Kosova
Plagosi nënë e bijë, vetëvritet autori në Kosovë
Nënë e bijë kanë mbetur të plagosura dje në Kosovë, teksa autori vrau veten pas ndjekjes nga policia, duke mos pranuar dorëzimin. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:45 në rrugën ‘Besa Besë’ në Fushë Kosovë. Nënë e bijë u plagosën nga një person i cili u arratis menjëherë pasi kreu plagosjen. Teksa autori i dyshuari sipas policisë ka qëlluar për vdekje edhe veten.
Policia fillimisht njoftoi se një plagosje ka ndodhur në Fushë Kosovë. Në njoftimin e tyre thuhej se është identifikuar personi që dyshohet se kreu plagosjen, por u tha se ishte në arrati.
Rreth 6 orë më vonë, u raportua se i dyshuari është gjetur i plagosur në një arë në Fushë Kosovë.
Më pas, Policia përmes një komunikate për media njoftoi se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka vdekur i dyshuari që plagosi dy gra në Fushë Kosovë.
“Ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, nga ku rreth orës 18:45 kemi pranuar informatën se personi ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatën e PK.
Më tej Policia e Kosovës deklaroi se gjatë operacionit për arrestimin e të dyshuarit është qëlluar me armë zjarri.
“I dyshuari në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën ‘Fehmi Lladrovci’ në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, duke bërë kështu që Policia t’i ndërmarrë të gjitha veprimet policore në përputhje me autorizimet e tyre. Ndërkohë që sulmi ndaj policisë është neutralizuar, i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit”.
Në njoftimin e Policisë u tha se ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje mirëpo policia së bashku me autoritetet e tjera po heton rastin.
“Aktualisht përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligjzbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin”.
Dy gratë të cilat u plagosën të shtunën në Fushë Kosovë janë jashtë rrezikut për jetën, por kanë lëndime serioze.