Bota
Vdiq pasi ‘theu’ 600 vite – Dy Papë në Vatikan
Papa Benedikti XVI ka ndërruar jetë në rezidencën e tij në Vatikan, në moshën 95-vjeçare, pothuajse një dekadë pasi dha dorëheqjen nga pushteti për shkak të shëndetit të tij të dobët. Ai drejtoi Kishën Katolike për më pak se 8 vjet. Në vitin 2013, ai u bë Papa i parë që dha dorëheqjen pas 6 shekujsh që nga Gregori XII në 1415. Benedikti i kaloi vitet e tij të fundit në manastirin Mater Eçlesiae brenda mureve të Vatikanit. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur në një deklaratë nga Vatikani: “Me dhimbje ju njoftoj se Papa Emeritus, Benedikti XVI, ndërroi jetë sot në orën 9:34 në Manastirin Mater Eçlesiae në Vatikan. Informacione të mëtejshme do të jepen sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Pas “rëndimit të papritur për shkak të moshës” në natën mes të martës dhe të mërkurës, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve “një lutje të veçantë për Papa Benediktin”, i cili mbante titullin “Emeritus” pas dorëheqjes.
Nga mëngjesi i së hënës, 2 janar 2023, trupi i papës emeritus i Benediktit XVI do të jetë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan ku do të përshëndetet besimtarët.
I lindur në Gjermani, Joseph Ratzinger ishte 78 vjeç kur në 2005-n u zgjodh në krye të Kishës Katolike, ndër më te vjetrit që merrte këtë detyrë. Gjatë papatit të tij, Kisha Katolike u përball me shumë akuza dhe pretendime për abuzime të priftërinjve me fëmijët në vende të ndryshme të botës.
Në fillim të këtij viti Benedikti XVI pranoi se ishin bërë gabime, edhe gjatë rasteve të abuzimeve në Gjermani kur ai kishte shërbyer si Arqipeshkvi i Mynihut në periudhën 1977-1992.
Dy Papë në Vatikan, një situatë e paprecedentë në histori
Dorëheqja historike e Benediktit XVI, Papa i parë që dha dorëheqjen në gjashtë shekuj, i fundit ishte Gregori XII në 1415 dhe vendimi i tij për të qëndruar dhe jetuar në qytetin Leonine, megjithëse i izoluar në ish-manastirin Mater Ecclesiae, çoi në një situatë vërtet të paprecedentë! Për herë të parë në dy mijë vjet të historisë së Kishës, dy Papë e gjetën veten duke bashkëjetuar në Vatikan. Joseph Ratzinger, ndër të tjera, pavarësisht se kishte braktisur mandatin, nuk donte të quhej “peshkop emeritus i Romës”, siç e këshilluan disa, duke zgjedhur me vendimin e tij emërtimin “Papa emeritus”, duke ruajtur gjithashtu mantelin e bardhë, ndonëse pa pelerinë, dhe titullin “Shenjtëria e Tij”.
Lajmi në përditësim…