Connect with us

Politike

Alimehmeti: Kemi vendosur të largojmë të gjithë shkaktarët e ‘sëmundjeve’

Mjeku Ilir Alimehmeti thotë me bindje se do ia dalin që të largojnë nga pushteti këtë qeveri. Nga foltorja e ngritur para kryeministrisë, Alimehmeti thotë se “me pranverën do vijë fitorja” duke nënkuptuar se do arrijnë të marrin fitoren në zgjedhjet e 14 majit.

“Janë shumë më shumë ata që na ndjekin nga larg. Janë qindra më shumë ata që i varin shpresat tek ne. pse jemi ne këtu? Pse vendosëm ne të sfidojmë muajin më të ftohtë të vitit? Se nuk ka më ftohtë se konaku bosh. Se çfarë i mbetet prindit po iku fëmija, çfarë i mbetet Shqipërisë po iku rinia. Ia njohim zemrën atyre. E dimë që ngrohtësinë e kanë vetëm për xhepin e tyre, sëmundjen e të ftohtin e kanë për ne. Jemi vënë përballë një hemorragjie nga shpopullimi, një humbje, një pagjumësie, një sistemi gjyqësie shurdh e gjithë atyre sëmundjeve.

Ne kemi 2 mundësi, të qëndrojmë e të përballemi apo të largohemi si gjethe të shpërndara nga stuhia. Ne kemi vendosur të përballemi e të largojmë ata që janë shkaktarët e të gjithë këtyre sëmundjeve, kemi vendosur ta marrim fatin në dorë vetë. Do i luftojmë këto viruse në çdo zyrë, në çdo institucion, rrugë e shesh se nuk ikin vetë, ikin vetëm po t’i heqim ne. Ne mund ta bëjmë këtë se në fund fare, është po e njëjta pemë që po e rreh stuhia. Trungu jonë u forcua, degët u shtuan e tani që po vjen pranvera, do vijë fitorja për Tiranën e Shqipërinë. Rroftë Shqipëria e shqiptarëve”, tha mjeku Ilir Alimehmeti.

Advertisement