Bota
Frika nga Covid/ Rinisin testet në aeroporte
GJERMANI- Udhëtarët nga Kina do të kenë nevojë për një certifikatë negative të testit COVID-19 për të hyrë nga e diela e tutje në Belgjikë dhe në Gjermani. Detyrimi do të jetë i vlefshëm deri më 31 janar dhe do të zbatohet për të gjitha udhëtimet direkte nga Kina për udhëtarët e moshës 12 vjeç e lart. Testi duhet të bëhet brenda 48 orëve para hyrjes në vend.
Të hënën, Grupi Belg i Menaxhimit të Riskut doli në përfundimin se duhet të merret një vendim uniform në mbarë BE-në dhe vendosi të mos vendosë teste të detyrueshme për udhëtarët nga Kina. Sidoqoftë, Belgjika vazhdoi me vendimin e tyre pasi vendet anëtare të BE-së u takuan për të diskutuar një qasje të përbashkët ndaj udhëtarëve nga Kina të mërkurën dhe “inkurajuan fuqishëm” testet e detyrueshme. Udhëtarët që kthehen nga Kina dhe kanë simptoma duhet të bëjnë një test i cili më pas duhet të dërgohet në një laborator me teknologji të sekuencës gjenomike.
PO ashtu dhe Gjermania po ndryshon rregullat e saj të hyrjes për udhëtarët nga Kina dhe në të ardhmen do të kërkojë të paktën një test të shpejtë të koronavirusit për të hyrë në vend. Do të ketë gjithashtu kontrolle të rastësishme gjatë hyrjes për çdo variant të koronavirusit. Hapat janë në përputhje me rekomandimet e zyrtarëve të qeverisë së Bashkimit Evropian të lëshuara të mërkurën në mbrëmje.
Kina planifikon të lehtësojë kufizimet e udhëtimit të dielën, megjithë një valë infeksionesh të reja që ka lënë të mbingarkuar spitalet dhe shtëpitë funerale kineze. Përveç anëtarëve të BE-së si Franca, Italia, Spanja, edhe disa vende si SHBA, Japonia dhe India kishin marrë disa masa për testimin e pasagjerëve nga Kina. Por Shqipëria nga ana tjetër nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me udhëtarët që vijnë nga Kina. Në mbledhjen e fundit të komitetit teknik të Ekspertëve, thjesht u bë thirrje për vaksinim të dozës së katërt dhe të pestë.