Kronike
Foto me Macron dhe pasuri miliona euro/ Mediat franceze: Ekstradimi i Ermal Beqirit mund të zgjasë disa javë
Arrestimi i biznesmenit shqiptar Ermal Beqiri ka marrë vëmendjen e mediave franceze, të cilat kanë publikuar detaje mbi ndalimin e tij në Francë dhe procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Beqiri, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për akuza që lidhen me korrupsionin dhe mashtrimin e organizuar, u arrestua në aeroportin Albert, në veri të Francës, pasi fluturoi me një avion të lehtë mbi zonën e termocentralit bërthamor Penly, një prej lokacioneve të përzgjedhura nga qeveria franceze për ndërtimin e reaktorëve të rinj bërthamorë EPR2.
Sipas mediave franceze, biznesmeni 44-vjeçar u gjykua me procedurë të përshpejtuar në Amiens dhe u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh për shkeljen e rregullave të fluturimit. Pas vendimit, ai është vendosur në paraburgim në pritje të procedurës së ekstradimit drejt Shqipërisë.
Autoritetet shqiptare kanë kërkuar zyrtarisht ekstradimin e tij, ndërsa procesi mund të zgjasë disa javë.
Sipas artikullit të publikuar në Francë, Ermal Beqiri po ndiqet penalisht në Shqipëri që prej vitit 2025 për rolin e dyshuar në një skandal të madh korrupsioni të lidhur me tendera me vlerë miliona euro. SPAK dyshon se ai ka qenë i përfshirë në një skemë mashtrimi të organizuar dhe kishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për të.
Prokuroria shqiptare ka bërë me dije më herët se hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet franceze kanë çuar në identifikimin e disa pasurive që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
Sipas SPAK, në Francë janë evidentuar llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një avion turistik, automjete dhe një kështjellë në departamentin Oise, në veri të Francës, me vlerë të përafërt rreth 2.6 milionë euro.
Hetuesit francezë të Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Madh Financiar (OCRGDF), në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, kanë përgatitur procedurat për sekuestrimin e këtyre aseteve.
Mediat franceze kanë vënë gjithashtu në dukje se Ermal Beqiri kishte publikuar në profilin e tij në LinkedIn një fotografi me presidentin francez Emmanuel Macron gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare dhe franceze vijojnë procedurat ligjore për kthimin e tij në Shqipëri, ku pritet të përballet me hetimet e SPAK.