Connect with us

Kosova

Osmani në Romë/ Takim me homologun italian Sergio Mattarella

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu gjatë vizitës në Itali është pritur nga homologu italian, Sergio Mattarella.

Osmani ka thënë se gjatë takimit me Mattarellan, u konfirmuan marrëdhëniet miqësore në mes dy vendeve, teksa u diskutua mundësia për thellim të bashkëpunimit bilateral.

“Në Romën historike pata kënaqësinë të mirëpritem nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me ç’rast u konfirmuan marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve tona dhe u diskutuan mundësitë e shumta për thellim të bashkëpunimit bilateral. Së bashku diskutuam për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit si dhe për kontributin tonë të përbashkët për paqe e stabilitet në rajon”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Gjithashtu Presidentja Osmani është pritur në audiencë private nga Papa Françesku në Vatikan. Pas takimit, Osmani ka shkruar se synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në avancimin e mëtejmë të raporteve shekullore dhe do të zgjerojë bashkëpunimin në shumë fusha.

“Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës”, thuhet në njoftimin e Osmanit.

 

Advertisement