Politike
Konsullata serbe në Shkodër/ Ferit Hoxha: Mbron interesat kombëtare
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mbrojtur marrëveshjen e diskutuar mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në të dy vendet, duke deklaruar se një përfaqësi diplomatike serbe në Shkodër nuk përbën asnjë kërcënim për sovranitetin e Shqipërisë.
Në një intervistë për Top Channel, Hoxha tha se debati për këtë çështje është zhvilluar shpesh mbi baza emocionale dhe politike, ndërsa sipas tij duhet të shihet përtej simbolikës historike, duke u fokusuar te interesat konkrete të shtetit shqiptar.
Sipas ministrit, hapja e një konsullate nuk i jep shtetit dërgues kontroll mbi territorin ku vendoset dhe asnjë lloj pushteti mbi qytetin apo popullsinë.
“Një konsullatë nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Vendndodhja, juridiksioni dhe funksionimi i çdo pranie diplomatike bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjet shqiptare”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se asnjë shtet nuk do të pranonte një prani diplomatike që cenon interesat kombëtare dhe se diplomatët e çdo vendi kanë detyrimin të respektojnë ligjet e shtetit ku ushtrojnë veprimtarinë.
Shqipëria kërkon konsullatë në Bujanoc
Hoxha bëri të ditur se kërkesa e Shqipërisë për hapjen e një konsullate në Luginën e Preshevës nuk është një ide e re, por një objektiv i ndjekur prej vitesh nga politika e jashtme shqiptare.
Sipas tij, kjo nismë synon që shteti shqiptar të jetë më pranë komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke ofruar shërbime konsullore dhe duke rritur praninë institucionale.
“Një prani e përhershme diplomatike shqiptare në Luginën e Preshevës është një instrument legjitim i politikës së jashtme dhe një mënyrë për ta afruar shtetin shqiptar me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve”, tha ministri.
Ai renditi disa fusha ku një konsullatë shqiptare do të kishte rol, duke përmendur mbështetjen për arsimin në gjuhën shqipe, kulturën, çështjet administrative, zhvillimin ekonomik dhe ndjekjen më nga afër të problematikave të komunitetit shqiptar.
“Nuk është marrëveshje në dëm të Kosovës”
Ministri Hoxha hodhi poshtë pretendimet se afrimi diplomatik me Serbinë mund të ndikojë në qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës.
Ai theksoi se politika e Tiranës ndaj Kosovës mbetet e pandryshuar dhe se dialogu me Beogradin nuk nënkupton relativizim të qëndrimeve serbe ndaj Prishtinës.
“Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë pandjeshmëri ndaj Kosovës. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës mbetet i qartë dhe i pandryshueshëm”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, diplomacia nuk mund të funksionojë vetëm përmes izolimit apo refuzimit të kontakteve, por përmes dialogut dhe aftësisë për të avancuar interesat kombëtare.
Reciprociteti, jo barazi automatike
Duke iu përgjigjur kritikave se marrëveshja krijon një barazim mes komuniteteve shqiptare në Luginë dhe serbëve në Shqipëri, Hoxha tha se kjo është një keqinterpretim i parimit diplomatik të reciprocitetit.
“Reciprociteti nuk nënkupton barazi automatike në numra, interesa apo përfitime. Ai është një mekanizëm përmes të cilit shtetet arrijnë marrëveshje dhe avancojnë objektivat e tyre”, tha ministri.
Ai shtoi se Shqipëria dhe Serbia kanë interesat e tyre dhe se secili shtet përpiqet t’i mbrojë ato.
“Nuk po vendosim asnjë shenjë barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në Shqipëri. Vetë disproporcioni numerik tregon se ku qëndron interesi praktik”, u shpreh Hoxha.
“Patriotizmi matet me rezultate, jo me zhurmë”
Ministri kritikoi gjithashtu debatet që, sipas tij, bazohen vetëm në reagime emocionale dhe jo në analiza të interesit kombëtar.
Ai tha se diplomacia nuk mund të drejtohet nga rrjetet sociale apo nga presioni i opinionit publik, por nga rezultate konkrete për qytetarët.
“Diplomacia nuk është garë sloganesh dhe as konkurs klikimesh. Ajo matet me rezultate konkrete dhe me aftësinë për të mbrojtur interesat e vendit”, deklaroi Hoxha.
Sipas tij, historia duhet respektuar, por vendimet shtetërore duhet të merren duke parë edhe të ardhmen.
“Historia nuk harrohet, por përgjegjësia e institucioneve është të peshojnë interesin kombëtar duke parë drejt së ardhmes”, përfundoi ministri i Jashtëm.