Aktualitet
PROPAGANDA/ Analizat më shpejt se një kafe për VIP-at… përse na shërbeu drama e Luiz Ejllit?
TIRANË- 2 ditë zgjat çudia më e madhe në këtë vend, por këto të fundit në vendin tonë janë bërë të padurueshme për shkak të një drame që ka kapluar vendin; a është vërtetë sëmurë Luiz Ejlli? Një fjali e thënë brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri mori dhenë duke u bërë kryefjalë bisedë në çdo tavolinë, shtëpi e mëhallë. Kudo flitet për këtë ndodhi. Por ajo që diskutohet është vetëm kjo; mashtroi apo jo?
Disa detaje lihen jashtë, pa u vënë re nga publiku, që ndoshta (edhe shpresojmë që kështu të jetë) nuk e kanë parë kurrë derën e spitalit me sy. Askujt nuk i bëri përshtypje që një “VIP”, s’ka rëndësi se kush, u nxorr nga shtëpia, shkoi në spital dhe për të u kujdesën menjëherë. Ashtu siç edhe u servis nga kamerat që e ndiqnin hap pas hapi këngëtarin, dukej spitali i ndriçuar, pa asnjë këmbë njeriu që të priste radhën. Madje dyert iu hapën vetë nga brenda. Menjëherë Luizi u drejtuar në sallën ku bëhen grafitë, dhe aty u shkëput transmetimi. Nuk e morëm dot vesh kurrë nëse pagoi para për filmin, siç ndodh me ne të vdekshmit e tjerë kur shkojmë në spitalet SHTETËRORE. Çmimi i filmit varet sipas tij, ka ditë që kushton 5, ka të tjerë që kushton 10 mijë lekë. Për VIP-in që shoqëronte “TopChannel”, ishte falas çdo gjë.
Pra, edhe njëherë, e marrim hap pas hapi. Luiz Ejlli del nga shtëpia, shkon në spital, nuk ka radhë, i hapet dera, merr menjëherë për çështje sekondash të gjithë kujdesin e nevojshëm nga mjekja roje (kjo e fundit mund të ketë qenë apo jo e vetme në turn, këtë detaj nuk e dimë).
Si për të hequr vijën e krahasimit, po dje, një baba i revoltuar shfaqej po në të njëjtin television, me mikrofon dhe me kamera pas tij, teksa kërkonte ndihmë për të birin. Me lot në sy, duke bërtitur për fatkeqësinë që po i bëhej, kërkoi me zë të larta që ta dëgjonin të gjithë një pediatre që t’i vizitonte djalin. Edhe pse pretendonte se kishte 5 orë që priste në radhë, shmangin me argumentin se një tjetër fëmijë kishte ndërruar jetë, ndaj nuk prisnin dot askënd. Për mikrofonin e Top Channel, në emisionin “Shqipëria Live”, burri në fjalë shprehet se e ka dërguar fëmijën e sëmurë në spital dhe prej më shumë se 5 orësh që prisnin aty, asnjë mjek nuk ia kishte vizituar.
“E kam sjellë fëmijën që dje në darkë. Zonja infermiere as e ka vizituar, asgjë, më thotë merre çoje në shtëpi sepse këtu ka vdekur një fëmijë thotë dhe kemi problem thotë, ta vizitojmë. Gjeni ju si ta vizitojmë fëmijën. Nuk i ka bërë asgjë, as gjilpërë, as serum, më bën edhe kërcënim, lajmëro policinë thotë. Zonjë për çfarë, i kam bërë filmime, pse më bën filmime thotë, urdhëro filmimet,”- tha qytetari dhe tregon videon.
Cila është lidhja mes dy rasteve? Spitali! Në rastin e një personazhi VIP, ashtu siç edhe ndodh fjala bie kur shkon për vizitë numri një i qeverisë, çdo gjë është xixë, e pastër, e rregullt…spital. Për të vdekshmit e thjeshtë, ka stola plot ku mund të rrijnë dhe të presin radhën. Nëse janë të paduruar, mund të shkojnë në cilindo spital privat që mund të përballojnë për diçka që i shqetëson. Fakti që paguhen taksa dhe sigurime shëndetësore nga secili, nuk vlen për asgjë. Askujt nuk i intereson. Dy raste, kaq mjaftojnë për të treguar fytyrën e vërtetë të një farse që na ushqehet çdo ditë nga televizioni dhe politika. Ministria e Shëndetësisë duhet të dalë dhe të mbajë përgjegjësi për atë që po ndodh. Është e vërtetë që ka fluks për shkak të gripit dhe pandemisë që ende qarkullon, por kjo nuk do të thotë që një fëmijë ta lëmë të vuajë, madje t’i rrezikojmë dhe jetën; ndërsa një personi më të njohur për publikun t’i shtrojmë edhe një tapet të kuq.
Frenezia nuk mbaron vetëm me shtetin, se kjo do ishte e keqja më e pakët. Problem jemi dhe ne. Unë, që po e shkruaj këtë koment, ti që po e lexon, ne të gjithë. Si ka mundësi që për personazhin në fjalë, dje u mblodhën njerëz drejt spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe e prisnin jashtë derisa u kthyer për në Kashar. Për fëmijën që rrezik edhe sot pret për një përgjigje nga mjekët, a foli kush? Po për fëmijën që u mbyt nga nëna e vetë në Shkodër, për të cilin spitali dhe mjekët as që e konsideruan se kishte ardhur në këtë botë me të drejta të barabarta për të gjithë. E dinin që e ëma nuk e donte; nuk e dërguan në shtëpinë e fëmijës, por as nuk e ndihmuan të ëmën që të përballonte psikologjikisht rolin e ri që po merrte. Përfundimi ishte tragjik dhe ne drejtojmë vetëm një gisht nga fajtori. Për ne është nëna, në një rast tjetër babai, në një rast tjetër familja më e gjerë. Asnjëherë shteti. Askush nuk flet dhe ngre zërin për gjërat që na takojnë. Vetëm hapim gojën dhe impresionohemi nga shërbimet private dhe mënyrën sesi trajtohen të tjerë më pak më shumë famë se ne, apo para se ne. Nëse dhe këtë ngjarje nuk e quajmë skandal, atëherë çfarë është i tillë?
*Sqarim: Ky artikull nuk ka lidhje me Luiz Ejllin dhe me historinë e tij, të trilluar apo jo…