Politike
“Revolucioni i popullit”/ Koçiu akuzon protestuesit për dhunë
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në Facebook për protestat dhe përshkallëzimin e situatës në Tiranë, duke kritikuar përpjekjet që, sipas saj, synojnë të paraqesin protestën si një “revolucion të popullit”.
Koçiu pretendon se dështimi i kësaj përpjekjeje ka çuar në përfshirjen e protestuesve në veprime të dhunshme. Ajo akuzon organizatorët dhe pjesëmarrësit që i lidh me këto akte se nuk kanë interes të vërtetë për studentët dhe të ardhmen e vendit.
“Kur tentativa për të fabrikuar me zor të madh një ‘revolucion të popullit’ të dështon, përfundon si pjesë e bandës së dhunshme të atyre që as nuk u dhimbsen studentët dhe as e ardhmja e Shqipërisë”, shkruan zëvendëskryeministrja.
Në reagimin e saj, Koçiu vë përballë dialogun dhe dhunën, duke argumentuar se dialogu është rruga e atyre që kanë argumente, ndërsa dhuna, sipas saj, përfaqëson një rrugë pa dalje për ata që nuk kanë më çfarë të ofrojnë.
Deklarata vjen në një ditë kur protesta është shoqëruar me përplasje pranë Ministrisë së Arsimit, ku policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit hodhën gurë. Ndërkohë, kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.