Connect with us

Aktualitet

E papritur/ Gjykata liron pronarin e “Orange” pas dhunës ndaj shefit të Krimeve

Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” në mungesë për pronarin e lokalit “Orange”, Spiro Iljadhi, dhe menaxherin Ermal Vata, në lidhje me ngjarjen ku u dhunua shefi i Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.

Dy të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Megjithatë, gjykata nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur për të dy masën “Detyrim për t’u paraqitur”, duke i lënë të lirë gjatë vijimit të hetimeve.

Ngjarja ka ndodhur më 16 gusht në ambientet e lokalit “Orange” në Sarandë, ku shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, ndërhyri për të ndaluar një konflikt fizik. Sipas Prokurorisë, edhe pse Bakalli u identifikua si punonjës policie, ai u godit nga personat e përfshirë në përplasje.

Për të njëjtën ngjarje, gjykata ka caktuar më herët masën “arrest me burg” për gjashtë persona, të dyshuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Ndërkohë, një tjetër person është shpallur në kërkim.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e dhunës ndaj efektivit të policisë dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

Advertisement