vjedh dhe kërkon të jetojë publikisht, të bëjë jetë publike e qytetare njëlloj si të tjerët.

Kjo nuk shkon më, përfundimisht.

Tjetra, sa i takon dhunës, këtë e them edhe sepse kam informacion. Ata që e kanë iniciuar dhunën… Doli ky, si e ka ai i Ministrisë së Brendshme? Ky doli dhe tha se kemi shpikur një aparat që zbulojmë se kush është pas maskës.

Shumë mirë! Le të na thonë, kanë pasur dy javë kohë: kush janë personat me maskë që dolën me bishta lopatash nga Partia Socialiste? Le t’ia fillojë Rama nga këta, duke kërkuar përgjegjësinë penale. Kush janë këta që, me hunj, godasin qytetarët e vendit të tyre?’, tha Armand Shkullaku

Advertisement