✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

BUXHETI NDAN PARATE, FUQIZOHET MBROJTJA DHE RRUGET, POR FRONIN E MBAN SHENDETESIA

Buxheti i planifikuar për institucionet publike në vitin 2027 arrin në 525.2 miliardë lekë, nga 501.4 miliardë lekë që ishte buxheti i vitit 2026. Sipas të dhënave, fondet për institucionet parashikohen të rriten me rreth 23.8 miliardë lekë, ose 4.7% më shumë në krahasim me një vit më parë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbetet institucioni me buxhetin më të madh, me 89.7 miliardë lekë për vitin 2027, nga 86.5 miliardë lekë në vitin 2026. Në vendin e dytë renditet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 75.45 miliardë lekë, nga 61.48 miliardë lekë që kishte në dispozicion një vit më parë.

Rritje të ndjeshme të fondeve parashikohen edhe për Ministrinë e Arsimit, buxheti i së cilës arrin në 67.95 miliardë lekë, nga 65.16 miliardë lekë në vitin 2026. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion 76.61 miliardë lekë, nga 69.23 miliardë lekë që ishte buxheti i vitit të kaluar.

Në vlerë absolute, rritja më e madhe e buxhetit i takon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me afro 14 miliardë lekë më shumë se në vitin 2026. Pas saj renditet Ministria e Mbrojtjes, me një rritje prej rreth 7.4 miliardë lekësh.

Rritje të fondeve parashikohen edhe për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, nga 39.55 miliardë lekë në 42.01 miliardë lekë, si dhe për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, buxheti i së cilës rritet nga 16.4 miliardë lekë në 17.94 miliardë lekë.

Edhe Ministria e Financave pritet të ketë një buxhet më të lartë, me 13.62 miliardë lekë, nga 12.49 miliardë lekë në vitin 2026. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë parashikohet të ketë 15.68 miliardë lekë, krahasuar me 15.48 miliardë lekë një vit më parë.

Ndryshe nga ministritë që përfitojnë më shumë fonde, disa institucione kanë ulje të buxhetit të planifikuar. Fondi Shqiptar i Zhvillimit parashikohet të ketë 27.2 miliardë lekë në vitin 2027, nga 32.3 miliardë lekë në vitin 2026, një reduktim prej rreth 5.1 miliardë lekësh.

Ulja më e dukshme në grupin e institucioneve të drejtësisë shfaqet te zëri “Institucionet e sistemit të drejtësisë”, me një buxhet prej 352.7 milionë lekësh, nga 688.5 milionë lekë në vitin 2026. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një buxhet më të ulët, me 454.2 milionë lekë, nga 645.3 milionë lekë një vit më parë.

Nga ana tjetër, buxheti i SPAK-ut parashikohet të rritet në 2.32 miliardë lekë, nga 2.31 miliardë lekë në vitin 2026, ndërsa Gjykata Kushtetuese do të ketë 304.6 milionë lekë, nga 269 milionë lekë.

Për vitin 2027, shtohet edhe Ministrinë e Administratës Publike e sapo krijuar, me një buxhet prej 594.1 milionë lekësh, ndërsa fondet për institucionet e tjera qeveritare parashikohen në 19.05 miliardë lekë, nga 23.25 miliardë lekë në vitin 2026.

Advertisement