Kronike
Shën Valentin pa lule/ Buqetat i porositën “çunat” e Anglisë, Gjermanisë dhe Italisë

Këtë të martë është Shën Valentini, dita që I jep forcë dashurisë dhe krijon atmosferë festive mes ccifteve. Buqetat me trëndafila natyralë, apartamentet me qira me oxhak të dekoruar me qirinj, tullumbacet me helium dhe petalet natyrale apo arushat prej pellushi vijojnë të mbetet trendi më i preferuar i dhuratave për Ditën e të Dashuruarve. Por vala e lartë e emigracionit, kryesisht të rinjve, ka ndryshuar kërkesën edhe për dhuratat në Ditën e Shën Valentinit. Ndryshe nga vitet e kaluara, për këtë vit më tepër lule janë porositur nga emigrantët sesa vendasit. Shitësit e luleve në disa dyqane në kryeqytet pohojnë se ka shtim të lartë të kërkesës nga meshkujt që jetojnë në emigracion për bashkëshortet apo të dashurat e tyre. Për sa u përket çmimit të luleve shitësit thanë se krahasuar me vjet nuk kanë pësuar rritje, ndërsa porositë variojnë me kosto të ulëta. “ Kërkesa për buqeta lulesh të freskëta këtë vit kryesohet nga meshkujt shqiptarë që jetojnë në emigracion. Kërkesa më e lartë ka qenë nga Gjermania, Anglia dhe Italia. Porositë variojnë sipas buxheteve me shuma që arrijnë deri në 50 euro për buqetë, teksa kanë munguar porositë për buqeta të mëdha me lule. Në total në Shqipëri për muajin janar 2023 janë importuar 597,8 mijë copë lule të freskëta për buqeta sipas të dhënave të Doganave. Krahasuar me muajin janar 2022 numri i luleve të importit ra 8%, ndërsa në vlerë u rrit 1%. Vjet janë importuar më shumë lule, por me çmim më të lirë. Sipas të dhënave të INSTAT në 2022 importet për grupin “pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese” në sasi u rritën 8%, ndërsa në vlerë ranë rreth 2%. Edhe për vitin 2022 peshën kryesore të importit të luleve e kryeson Holanda, e ndjekur nga Italia, Greqia dhe Ekuadori. Edhe në zonën e bllokut në Tiranë, shitjet e luleve janë disa herë më të ulëta krahasuar me vjet, teksa ata që I blejnë nuk janë më të rinjtë, por moshat më të mëdha.

