Politike
Berisha: Guvernatorja fshihet edhe pas heshtjes së Bashës. Të tregojë kush i bën presion
Sali Berisha nuk ka kursyer Lulzim Bashën teksa akuzonte se ka bashkëpunuar me Edi Ramën dhe Yuri Kim për të respektuar Kodin e Heshtjes rreth dosjes amerikane të McGonigal.
“Krimineli që e vrau atë, përdori një nga njerëzit më të fuqishëm në fushën e zbulimit kundër tij, tani nuk flet prej 7 ditësh asnjë fjalë sikur nuk ekziston. Ftoj shqiptarët të pyesin si ka mundësi që ky njeri tani që u bë e qartë se Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë në aferën Muzin kundër tij nuk thotë një fjalë të vetme. Gjithçka flet se përsëri guvernatorja qëndron prapa heshtjes së turpshme.
Mirë Rama që është autor i një vepre makabre, po viktima e tij si nuk gjen forcë të shqipërojë një fjalë të vetme. I bëj thirrje çdo shqiptari të shtrojë pyetjen, çfarë ndodh, si ka mundësi, a ka një detyrim minimal ky njeri, qoftë dhe ndaj atyre njerëzve që e kanë mbështetur deri në fund të bëjë transparencë dhe kush i bën presion për të mbyllur gojë. Unë nuk jam i habitur. E kam thirrur peng atë, por në situatën e re të krijuar e ka një detyrim. Ky është Kodi i Heshtjes që respektohet me fanatizëm nga krimineli dhe viktima por të jem i sinqertë, kodi i heshtjes po zbatohet nga guvernatorja që nuk ka lënë gjë pa komentuar.
Për një thikë pas shpine që njerëzit e saj të preferuar i përkëdhelte e bënte ctë donte me ta, nuk ka një fjalë të vetme. si është e mundur kjo? çfarë interesash përfaqëson guvernatorja. A mund të shpjegojë kush? A ka shqiptar që nuk pret reagim për këtë ngjarje? Sërish ju them unë, komentet për këtë ngjarje janë përvëluese për ata që janë të implikuar në të. Në llojin e saj, guvernatorja është e implikuar në McGonigal”, tha Berisha.
Berisha: I bëj thirrje FBI-së që të hetojë edhe guvernatoren Kim dhe lidhjet e saj me McGonigal
Sali Berisha i ka bërë thirrje publike FBI që të hetojë ambasadoren Yuri Kim dhe lidhjet e saj me ish zyrtarin Charles McGonigal pasi pretendon se ka kryer korrupsion. Po ashtu supozon se Yuri Kim kishte synim të shkatërronte opozitën duke shpifur rreth dosjeve ruse.
“Kodi i heshtjes po zbatohet edhe nga guvernatorja, e cila nuk ka lënë gjë pa komentuar. Tani për një ngjarje që ka tronditur thellë botën, nuk shqipëron një fjalë të vetme. Si është e mundur kjo? Çfarë interesash përfaqëson guvernatorja? A mund të shpjegojë kush? A ka shqiptar që nuk pret një reagim të saj për këtë ngjarje?
Në llojin e saj, guvernatorja është një McGonigal, ndaj të cilës janë shumë akuza për të gjitha format e korrupsionit.
Nëse McGonigal nisi me manipulimet me dosjen ruse, guvernatorja vazhdoi veprën e saj me shpifje, me sulme, duke dëshmuar se nuk ka asnjë parim, asnjë vlerë. Duke rendur nga studio në studio, nga zyra në zyrë, me qëllimin e vetëm të shkatërronte opozitën.
Nuk është kjo që e bën të aplikojë kodin e heshtjes. Ndaj u bëj thirrje FBI, agjencive të tjera të SHBA, të hetojnë se cilat kanë qenë qëndrimet e saj ndaj McGonigal. Ka informuar ajo vendin e vet për takimet që ai ka pasur, për veprimtarinë e tij, për vizitat e shpeshta në Shqipëri?
Ka informuar ajo për Deripaskën në Shqipëri, për kompanitë e tij që fryheshin si shushunja në Shqipëri, paçka se prej katër vitesh ishin nën sanksione të rrepta të SHBA? Ka pasur ajo dreka e darka me ekipin Rama-McGonigal. Këto dhe gjëra të tjera janë të rëndësishme për autoritetet e vendit mik për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje”, tha Berisha.
Berisha: Ka ministra që kanë dhënë dorëheqjen se kanë takuar McGonigal! Veliaj bëri udhëtim të fshehtë, nuk e di nëse dëshmoi (Asnjë emër apo fakt)
Ish-Kryeministri Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediat dhe serish pa dhënë asnjë emër apo fakt ka bërë deklarata të forta dhe akuza të forta. Ai ka thënë se ministra kanë paraqitur dorëheqjen. Ndërsa për kryebahskiakun Veliaj tha se ai ka bërë një udhëtim të fshehtë jashtë vendit.
“Jam edhe një herë këtu për t’i thënë Edi Ramës largohu, bashkë me kapitenin tuaj të kalbur. Di që ka ministra që kanë paraqitur dorëheqjen për shkak të kontakteve që ata kanë pasur me Charles McGonigal por nëse bëhet fjalë për zëdhënës të interesave ruse në vend ai është Damian Gjiknuri.
Jemi vetëm në fillimin e një tërmeti. Unë do t’i them Edi Ramës që ky do të jetë një cunam popullor. Erion Veliaj kreu një udhëtim të fshehtë. Shkoi për të dëshmuar apo për ndonjë arsye tjetër le ta sqarojë hetimi por ky pushtet është i kalbur dhe duhet të ikë një herë e mirë”, tha Berisha i cili i pyetur për emrat e ministrave të dorëhequr tha se ‘Do t’i bëj publike ne një moment tjetër”.